Vendi ynë është thesar vlerash për historianët e studiuesit, shqiptarë a të huaj qofshin ata. Ndërsa në jo pak raste shqiptarët e fragmentarizojnë historinë e kulturën për interesa të përkohshme, ka habitur dashuria e albanalogut kanadez Robert Elsie për vendin e shqiponjave.
Ai ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, nga kushte natyrale ndërsa fjalët e tij të fundit ishin: “Dua të prehem në Shqipëri”.
Robert Elsie është emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të XX dhe fillimshekullit XXI. I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.
Ai vizitoi rregullisht Seminarin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë ku përmes njohjeve me kosovarët arriti të mësojë gegnisht.
Elsie ka transmetuar letërsinë shqiptare në botë duke përkthyer në anglisht Migjenin, Lazgush Poradecin e Fatos Kongolin si dhe poemën “Lahuta e Malësisë” së Gjergj Fishtës.
I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë.
Elsie, ka përpiluar edhe leksike dhe fjalor të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Gjithashtu, ai ka qenë përkthyes gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu