Lidhu me ne

Radar

Këshillat si duhen trajtuar dhimbjet e gjurit

Këshillat si duhen trajtuar dhimbjet e gjurit
Dhimbjet e gjurit janë mjaft të zakonshme dhe kanë shkaktarë të ndryshëm, duke filluar që nga lëndimet akute (të menjëhershme, të papritura), e deri tek komplikacionet e situatave të ndryshme shëndetësore. Prej dhimbjeve të gjurit mund të rrezikojnë të gjitha grupmoshat, ndërkohë që bëhen mjaft të shpeshta edhe tek personat që ushtrojnë aktivitet sportiv. Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e faktorëve që ndikojnë në dëmtimet e gjurit, simptomat për të cilat duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore, këshillat për trajtimin dhe parandalimin e tyre.
Ku lokalizohen më shpesh dhimbjet e gjurit?
Dhimbja mund të lokalizohet në një zonë të caktuar të gjurit, ose të jetë e përhapur në të gjithë gjurin. Problemet mund të vijnë nga të gjithë shkaktarët që kompromentojnë strukturat formuese të gjurit që janë kockat (kocka e gjurit, e kofshës dhe kocka e kërcirit), kërcet (menisku) dhe ligamentet lidhëse. Dhimbjet në gjunjë mund të përkeqësohen nga aktiviteti fizik dhe obeziteti (mbipesha) dhe mund të prekin njerëzit e të gjitha moshave. Në varësi të strukturës së përfshirë ndryshon dhe vendndodhja e dhimbjes në gju. Për shembull një menisk i shqyer, ose një kockë e thyer, jep simptoma në një vend të caktuar. Ndërsa një proces inflamator (infeksion) mund të përfshijë komplet gjurin. Gjithashtu,një kist mund të shkaktojë dhimbje në pjesën e pasme të gjurit. Edhe ashpërsia e dhimbjes është e ndryshme. Dhimbje të vogla mund të shkaktojnë ndonjëherë paaftësi në lëvizje, etj.
Cilët janë shkaktarët konkretë të dhimbjeve të gjurit?
Siç e përmendëm më sipër, së pari janë traumat e drejtpërdrejta në strukturën kockore të gjurit që përfundojnë me fraktura (thyerje kockore). Ky zakonisht është një dëmtim shumë i dhimbshëm dhe i dukshëm. Shumica e thyerjeve të gjurit nuk janë vetëm të dhimbshme, por do të kompromentojnë edhe funksionimin e duhur të lëvizjeve të gjurit, ose e bëjnë gjurin shumë të dhimbshëm për të mbajtur peshën e trupit. Të gjitha thyerjet kanë nevojë për kujdes të menjëhershëm mjekësor.
Sa të rrezikuar janë sportistët nga dhimbjet e gjurit?
Dëmtimi tjetër është ai i ligamentit të kryqëzuar të gjurit që është mjaft i shpeshtë tek sportistët dhe ndodh si rezultat i ndryshimit të menjëhershëm të drejtimit. Tek sportistët është i shpeshtë edhe dëmtimi i meniskut, i cili është i formuar prej kërci dhe vepron si amortizues (neutralizues) ndërmjet kockave të gjurit. Po ashtu, është edhe zhvendosja (dalja e kupës së gjurit), e cila kërkon trajtim urgjent, pasi mund të dëmtojë rrjedhjen e gjakut në këmbë, apo të shkaktojë problem të ndjeshmërisë si rezultat i shtypjes së enëve të gjakut dhe të fijeve nervore.
Po ndërlikimet inflamatore si ndikojnë në dëmtimin e gjurit, dhe me çfarë simptomash dalluese shoqërohen?
Pas dëmtimeve traumatike, si shkaktarë të dhimbjeve të gjurit vijnë problemet inflamatore, siç është artriti septik (artriti infektiv). Në këtë rast kemi kompromentim të gjendjes së përgjithshme me temperaturë dhe ethe, dobësi të përgjithshme, si edhe enjtje të komplet gjurit, skuqje dhe dhimbje të forta, sidomos gjatë lëvizjeve. Kjo situatë kërkon trajtim të menjëhershëm me antibiotikë, si edhe drenim (kullim) të lëngjeve të grumbulluara si pasojë e infeksionit. Po ashtu, edhe artriti reumatoid që është një sëmundje autoimune inflamatore, shoqërohet me enjtje dhe dhimbje të forta të gjurit. Artriti reumatoid mund të rezultojë me aftësi të rënda siç është paaftësia për të ecur. Një gjendje inflamacioni kronik, mjaft e njohur tek sportistët (sidomos vrapuesit dhe çiklistët) është tendiniti kronik i kupës së gjurit (inflamacioni kronik i ligamenteve të kupës së gjurit). Artikulacioni i gjurit është një strukturë mjaft e komplikuar dhe luan një rol kryesor në mbajtjen e peshës së përgjithshme të trupit, por edhe të lëvizjes së tij. Prandaj, çdo ndryshim në lëvizjet e tij (qoftë edhe të stilit të ecjes) mund të shkaktojë ndryshime delikate, dhimbje ose lëndime. Pesha e tepërt në këtë rast luan një rol të konsiderueshëm.
Po aktiviteti fizik i tepërt shkakton dhimbje të gjurit?
Edhe ushtrimet e tepruara fizike dhe të zgjatura në kohë (vrapimi intensiv, të bërit ski, qëndrimet e gjata në gjunjë gjatë punës) mund të shkaktojnë dëmtimin e strukturës së kërcit të gjurit dhe të rezultojë me dhimbje. Shpesh dhimbjet e gjurit do të zhduken pa gjetur ndonjë shkak të veçantë. Varësisht nga shkaku themelor i dhimbjes, gjendja mund të përparojë dhe të çojë në komplikacione serioze. Zakonisht, këto ndërlikime janë afatgjata dhe rezultojnë në përkeqësimin e dhimbjes, ose në vështirësi në rritje për të ecur.
Si trajtohen dhimbjet e gjurit?
Sigurisht që kjo është në varësi të shkakut, por jo gjithmonë është e mundur të eliminohet shkaku për strukturën e komplikuar të artikulacionit të gjurit. Trajtimet për dhimbjet e gjurit janë aq të ndryshme sa edhe kushtet që mund të shkaktojnë dhimbjet.
Ç’duhet të dimë sa i takon përdorimit të medikamenteve në trajtimin e dhimbjeve të gjurit?
Medikamentet që qetësojnë dhimbjet janë themelore për lehtësimin e tyre, por duhet pasur shumë kujdes jo vetëm dozimi i tyre, por edhe kohëzgjatja e marrjes. Gjatë marrjes së preparateve kundër dhimbjes (analgjeziket) duhen bërë ekzaminime mjekësore për të kontrolluar parametrat vitalë të organizmit (kryesisht funksionin e veshkave dhe të mëlçisë). Ndonjëherë forcimi i muskujve përreth gjurit do ta bënte atë me të qëndrueshëm dhe do të ndihmonte në garantimin e lëvizjeve mekanike. Prandaj konsultimi me fizioterapistët mund të ndihmojë në shmangien e lëndimeve, ose të përkeqësimit të mëtejshëm të lëndimeve. Injektimi i preparateve direkt në gju, mund të ndihmojë ë lehtësimin e dhimbjeve. Preparatet më të zakonshme janë kortizonikët që mund të ndihmojnë gjatë sëmundjeve inflamatore (infeksioze) në gju, si edhe lubrifikantët që janë të ngjashëm me lëngun natyral që ndodhet në nyjën e gjurit për të ndihmuar lëvizjet dhe për të lehtësuar dhimbjet.
Po ndërhyrjet kirurgjikale kur vijnë në ndihmë?
Operacionet në gjunjë mund të variojnë nga kirurgjia artroskopike, e deri në zëvendësimin e komplet gjurit. Kirurgjia artroskopike në gju është një procedurë shumë e zakonshme kirurgjikale që lejon shikimin brenda gjurit përmes disa vrimave të vogla që hapen dhe një aparati fotografik me fibra optike. Kirurgu mund të riparojë kështu nëpërmjet kësaj procedure të zakonshme ambulatore shumë nga lëndimet e gjurit. Me teknikat moderne kirurgjikale është e mundur që të lehtësohen shumë nga sindromat e dhimbjes së gjurit duke e kthyer pacientin në jetën aktive të mëparshme. Si terapi mund të rekomandohen edhe akupunkturat për lehtësimin e dhimbjeve të gjurit, veçanërisht në pacientët që vuajnë nga osteoartriti.
Sa efektiv është përdorimi i kompresave me akull?
Gjatë dhimbjeve me natyrë inflamatore rekomandohen edhe kompresat me akull. Është e rëndësishme të theksohet se akulli nuk duhet mbajtur për kohë të gjatë, por vetëm dhjetë minuta dhe me periudha pushimi 30 minuta. Kjo mund të përsëritet disa herë në ditë. Humbja e peshës mund të jetë e dobishme për shumë forma të dhimbjes së gjurit. Për personat që ushtrojnë aktivitete intensive sportive është i rëndësishëm përdorimi i fashave rreth gjurit dhe mbajtja e rripit të sigurimit për të parandaluar lëndimet traumatike.
Cila është prognoza e dhimbjeve të gjurit?
Shpesh dhimbjet e gjunjëve ndodhin për një periudhë të shkurtër kohore dhe pastaj pushojnë. Ndonjëherë dhimbjet përsëriten disa javë, ose muaj më vonë. Nëse dhimbja e gjurit bëhet kronike, është e rëndësishme që të vlerësohet për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të kërceve, kockave, ose ligamenteve. Parashikimi i ecurisë së  dhimbjes varet nga shkaqet themelore të dhimbjes dhe mënyra e trajtimit të tyre.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix18 orë më herët

Si të rrisni të ardhurat tuaja në 2025: Puna me të cilën mund të fitoni 100 dollarë në orë

Në një kohë kur podcast-et janë bërë një nga format më të njohura për konsumimin e informacionit dhe argëtimit, një...

Mix18 orë më herët

Çfarë të lexoni? Një listë me libra nga Dua Lipa

Kur nuk është në skenë duke performuar, Dua Lipa mund të gjendet duke lexuar një libër. Në qershor të vitit...

Kryesore18 orë më herët

Rama: Drejtësinë e re në Shqipëri e sollëm ne!

Edi Rama Kryeministri Edi Rama, u është përgjigjur pyetjeve të komentuesve gjatë një video-live në rrjetin e tij social “Facebook”....

Mix19 orë më herët

Kjo është motoja perfekte e secilës shenjë të horoskopit

Foto Ilustrim Këtu është motoja perfekte për secilën shenjë horoskopi: Dashi“Kërkoni falje, jo miratim!” Demi“Jam dakord me mosmarrëveshjen tuaj, por...

Mix19 orë më herët

Cilat nuk dini – Lista e zezë me 10 ushqimet më të dëmshme për zemrën

Mirëqënia e zemrës varet nga një sërë faktorësh dhe ushqimet janë një prej tyre. Ushqimet e duhura e të shëndetshme...

Mix19 orë më herët

I keni flokët e shëndetshëm apo jo? 4 mënyra si ta zbuloni!

Flokët tanë mund të përballojnë një tendosje prej 100 gramësh dhe kur janë të lagët bëhen 30% më të gjatë....

Radar20 orë më herët

Ta bësh Amerikën të pabesueshme

Agjencia ruse e lajmeve, “Tass” citon ministrin polak të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz se aktualisht Varshava nuk parashikon dislokimin e trupave...

Mix20 orë më herët

Jessica Biel flet për martesën me Justin Timberlake: Është duke ndryshuar!

Këngëtarja e “7th Heaven” pranoi se martesa e saj me këngëtarin e “SexyBack” është “nganjëherë duke ndryshuar”, ndërsa festoi  në...

Radar21 orë më herët

Çfarë është USAID dhe përse kërkohet mbyllja e kësaj agjencie?

Punonjës dhe mbështetës të USAID duke protestuar të hënën para zyrave qendrore të agjencisë UASHINGTON – Dhjetëra zyrtarë të lartë janë...

Radar21 orë më herët

Cilave pyetje nuk u përgjigjet DeepSeek i Kinës?

Chatbot-it të DeepSeek AI “i lidhet gjuha” kur pyetet për çështje që konsiderohen si politikisht të ndjeshme nga Partia Komuniste...

Facebook