Këtë fundjavë, vizitoi Tiranën Patriarku rus Kirill. Bashkë me Kirill në Shqipëri mbërritën edhe njësi speciale Ruse, të cilat u angazhuan për të garantuar sigurinë e tij.
Kjo është vizita e parë e zhvilluar nga një Patriark që vjen nga rusia dhe vetë Kirill e ka quajtur këtë si një vizitë historike, që në momentin kur dha lajmin që do vizitonte Shqipërinë.
Pjesë e vizitës në Shqipëri, janë edhe takimet me krerët më të lartë të shtetit. Përgjatë dy ditëve Kirill do të takohet edhe me krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama.
“Shpresoj se me mëshirën e Zotit në fund të këtij muaji do të realizohet vizita ime zyrtare në Shqipëri. Do të jetë vizita e parë në histori e primatit të Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila po përjeton sot periudhën e ringritjes pas asgjësimit të plotë të fesë, të çdo simboli fetar dhe çdo shprehjeje të ndjenjës fetare si pasojë e persekutimeve më të ashpra ndaj kishes në këtë vend në shekullin XX”, është shprehur Patriarku i Moskës.
Kirill mbërriti në Tiranë rreth orës 16:00 të së shtunës, në aeroportin e Rinasit. Aty ai u prit nga kryepeshkopi Anastas Janullatos si edhe nga Ambasadori i Rusisë në Shqipëri Aleksandër Karpushin. Më pas ai i është drejtuar kishës Ortodokse sëbashku me Janullatos.
Në këtë kishë, në Katedralen Ortodokse Shqiptare, “Ngjallja e Krishtit”, për herë të parë u organizua një meshë e shenjtë nga patriarku rus.
Gjatë vizitës në Tiranë, Patriarku Kirill e ka vlerësuar si pikënisjen e një epokë të re marrëdhëniesh mes dy kishave, duke u kujtuar nga Kryepeshkopi Janullatos, për kohën kur Shqipëria ka qënë një vend ateist.
“Kam mbërritur këtu me emocione të ndritshme. Unë e vlerësoj këtë mundësi të bashkëndaj me Ju gëzimin e Pashkës së Shenjtë, të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët (Rom. 1:12) dhe të përulem para vendeve të shenjta të tokës shqiptare. Shpresoj se me ndihmën e Zotit vizita ime paqësore të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kishave tona Orthodhokse Lokale vëllazërore.”, tha Kirill.
Kujtojmë se kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999.
Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).
Në mbrëmjen e së dielës, presidenti Ilir Meta shtroi edhe një darkë në Pallatin e Brigadave për nder të patriarkut rus.
Sakaq, mëngjesin e sotëm Kirill pritet që nga çasti në çast të takojë sërish presidentin Meta, e më vonë edhe kryeministrin Edi Rama.
Në fund të vizitës së tij në Tiranë, Kirill do të vizitojë dhe Manastirin e Shën Vlashit në Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu