Akupunktura kuron spondiliartrozën dhe nervin shiatik
Akupunktura është pjesë përbërëse e rëndësishme e mjekësisë tradicionale kineze. Në fillim ajo ishte vetëm një mënyrë e mjekimit, por më vonë u bë një degë shkencore. Akupunktura është një shkencë që studion teknikën e mjekimit me akunpukturën dhe ligjin e teorinë bazë gjatë përdorimit të saj në klinikë. Akupunktura ka një histori të gjatë. Në libra të kohëve të lashta përmendet më se njëherë gjilpëra e gurtë primitive. Kjo gjilpërë e gurtë kishte dalë në periudhën e neolitit 4000 deri 8000 vjet më parë. Në zbulimet arkeologjike të Kinës u zbulua gjilpëra e gurtë. Në periudhën e pranverës dhe vjeshtës (vitet 770 – 476 para erës sonë), mjekësia u lirua nga zgjedha e shamanëve dhe filloi të kishte mjekë profesionistë. Sipas shënimeve në librin e kohëve të lashta “Chun Ke Zuo Shi Zhuan”, kur mjekonte perandorin Jin Jinggong, mjeku i njohur Yi Yuan i tha se në rast se akupunktura dhe barnat nuk kishin efekt, atëherë mos i përdorim. Gjatë periudhës nga mbretëritë ndërluftuese deri në dinastinë Han perëndimor (vitet 476 – 25 para erës sonë), me përparimin e teknikës së shkrirjes së hekurit, gjilpërat prej metali u përhapën gradualisht dhe zëvendësuan dalëngadalë ato të gurta, duke zgjeruar përmasat e përdorimit të akupunkturës dhe duke shpejtuar zhvillimin e saj. Gjatë periudhës së dinastisë Han lindor dhe të 3 perandorive, kishin dalë shumë mjekë të aftë në mjekimin me akupunkturë dhe u vu në qarkullim libri i posaçëm i akupunkturës me sistem të plotë, “Zhen Jiu Jia Yu Jing” (Klasikët A dhe B të akupunkturës dhe të moksibuscionit”) i shkruar nga Huang Fumi. Gjatë periudhës së dinastive Jin perëndimor dhe Jin lindor dhe dinastive të Jugut dhe të Veriut (vitet 256-589), u shtuan dukshëm vepra të posaçme mbi akupunkturën dhe gjatë kësaj kohe, akupunktura u përhap në Kore, Japoni dhe në vende të tjera. Gjatë periudhës së dinastive Sui dhe Tang (581-907), akupunktura u bë lëndë e posaçme mësimore, në zyrën e mjekëve të oborrit perandorak, institucioni arsimor i mjekësisë të asaj kohe, kishte degën e akupunkturës. Më vonë, akupunktura mori një zhvillim të gjerë dhe të thellë. Në shekullin e 16-të, akupunktura filloi të përhapej në Evropë. Por në dinastinë Qing, punonjësit mjekësorë u kushtonin më shumë rëndësi ilaçeve dhe më pak rëndësi akupunkturës, duke penguar kështu në një farë shkalle zhvillimin e akupunkturës. Pas shpalljes së RP të Kinës në vitin 1949, akupunktura ka marrë një zhvillim shumë të madh. Tani në më shumë se 2 mijë spitale të mjekësisë tradicionale kineze në mbarë vendin ka degë të akupunkturës. Studimet shkencore mbi akupunkturën kanë prekur të gjitha sistemet trupore dhe degët e ndryshme klinike, dhe janë grumbulluar shumë të dhëna të vlefshme të eksperimenteve shkencore në studimet e rolit rregullues të akupunkturës, në pushimin e dhembjeve, në shtimin e imunitetit, si dhe në studimet e problemeve përkatëse lidhur me meridianët, me pikat nervore, me organet e brendshme etj.
Akupunktura për spondiliartrozën dhe nervin shiatik
Nervi shiatik është ai nerv që inervon muskujt e pasmë të kofshës dhe të kërcit. Shtypja e këtij nervi nga një hernie diskale që del nëpërmjet vertebrës së 5-të lumbare dhe të parës sakrale (L 5- S 1), jep dhimbje që përhapet në të gjithë pjesën ku kalon ai. Kur hernia diskale del nëpërmjet vertebrës së 4-ët lumbare, dhe vertebrës së 5-të lumbare, ajo shtyp nervin e 5-të lumbar dhe vertebrës së 1-rë sakrale (S1). Simptomat e kësaj sëmundje janë: mpirja e gjymtyrëve të poshtëm (këmbëve), dhembje e fortë dhe pamundësi ecje në distanca të gjata.Në varësi të vendndodhjes së dhimbjes në këmbë, nëse është në pjesën e përparme, mbrapme apo anësore, kjo do të përcaktojë pikat e akupunkturës të cilat do të përdoren për këtë problem. Ka disa shkaqe pse ndodh kjo sëmundje. Për shembull, shpretka në teorinë tradicionale kontrollon muskujt dhe indet, prandaj nëse shpretka është e dobët në një farë mënyre, do të kemi edhe dobësim të muskujve dhe të kockave, të cilat mund të mos jenë në vendin ku duhet të ishin, dhe kështu kemi një bllokim të rrjedhjes së energjisë. Akupunktura ndihmon në rivendosjen e energjisë të lëvizë ndërmjet nervave dhe nxit qarkullimin e gjakut dhe kështu nxitet aftësia ripërtëritëse e trupit, duke mundësuar vetëshërimin. Nga ana tjetër, mjekësia perëndimore i përshkruan medikamentet anti-inflamatore si relaksues të muskujve. Narkotikët gjithashtu mund të ndihmojnë në lehtësimin e përkohshëm të dhimbjeve. Shumë pacientë i drejtohen akupunkturës pasi janë trajtuar për një kohë të gjatë me medikamente, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme ose kanë dhënë shumë efekte anësore. Gjithashtu, ka patur një sërë studimesh dhe kërkimesh të shumta lidhur me efikasitetin e akupunkturës për lehtësimin e dhimbjeve, duke përfshirë edhe ato të dhimbjeve të mesit dhe nervit shiatik. Nga kërkimet e mjekësisë perëndimore ka rezultuar se akupunktura mund të të lëshojë endorfinat, duke çuar në reduktimin e dhimbjeve. Akupunktura e ka trajtuar me sukses Nervin Shiatik për një periudhë mbi 2000 vjeçare.
Spondiliartroza
Spondiliartroza, spondylitis, është një sëmundje kronike që ka të bëjë me dëmtimin e shtresës tendinoze, diskut, që ndodhet midis dy sipërfaqeve artikulare të dy vertebrave fqinje. Ndryshe mund ta quajmë pezmatim (inflamacion) i disqeve vertebrale. Gjithsesi, nga mjekët, sot njihen mjaft mirë faktorët predispozues që ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e saj ku si më të rëndësishme përmenden ato mekanike, deformimet e shtyllës kurrizore prej pozicionit që ne i japim trupit. Prandaj, shpesh mund të na bie të dëgjojmë që për spondiliartrozë ankohen njerëz, të cilët punojnë me ngarkim-shkarkim peshash të rënda apo ata që kanë punë ulur (ndryshe, në shqip, kjo sëmundje është quajtur sëmundja e llogaritarit). Kjo sëmundje prek më shpesh dy segmente të shtyllës kurrizore: atë të qafës (cervikale) dhe atë të mesit (lumbale dhe sakroiliace). Si rezultat i dëmtimit të disqeve intervertebrale, me kalimin e kohës këto të fundit dalin jashtë vertebrave, shtypin nervat dhe tufat nervore që ndodhen me shumicë në anën anësore të shtyllës duke shkaktuar kështu dhimbjen. Kjo e fundit, në mjaft raste, sidomos në ato të acarimit të gjendjes është e intensitetit të lartë. Lokalizimi i dhimbjes varion në varësi të lokalizimit të vetë spondiliartrozës. Në prekjen e qafës, dhimbja është e lokalizuar në qafë, që shpërndahet më pas në supe, në krahët dhe shpesh në pjesën e pasme të kokës. Spondiliartroza, krahas disqeve intervertebrale mund të prekë edhe tendinat e muskujve në vendin e fiksimit të tyre në kocka. Kjo shpërndarje e procesit inflamator (pezmatim-it), së bashku me dëmtimin e indit nervor fqinj shpjegon përhapjen e dhimbjes në indet përreth vertebrave. Diagnoza e sëmundjes vendoset në bazë të ankesave të pacientit, ekzaminimit objektiv të tij nga ana e mjekut dhe ekzaminimit radiologjik (rrezet rëntgen ose X) të shtyllës kurrizore. Medikamentet që parandalojnë avancimin e sëmundjes apo ndihmojnë edhe në lehtësimin e dhimbjes janë kryesisht Ibuprofeni, diklofenek dhe naproxen. Fatkeqësisht këto medikamente kanë efekte anësore, duke përfshirë irritime të lëkurës, ekzemë, probleme kardiovaskulare, si dhe probleme me stomakun dhe veshkat. Siptomat më të zakonshme përfshijnë dhimbjen, lodhjen etj, të cilat zakonisht përkeqësohen në mot të vranët ose në ditët me shi, po ashtu edhe gjatë një ndryshim të papritur të motit. Studiuesit Drs. Hou dhe Liu në vitin 2004 treguan se teknikat e veçanta të akupunkturës si ‘metoda e gjilpërës së ngrohtë’ japin një rezultat më të mirë se një metodë e thjeshtë akupunkture. Spondiliartroza shihet si një i “ftohtë që ka mbërthyer kockat”; trajtimi përfshin nguljen e gjilpërave të akupunkturës në zonat e lokalizuara të dhimbjes duke e ndërthurur edhe me metodën e moxibustionit. Hulumtimi ka dëshmuar se aplikimi i akupunkturës së bashku me moxibustionin ka patur rezultate më të mira se aplikimi i një seance të thjeshte akupunkture. Është e rëndësishme të theksohet se pika të tjera akupunkture tek krahët dhe këmbët përdoren gjithashtu. Këto njihen si pika skajore, të cilat janë pika akupunture që gjenden larg nga vendi i problemit shëndetësor. Për shembull, pikat e akupunturës në kyçin e dorës janë të njohura për lehtësimin e kyçeve të ngrira në të gjithë triupin dhe jo vetëm për kyçin e dorës. Hulumtimet mbi akupunkturën për spondiliartozën kanë treguar zbutje të dhimbjes, nivelet e ESR-së ishin përgjysmuar, proteina C-reaktive e reduktuar me 25%, etj.
Si i shëron sëmundjet akupunktura?
Sipas filozofisë tradicionale kineze çdo trup i universit konsiston në cilësi të barabarta dhe të kundërta: yin dhe yang. Kur yin dhe yang janë të pabarabarta, mund të lindë sëmundja. Nëpërmjet nguljes së gjilpërave të holla, një akupunkturist mund të nxitë kundërpërgjigjen shëruese të trupit dhe të vendosë ekuilibrin natyror. Sipas kërkimeve shkencore, ngulja e gjilpërave mund të nxitë trurin të prodhojë endorfinë dhe kështu dhembja qetësohet. Akupunktura jo vetëm ngre aftësinë e njerëzve në luftimin e sëmundjeve, por, gjithashtu, përmirëson edhe sistemin e sjelljeve nervore dhe rregullon presionin e gjakut, pulsin dhe shumë reagime të tjera psikologjike. P.sh., terapia e akupunkturës së veshëve është përdorur për të kuruar abuzimin me drogë, me të cilën janë stimuluar pika të sigurta akupunkture. Pas trajtimit shumë pacientë ndjehen të çlodhur, oreksi i tyre përmirësohet dhe jashtëqitja rregullohet. Një tjetër vlerë klasike e MTK-së është teoria e jingluo-s (teoria e kanaleve kryesore dhe paralele). Kinishtja përdor termin jingluo për të përshkruar kanalet, përcjellësat, meridianët etj. Sipas akupunkturës këto janë kanale të padukshme, nëpërmjet të cilave qarkullon në trup energjia vitale. Pikat e akupunkturës janë vendet ku kjo energji vitale ngrihet afër sipërfaqes së trupit dhe, ngaqë kemi të bëjmë me kanale të padukshme, nëpër të cilat qarkullon kjo energji vitale, kur një person sëmuret, shfaqen reaktorë të tillë si dhembja, ënjtja etj. Ngjyra, temperatura dhe paraqitja e lëkurës së pjesëve të trupit të personave të sëmurë me ato korresponduese të personave të shëndetshëm është e ndryshme. Nëpërmjet vëzhgimit dhe prekjes së reaktorëve të tillë, doktorët mund ta trajtojnë efektivisht sëmundjen. Për të vendosur barazpeshën në trupin e njeriut, akupunkturisti stimulon ato pika të akupunkturës që do të kundërveprojnë ndaj mosbarazpeshës. Kështu, nëse njerëzit kanë energji vitale të palëvizshme, praktikuesi do të zgjedhë pika të veçanta për ta stimuluar atë. N.q.s. energjia vitale është shumë e ftohtë, ai do të zgjedhë pika që e ngrohin atë. N.q.s.energjia vitale është e bllokuar, ai do ta shbllokojë atë. Në këtë mënyrë akupunktura mund të ribarazpeshojë sistemin e energjisë, mund të rivendosë shëndetin, madje, mund edhe të parandalojë zhvillimin e sëmundjes.
Disa zbatime të akupunkturës
1. Akupunktura zusanli zgjat 15 deri në 30 minuta, kryhet një herë në ditë dhe është e mirë për ruajtjen e shëndetit dhe për jetëgjatësinë. Zusanli është një pikë akupunkture në këmbë. Është rreth 3 cuns (1 cun = 0,033 m) ose rreth 4 gisht gjërësi poshtë gjurit, paralel me fundin e kupës së gjurit.
2. Akupunkturë për trajtimin e etheve: gjilpërëzim në shixuanxue për 0,1 cun. Shixuanxue është një pikë akupunkture në majë të gishtave. Ajo është rreth 0,1 cuns mbi thonj.
3. Akupunkturë për trajtimin e dhimbjeve të kokës, të dhëmbit ose të shpinës: gjilpërëzim në yuanxue për 0,5 deri 1,0 cuns. Në këtë rast edhe moxibustioni mund të jetë i aplikueshëm. Megjithatë, gratë shtatzëna nuk duhet t’i nënshtrohen trajtimit me akupunkturë. Yuanxue është një pikë akupunkture në kurrizin e dorës ndërmjet kockës së parë e të dytë metakarpale, në mes të pjesës së jashtme të kockës së dytë metakarpale.
Të gjitha aplikimet mund të kryhen vetëm nga mjekë të pajisur me leje profesionale. Vetaplikimi nga lexuesit është krejtësisht i parekomandueshëm.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu