Shqiptarët vërshojnë me pushime jashtë: Nuk do e besoni sa kanë shkuar në Bullgari dhe Antalja
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve në radhë të parë që të shijojnë pushimet në vendin e tyre.
Por teksa numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, ka njohur rritje, vetë shqiptarët po i largohen vendit tonë.
Ministrja e Turizmit në Bullgari ka konfirmuar se më shumë se 34 mijë shqiptarë kanë vizituar këtë vend për vitin 2017.
Bullgaria është një destinacion relativisht i ri, por shumë shqiptarë po e zgjedhin atë për pushime për shkak të çmimeve të lira dhe cilësisë së mirë.
Ministrja Nikolina Angelova thotë se ekziston mundësia që numri i shqiptarëve që vizitojnë Bullgarinë të shtohet akoma më shumë.
Por rekordin e mban Antalja në Turqi.
Të dhënat e Tirana International Airport tregojnë se numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me charter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 63 mijë persona në vitin 2017, me një rritje të fortë prej 53% në krahasim me një vit më parë.
Në gati dy vjet, shqiptarët që preferojnë të shkojnë me pushime në Turqi pothuajse janë dyfishuar. Në 2015-n, numri i pasagjerëve që udhëtuan me charter ishte rreth 35 mijë. Ai shënoi rritje me 18% një vit më pas, në 2016-n, edhe pse Turqia u përfshi në një valë terrorizmi, që largoi pushuesit e huaj, por jo ata shqiptarë, që u joshën nga tarifat më të ulëta. Ndërsa në 2017-n, kur situata u qetësua, rritja ishte edhe më e lartë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu