Radar
Dy hapat për të fituar një vend pune të rregullt në Gjermani

Shtetasit shqiptarë mund të marrin një vizë punësimi në Gjermani, nëse kanë një kontratë formimi profesional apo punësimi për një vend të caktuar pune në Gjermani dhe nëse punëdhënësi i tij i ardhshëm interesohet pranë Zyrës së Punës në Gjermani për të marrë lejen e punës për këtë shtetas. Zëvendësministrja shqiptare e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Mara-Sula tha për radion Deutche Welle se të punësuarit me leje të rregullt pune në Gjermani do të kenë të njëjtin trajtim financiar si dhe shtetasit gjermanë.
Së fundmi ka një ndryshim ligjor nga autoritetet gjermane për nxitjen e punësimit me dokumente të rregullta të të interesuarve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Gjermani. Sa favorizuese është kjo për qytetarët shqiptarë, që kërkojnë të punësohen në Gjermani?
Më 24 tetor 2015 është miratuar ligji i ri për emigrimin e ligjshëm nga vendet e Ballkanit në Gjermani, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2016. Me këtë ligj janë favorizuar shtetasit e vendeve Ballkanike duke modifikuar disa kritere që kanë rezultuar penguese deri tani, siç kanë qenë kualifikimi i një niveli të lartë të aplikuesve dhe sigurimi i një kontrate me pagesë mujore, jo më pak se 4500 euro në muaj. Pra, prej janarit 2016, në bazë të këtij ligji të ri, çdo shtetas shqiptar që siguron një kontratë të rregullt punësimi, apo formimi profesional në Gjermani, ka të drejtë të aplikojë për një vizë pune pranë autoriteteve gjermane.
Duke e konkretizuar çështjen, nëse një shtetas shqiptar është i interesuar për t’u punësuar në Gjermani, çfarë kushtesh duhet të plotësojë dhe çfarë proçedurash duhet të ndjekë?
Për të qenë dhe unë konkrete, sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë mund të marrin një vizë punësimi në Gjermani, nëse ndjekin këto kushte dhe ndjekin këto hapa: 1. Kanë një kontratë formimi profesional apo punësimi për një vend të caktuar pune në Gjermani; 2.Punëdhënësi i tij i ardhshëm interesohet pranë Zyrës së Punës në Gjermani për të marrë lejen e punës për këtë shtetas. Këtu duhet të konstatohet se, së pari, për këtë vend të lirë pune nuk është i përshtatshëm askush nga aplikantët nga Gjermania ose BE-ja; së dyti, kushtet e punës janë të njëjta me ato të shtetasve gjermanë dhe paga gjithashtu do të jetë aq sa paguhet një gjerman për të njëjtën punë. Vetëm pasi punëdhënësi të ketë sqaruar këto çështje me autoritetet në Gjermani, shtetasi shqiptar duhet të marrë dokumentat përkatëse – plotësuar si e shpjegova më sipër – mund të aplikojë për vizë pune në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Njohja e gjuhës gjermane e çertifikuar është një nga kërkesat e domosdoshme për të emigruar në Gjermani. Kjo është e rëndësishme për të lehtësuar integrimin dhe për të mundësuar një formim a punësim sa më produktiv të të punësuarve.
Atëherë, nëse unë jam një person i interesuar, ku duhet të drejtohem?
Ka disa kanale komunikimi dhe informimi të përshtatshme, p.sh. në kërkimin për një vend pune, i interesuari mund të drejtohet për tek Zyra Qendrore për Ndërmjetësimin me Jashtë, ZAV, me kontakt telefonik hotline: 0049 228 713-1313, ose te Bursa e Punës Online, pranë Zyrës Federale të Punës, përmes adresës virtuale: ëëë.jobboerse.arbeitsagentur. de. Gjithashtu informacione të tjera mund të gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë Federale për Punën dhe Çështjet Sociale: http://www. bmas.de/DE/Presse/Meldungen/2015/ arbeiten-in-deutschland.

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu