Nga emblema te drejtuesit: Një histori e shkurtër e Shërbimit Sekret Shqiptar
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, u formua Qeveria, me kryeministër Ismail Qemalin, e cila filloi ngritjen e institucioneve të Shtetit Shqiptar.
Ndër to, më 17 Dhjetor 1912, u mor Vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në këtë Vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipërisë”.
Për organizimin e tij u ngarkuan persona konkretë, ndërmjet të cilëve Lef Nosi e Bajram Curri. Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.
Konsolidimi i Shërbimit Sekret Shqiptar në Qeverinë e Ahmet Zogut 1921–1939
Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës bëri organizimin e Këshillit të Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme. Më datë 24 dhjetor 1921, Ministër i Punëve të Brendshme u dekretua Ahmet Zogu, i cili bëri riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin Sekret. Drejtues i këtij Seksioni u caktua Haki Stërmilli.
Parë në planin historik, shërbimi kryesor inteligjent shqiptar, gjatë kësaj periudhe, ka patur këto emërtesa: në vitin 1922, Sekretari Sekrete dhe, në vitet 1923-1939, Zyra Sekrete. Në nivel qendror, veprimtaria e shërbimit sekret do të drejtohej nga Zyra Sekrete, ndërsa në nivel vendor drejtohej nga Prefekti, i cili kishte ngritur një zyrë të posaçme që merrej me “çështje rezervate”.
Në konsolidimin e institucioneve të Shtetit Shqiptar, nga janari 1927, pati rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga selitë tona diplomatike, duke organizuar një rrjet informativ që vepronte i lidhur me mekanizmin konsullatë – legatë -prefekturë. Klane dhe forca politike të ndryshme, gjatë periudhës 1925 -1939, të shtyra nga interesa të ngushta dhe të përkrahura nga jashtë, kanë provokuar trazira, komplote, vrasje, kryengritje, etj., me qëllim destabilizimin e vendit dhe cenimin e sigurisë kombëtare.
***
Organet e Sigurimit të Shtetit 1944 – 1991
Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 – mars 1945, Shteti Shqiptar i kushtoi menjëherë rëndësi të veçantë krijimit të Organeve të Sigurimit të Shtetit. Këto ishin vijuese të Shërbimit Informativ Ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht, pas çlirimit të vendit u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila funksionoi deri në vitin 1946, kohë kur u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966 u bë riorganizimi në tre drejtori: e para e Kundërzbulimit, e dyta e Udhëheqjes dhe e treta e Zbulimit Politik, strukturë që e ruajtën deri në vitin 1991.
Organet e Sigurimit të Shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj. Kjo solli shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Gjatë veprimtarisë së tij u bënë shumë shkelje ligjore. Ai vuri në survejim gjithë sektorët e jetës së vendit, kuadrot dhe njerëzit e thjeshtë, zbatoi praktika të padrejta dhe tejkaloi kompetencat, sidomos në kuadrin e luftës së klasave dhe të nxitjes artificiale të saj. Një numër qytetarësh u bënë viktima të kësaj veprimtarie.
Reformimi i Shërbimit Sekret Shqiptar 1991 e në vazhdim
Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e Sigurimit të Shtetit u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu, në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar.”. Detyrë parësore e këtij Shërbimi u vendos parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK-u u krijua si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ai ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme. Në vitin 1999, me Vendimin nr. 61, datë 22.11.1999, të Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, ndryshohet emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).
Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:
01.08.1991 deri 29.06.1992 Irakli Koçollari
29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede
09.04.1997 deri 29.05.1997 Astrit Kodra (me komandim)
29.05.1997 deri 21.08.1997 Arben Karkini
21.08.1997 deri 07.08. 2002 Fatos Klosi
07.08. 2002 deri 18.11.2002 Petrit Myftari (me komandim)
18.11.2002 deri 27.01.2005 Kujtim Hysenaj
27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri
09.08.2012 deri 30.10.2017 Visho Ajazi Lika
30.10.2017 e në vazhdim Helidon Bendo
Struktura dhe varësiae SHISH
Misioni dhe detyrat e SHISH
Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është një organ informativ i Republikës së Shqipërisë. Misioni i tij parësor është Siguria Kombëtare. SHISH vepron në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Shqipërisë.
SHISH siguron informacionin e domosdoshëm nga Zbulimi dhe Kundërzbulimi për problemet që lidhen me Sigurinë Kombëtare. Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti, janë parimet bazë të punës.
Shërbimi Informativ i Shtetit mbledh informacion për:
-kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare;
-ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues;
– terrorizmin;
-prodhimin dhe trafikun e narkotikëve;
– prodhimin e armëve të dëmtimit në masë;
-krimet kundër mjedisit;
-krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare, etj.
Për realizimin e detyrave të mësipërme, SHISH ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës për sigurimin e informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. SHISH mbron burimet dhe metodat informative.
Kontrolli dhe mbikëqyrja
Veprimtaria e SHISH-it kontrollohet dhe mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, të ngritur për këtë qëllim.
Këshilli i Ministrave emëron një Inspektor të Përgjithshëm përgjegjës për kryerjen e inspektimeve në veprimet e SHISH-it.
SHISH-i e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me procedurat e hartuara nga Drejtori dhe të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen kontrollin e aktivitetit financiar të institucionit.
Cikli informativ
Cikli informativ është procesi i zhvillimit të informacionit të papërpunuar në informacion përfundimtar, i nevojshëm për politikëbërësit në vendimmarrje dhe ligjzbatuesit. Ky proces është i vazhdueshëm, i orientuar dhe i diktuar nga nevojat për informacion. Ai kalon në katër faza që janë:
Planifikimi dhe drejtimi: Planifikimi është parashikimi dhe hartimi i tërësisë së masave me karakter ligjor, profesional dhe logjistik, me synim arritjen e qëllimeve dhe objektivave konkrete, për mbledhjen e informacionit të domosdoshëm.
Drejtimi është ndjekja në vazhdimësi e zbatimit të masave të planifikuara deri në zbatimin e tyre nga të gjitha hallkat drejtuese dhe ato zbatuese të Shërbimit, si dhe ndërhyrja për të bërë përshtatjet dhe modifikimet e zbatimit të këtyre masave, në varësi të ndryshimeve të situatës, duke respektuar gjithmonë parimin e ligjshmërisë, objektivitetit dhe ruajtjes së sekretit.
Mbledhja: Procesi i kërkimit, grumbullimit, verifikimit dhe dokumentimit të informacionit, siguruar nga burime të fshehta apo të hapura.
Analizimi: Procesi i përpunimit dhe vlerësimit të informacionit të papërpunuar në produkt informativ të integruar, sipas disa kritereve të përcaktuara, i cili duhet të jetë i dobishëm, objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike.
Shpërndarja: Faza përmbyllëse e ciklit informativ, ku produkti informativ i prodhuar shpërndahet tek politikëbërësit dhe ligjzbatuesit, sipas përmbajtjes e qëllimit.
Çfarë simbolizon emblema e SHISH
Emblema është kompozuar në gjininë e medaljonit, në formën klasike rrethore, me nivelet basoreliev dhe altoreliev. Ajo ka në përbërje shqiponjën dykrenore, marrë nga flamuri kombëtar. Ky element prezanton karakterin kombëtar të saj.
Elipsi i artë është simbol i rrethit vicioz të mendimit, i konceptuar si një abstraksion formal, që përkon me karakterin deduktiv e profesional të këtij institucioni.
Në qendër të emblemës është kompozuar kristali, që simbolizon mendimin e kthjellët, inteligjencën dhe mprehtësinë.
Në pjesën fundore, emblema mbështetet në një fragment kurore dafine, e cila mbart edhe simbolin e trimërisë dhe lavdisë.
Emblema është e konceptuar në ngjyrë argjendi dhe të gjithë elementët janë në ngjyrë ari. Qendra e emblemës, që është dhe sfond i të gjithë elementëve të saj, është me ngjyrë blu parizian të errët, ngjyrë që përfaqëson thellësinë e mendimit.
Fjalori i një agjenti
Agjenci – Organizatë ose organ i angazhuar në veprimtari kërkimore informative ose/dhe në vlerësimin, përpunimin dhe analizimin e të dhënave.
Akses – Mundësia e një personi për të marrë informacion rreth një personi tjetër, ambienti, grupi, organizate, etj.
Agjent – Një person, i cili është i ndërgjegjshëm se ai/ajo është i përfshirë në një aktivitet të fshehtë, një person, i cili i nënshtrohet deri në një masë të caktuar kontrollit nga organizata/agjencia e fshehtë dhe kryen detyrat për të cilat është rekrutuar.
Brifing – Përgatitja e një personi (agjenti) për një mision specifik.
Buletin – Njoftim i shkurtër zyrtar për diçka me rëndësi shtetërore e shoqërore; kumtim i përmbledhur për diçka të rëndësishme; fletë a broshurë që përmban njoftime të tilla ose udhëzime të posaçme për një rreth të caktuar njerëzish; botim periodik i një institucioni me studime nga fushat përkatëse; përmbledhje periodike studimesh.
Buletin informativ – Dokument periodik që përditëson dhe transmeton fluksin e të dhënave.
Burim – Çdo ent, person, dokument, transmetim ose material tjetër që jep zanafillën e të dhënave informative. Person apo mekanizëm që i siguron informacion një agjencie sekrete në përgjigje të kërkesave specifike.
Burim i hapur – Çdo burim që nuk gëzon mbrojtje të veçantë fizike ose ligjore dhe është i arritshëm nga kushdo. Identifikohet me atë funksionar, i cili, për arsye të detyrës së tij, zyrtare dhe përfaqësuese, është në gjendje të japë të dhëna të marra në formë ligjore dhe që nuk janë përhapur normalisht nga mjetet e informimit.
Burim i mbyllur – Çdo burim që përbën objekt dhe subjekt për t’u mbrojtur. Burime që nuk duhen zbuluar ose të vihen në rrezik për t’u zbuluar.
Certifikatë Sigurie – Certifikatë e lëshuar nga autoritetet kompetente kombëtare për të treguar se, në lidhje me personin që interesohet janë bërë hetimet e duhura dhe se ai ndërkohë mund të njihet me materialet e klasifikuara, deri në shkallën e vënë në vetë certifikatën.
Deklasifikim – Ndryshimi i klasifikimit për një dokument ose material “sekret” e “tepër sekret”, për një klasifikim më të ulët ose për të hequr shkallën e sekretit.
Disinformim – Paraqitja e të dhënave të rreme ose pjesërisht të vërteta, por me vlerë të ndryshuar ose të vërteta, por të paraqitura me kuptim të rremë, me qëllim që të fusë në mashtrim dhe të nxisë marrjen e vendimeve të gabuara nga ana e atyre që i është drejtuar disinformacioni.
HUMINT – “Human intelligence”. Tregon kategorinë e informacioneve, që rrjedhin nga të dhënat e marra nga burimet njerëzore.
Hetim dhe/ose investigim – Tërësia e veprimeve për të gjetur dikë a diçka që nuk dihet se ku është ose diçka të re e të panjohur, duke hetuar, duke gjurmuar, etj.
Investigim – Mbledhja e fakteve rreth një agjenti potencial përfshi informacionin biografik, mënyrën e jetesës dhe informacion profesional.
Informacion – Njoftim që marrim për diçka; të dhëna për dikë ose diçka; kumtim ose lajm që jepet për dikë ose diçka; veprimtari që synon të marrë dhe të japë njoftime e të dhëna për diçka ose dikë. Me informacion kuptohet prodhimi informativ i përfunduar ose rezultati final i procesit të përpunimit që ka pësuar një lajm, që përfshin analizën, vlerësimin, integrimin dhe interpretimin e tij.
Kërkim – Tërësia e veprimeve për të mësuar mbi fakt, ngjarje apo person të caktuar; tërësia e masave që merren për të mësuar për një dukuri, fenomen apo person të caktuar; punë kërkimore, hulumtim, skedim, punë sistematike që bëhet për të zbuluar diçka a dikë.
Kundërzbulim – Disiplina brenda një agjencie të fshehtë konceptuar për të zbuluar dhe penguar veprimtarinë e agjencive të fshehta kundërshtare në përpjekjet e tyre për të identifikuar dhe infiltruar agjencinë e fshehtë, personelin dhe veprimtaritë e saj.
Organizatë sekrete – Organizatë (zakonisht e sponsorizuar nga qeveritë) që autorizon, kontrollon dhe mbështet veprimtarinë sekrete informative.
Rekrutim – Akti i bindjes së një kandidati për agjent, që të hyjë në një marrëdhënie sekrete me agjencinë e fshehtë, duke pranuar drejtim dhe kontroll nga agjencia.
Rikonjicion – Operacion i ndërmarrë me qëllim për të marrë nëpërmjet vëzhgimit të drejtpërdrejtë ose me sisteme të tjera të dhëna mbi veprimtarinë, burimet, forcat e armatosura të një shteti me interes ose për të vërtetuar të dhëna që i takojnë karakteristikave metereologjike, hidrografike ose gjeopolitike të njerëzve të veçantë.
Siguria Kombëtare – Mbrojtja e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës së Shqipërisë.
Target – Person, ambient, organizatë, aktivitet, fenomen apo çdo lloj entiteti tjetër ndaj të cilit drejtohet veprimtaria klandestine.
Terrorizëm – Përdorimi i dhunës pa rrethana lehtësuese kundër shoqërisë nga ana e një pakice, e cila operon në mënyrë të fshehtë, që ka qëllim të arrijë synime politike që nuk mund t’i arrijë ndryshe, duke i ngjallur frikë publikut dhe miratim të mundshëm në kuptim të destabilizimit të ekuilibrave. Ajo që e dallon terrorizmin nga subversioni është elementi dhunë. Terrorizmi tenton të vërë një individ ose një grup individësh në kushte të frikshme për jetën e tyre ose për atë të të tjerëve ose të pësojë dëmtime për vete dhe të tjerë, në mënyrë që ta shtyjë të marrë vendime që janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe moralit. Nuk ka një përcaktim të njohur për terrorizmin të pranuar nga OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara).
Zbulim – Mbledhja e të dhënave të ndryshme për kundërshtarin, për terrenin, etj., që bëhet në mënyrë të fshehtë; organ i posaçëm shtetëror që ka për detyrë të mbledhë dhe të studiojë të dhënat e fshehta për veprimtarinë dhe gjendjen ekonomike, politike, ushtarake, etj., të shteteve të tjera kundërshtare.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu