Pas publikimit në media të pasurisë marramendëse prej 5.5 milion eurosh, Gjon Gjonaj, kryetar i bashkisë së Pukës i është drejtuar me një letër qytetarëve pukjanë.
Në letër ai shprehet se pasuria e tij nuk është shtuar me asnjë cent, që nga koha kur u zgjodh Kryetar i Bashkisë, veç pagës që ka marrë në bashki.
Gjonaj inkurajon çdokënd që ka paguar qoftë edhe një kafe në këmbim të një vendi pune, të një shërbimi apo të një tenderi për bashkinë.
“Pukjanët më mirë se kush do, e din fort mirë se a paguhet më për një vend pune, e nëse po, inkurajoj të flasin ata të cilët mund të kenë paguar qoftë dhe një kafe për të hyrë në punë. A ka paguar dikush për të marr një dokument a shërbim? A ka paguar kush apo ka lënë kush përqindje për fitime tenderash? Nëse kjo do të ishte e vërtet, a do mund unë dhe stafi im ti kthenim nga e para punimet pa cilësi, siç ka ndodhur në shumë raste ne këto dy vite e gjysëm”.
I shqetësuar nga zhurma që u bë në media për pasurinë prej 5.5 milion eurosh, që e rendit në krye të listës së kryebashkiakëve, Gjon Gjonaj thotë se pasuria e tij është krijuar nga puna si biznesmen që prej vitit 1992.
“Ju garantoj se asnjë herë dhe për asnjë çast nuk do ju vë në siklet dhe nuk do dëmtoj imazhin e bashkisë apo dhe të Pukës mbarë, për asgjë, e aq më tepër për pasuritë e mija të cilat janë kryesisht prona e objekte që i kam blerë nga puna në biznes prej vitit 1992”, shkruan Gjonaj në reagimin e tij.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu