Kanadaja ka njoftuar ndryshime rrënjësore në politikën ndaj emigracionit, duke pranuar për të dytin vit radhazi, 305 mijë emigrantë. Në paketën e miratuar nga qeveria kanadeze, shteti i Amerikës së Veriut do të mirëpresë 75 mijë refugjatë lufte, azilantë politikë nga vende në konflikte , ku 25 mijë prej të cilëve do të jenë sirianë dhe pjesa tjetër, pra 50 mijë, nga vende të tjera në konflikte. Gjithashtu, qeveria miratoi edhe14 mijë bashkime familjare. Sa i përket pjesës tjetër, ata do të jenë studentë me ose pa bursa apo profesionistë e punëtorë të cilët kanë deri në 5 vjet që jetojnë dhe punojnë rregullisht në Kanada. Këta të fundit do të mund të aplikojnë për të marrë statusin e rezidentit të përhershëm në Kanada dhe nënshtetësinë.
Sipas ministrit të Emigracionit, John Mçallum, programi për “Punëtorët e Huaj” ka dështuar dhe shumë kompani kanë shfrytëzuar statusin e tyre për të marrë punëtorë fiktivë duke favorizuar emigracionin e paligjshëm. Ai tha se do të ketë ndryshime edhe në këtë drejtim, sidomos programi i “Punëtorëve të huaj të përkohshëm” ku ka pasur shumë abuzime, sidomos me persona të rekrutuar nga Evropa Juglindore.
Megjithatë, ministri paralajmëroi rregulla strikte dhe për sirianët. Ai tha se çdo sirian që do të hyjë në Kanada do të vëzhgohet për një periudhë të gjatë kohore përpara se të vendoset nëse do të qëndrojë përgjithmonë ose jo. Ministri ndër të tjera theksoi se një program i ri për nënshtetësitë kanadeze pritet të fillojë punën këtë vit. Sipas tij, nuk mjafton vetëm që të kesh punuar 5 vjet rregullisht në Kanada dhe të jesh në rregull me dokumentet për të marrë nënshtetësinë. Ministri shton se çdo individ kandidat për të marrë nënshtetësinë, duhet të jetë adaptuar me kulturën, ligjin dhe jetën në Kanada, diçka që sipas tij nuk e tregojnë dokumentet.
Rregullorja
Sipas rregullores që ka përcaktuar qeveria kanadeze, aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Intervista zhvillohet në Konsullatën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Ky kontroll duhet të bindë Ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Disa Ambasada pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij. Nga ana tjetër, që Ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.
Objektivat e qeverisë dhe kriteret
Kanadaja është një vend që është krijuar dhe zhvilluar nëpërmjet emigracionit. Pavarësisht nga shifrat shumë të larta, në përgjithësi, dyert për emigrantë nga e gjithë bota kanë qenë gjithmonë të hapura. Vetëm në vitet e fundit, Ministria e Emigracionit ka përcaktuar si kuotë- objektiv shifrën 225 mijë emigrantë, që duhet të pranohen çdo vit në Kanada. Kriteret e pranimit të emigrantëve të pavarur, të vetëpunësuarve, sipërmarrësve dhe investitorëve u aprovuan në maj të vitit 1997. Këto kritere janë aktualisht në fuqi dhe është e nevojshme që çdokush që është i interesuar të emigrojë në këtë vend të njihet me to para se të fillojë aplikimin. Duhet thënë që procesi i aplikimit ka koston e vet dhe njohja me kushtet e aplikimit është domosdoshmëri në mënyrë që të shmangen shpenzimet e panevojshme nga ata që nuk i plotësojnë kushtet për të fituar aplikimin. Objektivi i qeverisë kanadeze është të fusë çdo vit në Kanada njerëz të kualifikuar, që me eksperiencat e tyre profesionale të mund të kontribuojnë në mënyrë produktive në përparimin ekonomik të këtij vendi.
Profesionet dhe sistemi i pikëve, ja kush favorizohet
Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh. Profesionet më të kërkuara janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues. Pasi të keni identifikuar profesionin, do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme.
Pikët
Shteti kanadez për të vlerësuar emigrantët e mundshëm përdor sistemin e vlerësimit me pikë. Duke u bazuar në pikët që do të mblidhen, aplikantët krijojnë një ide, se sa të favorizuar janë për të fituar një vizë punësimi në Kanada. Faktorët kryesorë për vlerësimin me sistemin e pikëve janë: mosha, niveli i arsimit, vlerësimi për edukimin e nevojshëm për profesionin (ETF), profesioni që do të ushtroni në Kanada, përvoja e punës, aftësitë në gjuhën angleze dhe frënge, faktori demografik (i përcaktuar 8 pikë), aftësia për t’u përshtatur a integruar në Kanada si dhe të afërmit që jetojnë atje. Sa i përket moshës, personat nga 21 deri 44 vjeç, marrin pikët maksimale, 10 pikë. Për sa i përket arsimimit, komisioni i vlerësimit jep18 pikë ata që kanë diplomë Master apo Doktoraturë, 15 pikë personat që kanë diplomë Bachelor, 13 pikë për ata që kanë mbaruar të paktën një vit universitet dhe 10 pikë për ata qe kanë mbaruar vetëm gjimnazin apo shkollën e mesme profesionale.
Më të favorizuarit, sipas këtij drejtimi janë grupi i parë dhe i dytë i aplikantëve. Për vlerësimin e arsimimit të kërkuar për profesionin (ETF), përcaktimi i pikëve bëhet në bazë të profesionit dhe ky vlerësim bëhet nga një komision i quajtur “Human Resources Canada Center”. Sipas profesionit, që individët fitues do të ushtrojnë në shtetin e Amerikës Veriore, vlerësimi me pikë për profesionin është i përcaktuar në një listë të përcaktuar që quhet: “General Ocupation List”. Lidhur me përvojën e punës, vlerësimi në pikë bëhet në varësi të pikëve që merr profesioni në listën e përcaktuar të ETFsë. Për shembull nëse profesioni ‘arkitekt’ merr 15 pikë në ETF, për një vit pune jepen 2 pikë, për 2 vite 4 pikë e kështu me radhë. Aftësia për t’u përshtatur është një faktor që përcaktohet nga oficeri i imigracioni, i cili i merr aplikantët në intervistë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu