Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore. Por, gjithnjë e më shumë martesa po shkojnë drejt divorcit në Shqipëri duke bërë që Shqipëria të hyjë në zonën e kuqe të vendeve që kanë normë të lartë të tyre, sipas një harte globale.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në 100 martesa në Shqipëri 31 shkonin në ndarje, me një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e mëparshëm, kur ky tregues ishte rreth 22. Në këtë mënyrë, Shqipëria ka hyrë në zonën e kuqe, në grupin e vendeve të cilët kanë një normë divorci 30-39 për 100 martesa.
Në të njëjtin nivel me ne, për sa i përket divorceve janë Italia, Greqia dhe Turqia. Vendet e rajonit janë pjesë e grupit të vendeve me normë më të ulët të divorceve për 100 martesa.
Sipas hartës, rekord për numrin më të lartë të divorceve me mbi 60 divorce për 100 martesa mbajnë Spanja, Portugalia dhe vendet e Beneluksit.
Pjesë e grupit të vendeve me normë të ulët divorcesh, sipas të dhënave në hartë, me normë 0-9 divorce, janë Kili dhe Kolumbia, disa vende të Afrikës dhe Azisë.
Po pse po rriten divorcet në Shqipëri?
Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj.
Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu