Vlorë, policia sekuestron 10 tonë kanabis
Sekuestrohet një sasi rekord prej 10 tonë kanabis në fshatin Babicë. Lënda narkotike e paketuar dhe gati për t’u trafikuar është zbuluar në një vilë dykatëshe në Babicë.
Aksioni po zhvillohej për arrestimin e Florian Habilajt dhe personave të tjerë që janë në kërkim, pasi dyshohet se fshihen në këtë zonë, ndërsa është zbuluar droga.
Operacioni është zhvilluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Delta Forcë, Policia e Vlorës dhe anti-droga pas takimit të një nate më parë dhe informacioneve nga SHISH e dosja e përgjimeve nga Italia.
Nga operacioni janë shoqëruar dhe ndaluar disa persona, mes tyre pronari i vilës ku u gjet droga, por nga policia e Vlorës nuk jepen detaje nëse është arrestuar ndonjëri nga 4 të kërkuarit nga Italia për trafikun e mbi 3.5 tonëve kanabis nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Në kërkim nga drejtësia italiane janë: Florian Habilaj, Armand Sula, Sabaudin Çela dhe Nezar Seiti.
Policia ka rrethuar banesën ku u gjet droga duke mos lejuar që të afrohen as gazetarët, ndërsa vijojnë kontrollet në të gjithë zonën në banesat e tjera, pasi dyshohet se ka sasi të tjera kanabisi.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu