Është metali më i çmuar dhe të gjitha shtetet e botës e kanë përdorur gjithmonë për këmbimet valutore.
Sasitë e rezervave të tij bëjnë ndryshimin midis një ekonomie të fuqishme dhe të dobët.
Shpeshherë është bërë mollë sherri dhe ka krijuar konflikte. Për të është derdhur gjak dhe ka shkaktuar lakmi të pafundme.
Të gjithë e duan dhe e ëndërrojnë.
Kallëpet e tij janë kthyer në simbolin e pasurisë dhe të pushtetit. Për sundimtarët më antik, diktaturat e deri tek demokracitë e sotme liberale, është shndërruar në armën më të fortë dhe e kanë përdorur për të gjitha qëllimet e mundshme.
Ka qenë gjithmonë benzina që ushqente motorët e zhvillimit dhe pesha e tij shpeshherë ka qenë më e rëndë se ç’duket dhe ka vendosur fatin e shumë luftërave, duke bërë që shigjeta e peshores të anojë andej prej nga janë derdhur edhe sasitë më të mëdha.
Më poshtë po iu rendisim 15 fakte që ju nuk i keni ditur mbi arin.
1- Sipas një studimi të universitetit të Bristol (Britani e Madhe) dhe universitetit Munster (Gjermani), i publikuar në revistën Nature, ari dhe platini kanë rënë nga qielli 4 miliardë vite më parë, falë një bombardimi meteorësh që zgjati 200 milionë vite me radhë.
“Nëse do të ishim në gjendje – shkruajnë shkencëtarët Matthias Willbold dhe Thorsten Kleine – të zbresim 3 mijë kilometra në thellësi, për të arritur në qendër të Tokës dhe të rikuperonim të gjithë arin dhe platinin që është depozituar, mund të mbulonin sipërfaqen e planetit me një shtresë të trashë katër metra”.
2- Ari apo floriri është një element kimik me simbolin Au (nga latinishtja aurum) dhe numrin atomik 79. Ari ka me shekuj që përdoret si monedhë, bizhuteri, dhe ne vepra arti. Ari është përcjellësi më i mirë i elektricitetit dhe nxehtësisë. Ari gjithashtu vlerësohet për aftësinë e tij për t’u mos u ndryshkur me kalimin e kohës.
3- Përse është ari i artë?
“Ngjyra e artë e arit ka qenë një mister deri kohët e fundit”, thotë profesori kimist Andrea Sella. Sekreti qëndron në strukturën e tij atomike. Mekanika kuantike e vetme nuk i jep dot shpjegim. Kur e sheh arin nga brenda zbulon se atomi është shumë i rëndë dhe se elektronet lëvizin aq shpejt, saqë duhet të përfshish në studim teorinë e relativitetit të Ainshtajnit dhe matematikën. Vetëm kur bashkon mekanikën kuantike me relativitetin, atëherë mund ta kuptosh ngjyrën e artë të arit.
Sikundër nga metalet e tjerë që në gjendje të pastër e reflektojnë dritën direkt mbrapsht, molekulat e arit luajnë nga pak. Si rezultat, ari absorbon pak nga drita blu e spektrit, duke i dhënë dritës që reflekton ngjyrën e artë dalluese.
4- Banka Federale e SHBA-ve, Fed, ka rezervën më të madhe të arit në botë, 8.133,5 tonelata. Amerikën e ndjek Gjermania me 3.387,1 tonelata), më pas vjen Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me 2.851,8 tonelata, Italia me 2.451,8 tonelata dhe Franca ka 2.435,4 tonelata. Kina renditet e shtata edhe ose është vendi i parë prodhues dhe importues i arit në botë.
5- Ari me siguri është metali i parë që është punuar nga njeriu prehistorik. Objektet dekorative prej ari të gjetura në Bullgari datojnë që në vitin 4000 para Krishtit, prandaj epoka e arit përkon me epokën e gurit.
6- Në shekullin e 7-të para Krishtit dentistët në Itali përdornin tela ari për të ngjitur dhëmbë fallco dhe filluan t’i mbushnin dhëmbët me ar që në shekullin e 16-të.
Për më shumë se 70 vite, trajtimi standard për artritin reumatik ishin gjilpëra prej ari të lëngshëm, të cilat nuk lejonin irritimin. Doktorët ende nuk e dinë se pse.
7- Kur spanjollët zbritën në Peru në vitin 1532, Perandoria Incan kishte një prej koleksioneve më të mëdha të arit të grumbulluar. Kur mbreti Atahuallpa u zu rob nga pushtuesit, ai ofroi si haraç ta mbushte një dhomë të stërmadhe plot me ar. Spanjollët e vranë gjithsesi. Fjala asteke për ar është “teocuitlatl, e cila do të thotë “sekretimi i perëndive.
8- Në një iPhone ka rreth 0,03 gramë ar. Të gjitha pajisjet tona hi-tech përmbajnë një pjesë të vogël të metalit të çmuar dhe në YouTube ka me qindra video të kërkuesve të arit që shpjegojnë se si mund ta merrni arin.
Sidoqoftë, Apple në 2015, nxorri 1 tonë ar (vlera 400 milion dollarë) nga iPhone dhe Ipad e përdorur, që rikuperohen përmes Apple Store që tërheqin aparatet e vjetra.
9- Conrad Reed gjeti një copë të madhe ari në fermën e babit në North Carolina në vitin 1799, zbulimi i parë i dokumentuar i arit në Shtetet e Bashkuara. Babai i Reed ia shiti argjendarit për 3.50 dollarë, më pak se një e mijta e vlerës së vërtetë. Në ditët e sotme ajo copë ari vlen më shumë se 100 mijë dollarë. Reed është i pari që hapi minierën e parë tregtare të arit në SHBA.
10- Ari është jashtëzakonisht i farkëtueshëm dhe i punueshëm. Vetëm 30 gram ar mund të shndërrohet në një fletë të tejdukshme me trashësi një e pesëmilionta e një centimetri. E njëjta sasi mund të shndërrohet në një tel 50 milje të gjatë me një trashësi sa një e dhjeta e flokut të njeriut.
11- Metali është gjithashtu i pashkatërrueshëm dhe ka fituar vlerë në histori, prandaj njerëzit e kanë ricikluar. Rreth 85 për qind e arit të gjetur ende përdoret dhe sot.
12- Ari është i “gjelbër”. Dritaret në disa ndërtesa janë të veshur me ar për të ndihmuar reflektimin e diellit në verë dhe ruajtjen e nxehtësisë në dimër. Por mënyra për ta nxjerrë metalin nuk është kaq e gjelbër. Minat e arit përhapin cianik në ujë, nitrogjen dhe oksid sulfurik në ajër. Në vitin 2000, një mbetje cianiku në një minierë në Rumani ndoti burimin nga pinin 2.5 milionë njerëz.
13- Rezervuarët më të mëdhenj të arit në sipërfaqen e tokës, rreth 10 miliardë ton, ndodhen në oqeane. Për fat të keq, nuk ekziston asnjë mënyrë praktike për ta nxjerrë.
14- Kjo sasi është një thërrime rëre në krahasim me sasinë e arit që gjendet në hapësirë. Në vitin 1999, anija kozmike “NEAR” tregoi se një asteroid i vetëm, “Eros”, përmbante më shumë ar nga sa është gjetur në Tokë.
15- Lajmi i fundit është edhe më i keq. Nuk ekziston asnjë mënyrë për ta tërhequr arin e hapësirës.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu