Radar
Sa kushton kursi i patentës në Shqipëri?
Sa kushton kursi i marrjes së patentës
Për të gjithë ata që nuk kanë marrë ende lejen e qarkullimit ose siç njihet ndryshe patentën, gazeta “Albania” iu vjen në ndihmë duke sjellë procedurën e plotë që ndiqet në të tilla raste. Sipas ndryshimeve më të fundit që janë bërë në procedurë kursantëve u duhen dokumente më vetë për kursin e teorisë dhe për kursin e praktikës. Këto ndryshime kanë rritur shanset për të marrë patentën duke e shtuar mundësinë e hyrjes në provim në pesë herë.
Provimet
Kursi i marrjes së patentës është i konceptuar në dy faza të ndara nga njëra-tjetra. Në radhë të parë do të bëhet kursi teorik, i ndarë nga ai praktik, i cili do të kushtojë 150 mijë lekë të vjetra. Rezultati i fazës së parë do të kushtëzojë të dytin, i cili është provimi i praktikës për dhënien e automjetit. Po nuk more të parin, nuk mund të hysh në kursin e dytë. Në procedurat e kaluara, të dyja provimet kryheshin bashkë dhe zgjasnin rreth një muaj, ndërsa tani, secila do të ketë pjesën e saj. Kursi i dhënies së automjetit, ose siç quhet ndryshe patenta, përbëhet nga 20 seanca dhe do të kushtojë rreth 20 mijë lekë. Duke përfshirë dhe koston e kartonit, në 100 mijë lekë, i gjithë kursi do të kushtojë minimalisht 450 mijë lekë, por, gjasat janë për një rritje të mëtejshme të çmimit. Më parë praktikantit i viheshin në dispozicion vetëm tri mundësi për të dhënë provimin, ndërsa tani nuk ka më limit.
Udhëzimi
Qeveria ka miratuar vetëm pak kohë më parë rregullat e reja që duhet të ndjekin personat që duan të pajisen me lejen e qarkullimit të mjeteve rrugore. Procedura për t‘u pajisur me patentën e qarkullimit të mjeteve do të zgjasë një vit. Si fillim, personat e interesuar duhet të kalojnë provën e njohurive teorike me rezultat pozitiv për të filluar përgatitjen në ushtrimin e drejtimit të mjetit në rrugë. Për këtë procedurë është bërë edhe ndarja e përgatitjes dhe provës së teorisë dhe përgatitja dhe prova e praktikës. Tashmë me rregullin e ri, do të ketë edhe një avantazh për aplikantët e kursit të patentës. Personat e interesuar për t‘u pajisur me patentën e qarkullimit nuk do të kenë më tri mundësi provash për ta marrë këtë leje, por ky numër është rritur në pesë. Kursi do të jetë njëvjeçar dhe, nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen teorike dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të regjistrimit. Keshilli i Ministrave ka vendosur që komisioni i marrjes në provë për kontrollin e njohurive teorike duhet të ketë dy anëtarë, inxhinierë mekanike. Gjithashtu, në komision mund të marrë pjesë, pa të drejtë vote, drejtuesi teknik i autoshkollës, që ka përgatitur personat e interesuar, për provën e kontrollit të njohurive teorike. Komisioni i marrjes në provë të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes duhet të ketë, detyrimisht, dy anëtarë inxhinierë mekanike, të pajisur me të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit dhe të autorizuar nga DRSHTRR-ja. Komisioni merr në provë personin e interesuar, në prani të instruktorit të tij të praktikes. Komisioni i marrjes në provë të kontrollit të njohurive teorike dhe komisioni i marrjes në provë të verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes kanë për detyrë, respektivisht, të vlerësojnë njohuritë teorike dhe të kontrollojnë njohuritë praktike të sjelljes së personit të interesuar, sipas programeve të kategorive të lejeve të drejtimit, të percaktuara nga ministria, që mbulon veprimtarinë përkatëse. Modeli dhe formulari i testeve të njohurive teorike, sipas kategorive të lejeve të drejtimit, përgatiten nga DRSHTRR-ja. Modeli i testeve ndryshohet në vazhdimësi. DRSHTRR-ja duhet të njoftojë autoshkollat 30 ditë përpara se të zbatojë modelet e reja për provën e kontrollit të njohurive teorike të personave të interesuar. Në përfundim të provave, për çdo person të interesuar, që fiton lejen e drejtimit, plotësohet dosja përkatëse. Mbi të vendoset emri, mbiemri, atësia, amësia, datëlindja, vendlindja, vendbanimi dhe numri i protokollit. Dosja, me të gjitha dokumentet, ruhet në kartotekën e sektorit përkatës, të DRSHTRR-së.
Dokumentacioni për të filluar kursin e teorisë
1-Plotësimi i kërkesës për të marre pjesë në provë, sipas modelit të hartuar nga DRSHTRR-ja
2- Katër fotografi me ngjyra, me përmasa 4×5
3- Dokumenti i identifikimit (certifikatë lindjeje, me fotografi ose kartë identiteti dhe për shtetasit e huaj, pasaportë)
4- Vërtetim banimi
5- Certifikatë mjekësore, jo më përpara se tri muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për të marrë pjesë në prova
6- Dokumenti i përcaktimit të grupit të gjakut dhe rezusi
7- Lejedrejtimi i automjetit të kategorisë së mëparshme (në qoftë se ka)
8- Mandatpagesa, për çdo dalje në provë të kontrollit të njohurive teorike, sipas tarifave në fuqi
Dokumentacioni për të filluar praktikë
Kërkesa për të marrë pjesë në provë, sipas modelit të hartuar nga DRSHTRR-ja
Autorizimi i ushtrimit të drejtimit të mjetit, përcaktuar sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse, të lëshuar nga DRSHTRR-ja dhe të plotësuar nga autoshkolla
Mandatpagesa për çdo dalje, në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes
Mandatpagesa për lejedrejtimi, e cila caktohet në bazë të tarifave në fuqi, plus taksën e pajisjes me lejedrejtimi, në varësi të kategorisë së lejedrejtimit
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu