Telekom Serbia duket e vendosur për të blerë kompaninë Telekom Albania, pasi ka dhënë ofertën më të lartë, prej 61 milionë euro.
Ofertë për blerjen e Telekom Albania kanë bërë edhe Eagle Mobile, një investitor anonim grek, një grup nga Çekia dhe një kompani nga Bullgaria.
Gazeta Danas shkruan se ka të dhëna se oferta e kompanisë serbe është cilësuar si e bazuar në motive të tjera, përveç atyre ekonomike, pasi oferta ishte në mënyrë të pabazuar e lartë.
Burimet thanë për gazetën Serbian Monitor se Telekom Serbia, që ka mbështetje të fortë politike, po ndërhyn përmes autoriteteve serbe, tek homologët gjermanë, që të apelojnë tek Deutsche Telekom që të zbusë qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe institucioneve rregullatore.
Eksperti i telekomunikacioneve, Agron Dida, duke folur për RSE, tha se nuk sheh ndonjë përfitim ekonomik nga kjo blerje. Ish-drejtori i Postës dhe Telekomit në Kosovë dhe se largimi i kompanive të mëdha europiane nga rajoni vjen për shkak të mënyrës se si është i rregulluar tregu.
“Biznesi në vendet e Ballkanit është shumë i lidhur nga rregullatorët. Kudo është fenomeni i monopolit dhe oligopolit, dhe gjithçka varet nga rregullatorët, të cilët influencohen nga partitë politike në pushtet. Ka korrupsion- diku më shumë, diku më pak, por në çdo rast janë qytetarët që e paguajnë. Nën kushte të tilla, këta operatorë europianë seriozë nuk duan të punojnë,” thotë Dida.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu