Kur kam rreshtuar për herë të parë shkaqet se pse ndërkombëtarët e mbështesin Reformën në Drejtësi, që dukshëm i shërbente kapjes së Drejtësisë nga Rama, në fund të rreshtit vendosa edhe idenë se një nga shkaqet mund të ishte korruptimi i tyre. Asokohe, jo vetëm shkruesit në shërbim të Ramës gati sa nuk më nxorën sytë – si mund të guxojë ky të thotë se ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE-së mund të jetë të korruptuar!-, por thuajse askush nuk e mori seriozisht këtë argument. Në fakt, kaq i fortë ka mbetur besimi i shqiptarëve te pastërtia morale dhe qëllimet e mira të ndërkombëtarëve, saqë duket se është më mirë të mos hedhësh dyshime mbi ta – edhe sikur të kesh prova – sepse ka të vërteta që përderisa askush nuk i beson, më mirë të mos i thuash fare, se të kthehen kundër. Lidhur me thënien e së vërtetës në botën e gënjeshtrave e shtirjes, Çehovi ka një tregim të mrekullueshëm të titulluar “Salla Nr.6”.
Mirëpo, sa më shumë shoh të bien argumentet që kam rreshtuar në krye për të justifikuar gabimet e ndërkombëtarëve, – të tilla si interesat gjeostrategjike, qenia të porsaardhur e disave prej ambasadorëve kombinuar me vështirësinë e njohjes së realitetit shqiptar apo keqkuptimin e të majtëve evropianë, që pandehin se rilindësit janë socialistë etj. si këta – aq më shumë në renditjen time merr peshë argumenti i korruptimit “soft” apo ”hard” të ndërkombëtarëve.
Sot po rimarr edhe njëherë guximin t’ua sjell shqiptarëve argumentin e korruptimit të euroburokratëve të BE-së. Jam i pajisur këtë herë edhe me rezultatet e një kërkimi të ”Transparency International”, të pasqyruara gjerë në numrin e dhjetorit të revistës italiane “Millenium” (Botim i së përditshmes ”Il Fatto quotidiano”), ku bien në sy titujt : “Juncker dhe sistemi që na grabit çdo vit 1000 miliardë”, “Euroburokratë që po vrasin Evropën”.
Çfarë thuhet aty? Sipas investigimit të ”Transparency International”, 50% e ishkomisionerëve europianë që u larguan nga skena politike në zgjedhjet e vitit 2014 po punojnë tani për grupe ekonomike, që janë në konflikt interesi me detyrën që ata kanë pasur si komisionerë. Po të njëjtën gjë po bëjnë edhe 30% e 171 ish-parlamentarëve, të cilëve iu desh të gjejnë një punë pas këtyre zgjedhjeve. I njëjti fenomen përfshin edhe qindra ish-zyrtarë të BE-së, që – sipas Peter Gomez, kryeredaktori i “Millenium”- shpjegon se pse me kalimin e viteve besimi në vendimet e marra nga Europa ka pësuar rënie vertikale.
Rasti më sensacional,- shkruan Sofje Basso në “Millenium”, është ai i José Manuel Barroso, paraardhësi i Jean Claude Juncker në krye të Komisionit. Ky njeri, vetëm 20 muaj pas përfundimit të mandatit të tij, pranoi të bëhej president (joekzekutiv) i filiales europiane të Goldman Sachs dhe befas u pa në vitin 2017, në rolin e lobistit të kësaj banke në takim me nënkryetarin e Komisionit, Jyrki Katanen. Ishte një episod ky që, gjithë sipas revistës, e tërboi Kelly O’Reilli, Ombutsmenin Europian.
Por kjo nuk është asgjë në krahasim me çfarë ka kombinuar Neelie Kroes, ish-komisionere për Konkurrencën dhe Axhendën Dixhitale. Sot ajo është konsulente e “Banc of America”. Ndërkaq, Bahamas Leaks (rrjedhjet e informacionit nga Bahamaja) kanë zbuluar se Kroes ka pasur interesa të padeklaruara (në kundërshtim me rregullat) në një kompani energjetike të regjistruar në offshore. Edhe Jonathan Hill, ish-komisioner për Stabilitetin Financiar në ekzekutivin e Juncker-it ka ndryshuar zanat. Që prej disa muajsh, pas votimit të Brexit, baroni anglez ka marrë pozita në disa shumëkombëshe, ndër to ajo e konsulencës për kompaninë UBS, që ofron shërbime financiare (mes të tjerash për të menaxhuar daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja) dhe në kompaninë audituese “Deloitte”.
Duke shfletuar “Millenium” mësojmë gjithashtu se një koalicion i 200 OJQ-ve të ndryshme, “Aleanca për lobimin e transparencës”, duke investiguar karrierën e shumë zyrtarëve të BE-së, ka zbuluar se nga viti 2008 deri më sot, katër drejtues të Stabilitetit Financiar janë punësuar më pas nga kompanitë që ata kanë pasur detyrë t’i kontrollonin, kurse rreth 1000 ekspertë të EMA-s, (Agjencia Europiane e Barnave), kanë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta në industritë farmaceutike që duhej të kontrollonin. Por nuk mjafton kaq. Nga 33 lobistë të regjistruar në dhjetë kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve, një e treta rezulton se ka punuar më parë për një institucion të BE-së.
Është e qartë se punësimi i tyre në këto kompani nënkupton shpërblimin për favoret që këta u kanë kryer kur kanë qenë në zyrat e BE-së, ose favoret që mund t’u kryejnë duke pasur lidhje me këto zyra. Këto korruptime “soft” vështirë se i kap ligji, por pyetja që shtrohet është nëse këto janë në përputhje me demokracinë dhe moralin e politikanit. Përgjigjen e ka dhënë prej vitesh politologu dhe sociologu amerikan Colin Crouch, i cili epokën që po kalon Perëndimi nën shenjën e neoliberizmit dhe globalizmit nuk e quan demokraci, por postdemokraci, që do të thotë se vendimmarrjet e politikanëve perëndimorë sot nuk merren në emër të interesave të popullit, por gjithnjë e më shumë në emër të interesave të lobeve të fuqishme ekonomiko-financiare. Që do të thotë se politikanët e zgjedhur nga populli nga shërbëtorë të interesit publik janë kthyer gjithnjë e më shumë në menaxherë interesash të këtyre lobeve.
Rezultati është humbja e besimit të njerëzve tek establishmenti evropian, ku përfshihen si kastat që drejtojnë politikat nacionale, ashtu edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionin Europian, në BE e në Parlamentin Europian. Kjo shpjegon rritjen e paparë të lëvizjeve antievropianiste nacionaliste në shumë vende evropiane, që kërkojnë braktisjen e projektit aq shpresëdhënës të Europës së Bashkuar.
Por le të kthehemi te konteksti shqiptar. Gjykoj se pa marrë në konsideratë rezultatet e kërkimit të “Transparecy Internatioal” apo të “Aleanca për lobimin e transparencës”, nuk mund të shpjegojmë mbështetjen e paturpshme që euroburokratët e Brukselit dhe ndonjë ambasador si ai i SHBA-ve i kanë dhënë e japin qeverisë Rama, megjithëse kjo e ka çuar nivelin e korrupsionit dhe të bashkëpunimit me krimin në nivele të papara ndonjëherë në dy dekadat e fundit. Duke pasur parasysh këto rezultate dramatike, që flasin për papërgjegjshmërinë e euroburokratëve ndaj fateve të projektit europian dhe të gjithë atyre që shpresojnë në të, më duket gjithnjë e më e besueshme teza që narkoshteti shqiptar, për të marrë mbështetje dhe legjitimitetin e BE-së, vepron me euroburokratët si një kompani interesi që bën lobim pranë tyre.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu