Lidhu me ne

Aktualitet

Qeveri e lagur, Shqipëri e përmbytur!

Nga Agron GJEKMARKAJ
Prej dy ditësh, mbi vendin tonë duhia e motit s’ka të ndalur. Pamjet anekënd Shqipërisë janë të trishta! Fuqia e ujit dhe ambicia e tij për të mbuluar territorin e vendit të shpie në kohet e zanafillës kur krijimi i rruzullimit ndodhte mes të tillash pështjellime.
Arka e Noas duket më shumë realitet sesa mitologji, teksa shesh shtëpitë që zhyten gjithnjë e më shumë mes vorbullës. Hyu, natyra dhe papërgjeshmëria ndër vite po e vënë nën tehun e provës së rëndë njeriun e gjorë.
Në krye të herës duhet thënë se qysh ditën kur menduam se jemi të lirë, filluam ta përdorim lirinë me duf dhe egërsi bishash kundër shtratit të lumenjve, pyjeve, kanaleve, duke prishur ekuilibrin e gjithhershëm mes tokës, ujit dhe ajrit, i cili për sa kohë banori nuk grishej nga egoja e shëmtisë apo e dhunimit, i siguronte paqe edhe atij! Sinoret e marrisë nuk kanë të ndalur në turravrapin e zaptimit, aqsa u ndërtua pa asnjë kriter brigjeve të lumenjve dhe fushave në sy të ciklonit.
Për një grusht vota u lejuan matrapazët të gërryejnë shtratin e lumenjve! Për një grusht vota u lejuan vrasësit e lisave, pishave, shkozave e qarrave t’i prisnin ato duke i shndërruar malet, monopatet, zabelet dhe kreshtat në tullace, si koka ushtarësh.
U duhej një grusht vota kudo, në Veri dhe në Jug, në Lindje dhe Perëndim, për të marrë pushtetin, për të sunduar dhe sidomos për t’u pasuruar. Fëmijët e tyre, falë Zotit, nuk janë në rrezik! Fëmijët e tyre, falë Zotit dhe prindërve, apokalipsin dhe dramën e bashkëmoshatarëve të tyre nën ujë apo tek mbledhin krom rrëpirave të Bulqizës e shohin nga ekrani, deri sa, të bezdisur, ndërrojnë stacion në kërkim të një filmi. Për një grusht vota gjithçka tolerohej.
Për një grusht vota jeta dhe katandia e këtyre njerëzve vit pas viti është në rrezik. Gjatë një 27 viteve qeveritë tona lejuan pa dallim ideologjik vdekjen ekologjike të asaj toke ku u ka rënur koka dhe në mënyrë abuzive e thërrasin atdhe. Atdheu për ta është një lopë që e mjelin me radhë! Ndaj retorika politike këto ditë ka ngjyrën e një kërme dhe profumin e saj. Akuzat janë të njëjtat ndër vite. Kur mbytej Shkodra, vite më parë, Opozita e majtë gjuante poshtë brezit, bënte spektakël me dhimbjen dhe fatkeqësinë. Sot ajo është në Qeveri.
Rrota lëvizi e ia behu radha e saj për të pësuar goditjet në vendin delikat Veçse, duhet theksuar një gjë që të ngatërron zorrët në bark. Aftësia e kësaj maxhorance për të bërë propagandë. Në buzë të kraterit të kësaj zezone, Kryeministri dhe ministrat kujdesen maksimalisht të kurojnë imazhin para kamerave. Një dhunti tronditëse kjo, kur pulsi rreh gjetkë. Të shpërndarë andej-këndej “llërë përveshur”, zgjedhin fjalët, qerojnë zërin, rrisin tonalitetin e retorikës, tendosin muskujt e fytyrës për të na vikatur një gjë më të rëndësishme se vetë ekzistenca, atë se “shteti është pranë jush”!
Më pranë rezulton fati apo kuraja personale e gjithsecilit, sesa dërdëllitjet e pushtetit! Kësaj here, Edi Rama nuk iku në Majemi. Nuk duhet të na mungojë kuraja për ta falënderuar. Ai ndenji këtu mes nesh. Ai nga televizioni na mban me gajret deri sa të pushojë shiu. Pastaj do të na qerasë me një kolazh barsaletash, batutash, qyfyresh e hokash për të na kthyer buzëqeshjen e trumhasur nga rrebeshi dhe vërshimi i lumenjve.
Mbetet enigmë në ka reflektuar për mbylljen që u bëri kanaleve ndanë autostradës Tiranë-Durrës. Dystimi i tyre e zbukurimi me palma, të cilat po i grin sosja herë nga ngrica e herë nga uji, përmbyti për herë të dytë këtë arterie kryesore të komunikimit urban, Greta dhe Eni surprizojnë nënën e tyre për ditëlindje, i dhurojnë një diplomë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në makina, individëve, por edhe bizneseve ndanë saj.
Sigurisht do të ishte e pandershme që për llakerdinë e gati tri epokave të fajësojmë Edi Ramën e po kaq për teprinë e kësaj moqave, e cila derdh kazana e rreke ngado, por trajtimi i fatkeqësisë si mundësi për të bërë politikë mbetet i shpifur.
Ministrat me supe të lagura e pa çadër japin dendur intervista ku demonstrojnë sakrificën e tyre vetëmohuese, teksa historia përsëritet. Kjo maxhorancë po hyn në vitin e pestë të qeverisjes dhe duhet ta kishte mësuar tashmë se dimri vjen vetë kësaj anë. Atë nuk e ngah opozita si kalë shale.
Veç në paskësh qenë surprizë politike e rilindjes shndërrimi i Shqipërisë në Venecia, atëherë po që nuk na mbetet tjetër veçse ta admirojmë këtë pamje ku gomonet lundrojnë rrugicave e korsive. Rama nuk na i kursen fotot e heroizmit në kërkim të personazhit pozitiv të socrealizmit. Ai na flet për virtytet virtuale të ekipit të tij. Qytetarët duhet të përzhiten për pikëllimin e tyre më shumë se për dramën e vet. Kamerat po bëjnë maksimumin që ta paraqesin gjithçka si dramë sentimentale të qeverisë! Nuk është hera e parë!
Mbetet për t’u parë se sa do t’i dëmshpërblejë zonat nën katastrofë natyrore! Vjen në qender të debatit pyetja a do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme apo do të mjaftohemi me këshillat e Erjon Velisë se si të mposhtim panikun, si të ndihmojmë njëri-tjetrin, kur të hapim e mbyllim çadrën, të ecim apo jo me nxitim, të pimë kamomil apo çaj mali, si të ngjatetojmë komshinë, ta mbajnë apo ta bëjmë sh….në lumë e plot këshilla të vyera kësodore që darovisin të mirën dhe demoralizojnë të keqen.
Çudi si nuk i buzëqesh qiellit e ta bëjë atë që të na risjellë diellin! Magjia e njeriu të mirë s’ka kufij. Nëse llogaritet koha televizive, më shumë kanë në dispozicion vezirat tanë, sesa njerëzit, të cilëve u sillet koka vranull nga sytë e lemerisur të fëmijëve nën panik. Përtej “heroizmit të qeverisë në shekuj”, Ushtria meriton mirënjohje, pse jo edhe zonja Xhaçka, qe ende e pastërvitur me aktrimin qeveritar, duket se është sintonizuar me përpjekjet e njerëzve që drejton apo më shumë me ata që kanë nevojë për ta.
Çdo gjë tjetër ngjan një skenar i njohur me të gjitha pikat e larta e të ulëta të kurbës së tij. Fajin e ka gjithmonë shiu. Ai është një delenxhi që i duhet zbutur shpina dhe t’i bëhet më e butë se barku. Ndo Zot nuk nervozohen Damjan Gjiknuri dhe Niko Peleshi e ta rrahin me zinxhirë si Mbreti Kserksi detin.
Problemi ynë është qeveria e lagur. Për sa kohë ajo të ketë mushkëritë me ftomë a ndonjë gjë më poshtë, Shqipëria përmbytet e ne do të dëgjojmë vetëm krisma zorrësh! Gjithsesi në këto rrethana Qeveria duhet mbështetur nga të gjithë. Jeta e njerëzve mbi gjithçka. Në shpëtimin e tyre ne duhet të jemi të gjithë bashkë.

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Aktualitet2 orë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar3 orë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Radar7 orë më herët

Emër për emër: Cilët janë deputetët e PS që do jenë në listë të mbyllur, ja kandidatët që mbledhin votat

Ndërsa afrojnë parlamentaret e 11 majit, Partia Socialiste po përgatit listën finale të kandidatëve për deputetë. Duke analizuar formulën e...

Kryesore7 orë më herët

Cilët do të jenë kandidatët e PS dhe PD në 11 maj? Emrat që përfliten në 12 qarqet e vendit

Rama-Berisha Ja emrat më potencialë nga dy partitë kryesore… Sali Berisha dhe Edi Rama kanë futur në ankth deputetët aktualë,...

Kryesore1 ditë më herët

“Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit”, Berisha: Asnjë arritje në 12 vite, i kanë mbetur në gojë zhabat

“Ne paraqesim një projekt që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë”. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha...

Radar1 ditë më herët

“Kanadaja nuk do jetë kurrë amerikane” – Do të zëvendësojë Trudeau si kryeministër, kush është Mark Carney

Partia Liberale e Kanadasë ka zgjedhur me shumicë dërmuese Mark Carney si kryeministër të ri të vendit, teksa ish-guvernatori i...

Mix1 ditë më herët

Këto 5 shenja horoskopi janë magnet për suksesin

Disa njerëz duket se kanë një aftësi të lindur për të tërhequr fatin dhe suksesin, ndërkohë që të tjerët përpiqen...

Mix1 ditë më herët

Natalie Portman në një romancë dashurie

Natalie Portman  është në lidhje me muzikantin francez Tanguy Destable, konfirmoi People të premten. Media franceze Voici ishte e para...

Mix1 ditë më herët

Penelope Cruz: Jeta nis 50 vjeç!

Sapo ka kaluar pragun e gjysmë shekulli dhe duket se aktorja spanjolle nuk ndalet drejt qëllimit për të prekur të...

Aktualitet1 ditë më herët

Linda Rama në Samitin e Forbes në Abu Dhabi: “Shqipëria ka mësuar nga pësimet”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi u zhvillua samiti prestigjioz “Forbes 2025”, një ngjarje që mbledh...

Facebook