Lidhu me ne

Temporal

Babeli i emisioneve

Sezoni i ri televiziv ka nisur me shpërthimin e debateve politike dhe aktualitetit, duke e çuar numrin e tyre në rreth 29 emisione në javë dhe me trend rritjeje… Çfarë po ndodh me median shqiptare, pse ky bum i talk show-ve dhe a është kjo një gjë e mirë apo e keqe për gazetarinë? Flasin ekspertët e komunikimit, Belina Budini dhe Jonila Godole.
Nga Sebi Alla-Mapo.al
Mungesa e lirisë në 45 vjet komunizëm ndezi dëshirën e madhe në fillim të viteve ‘90 për fitimin e lirisë pa kufi në median e shkruar. Të rinj me karizëm, ndoshta edhe me idealet e fillimit, hapën një faqe të re, vendosën të botonin gazeta, nën siglën “të pavarur”. Gazetarët ishin njëkohësisht edhe botues, saqë Nikoll Lesi, Aleksandër Frangaj, Ylli Rakipi dhe pak më vonë edhe vëllezërit Shpëtim dhe Mentor Nazarko quheshin pronarë e reporterë bashkë. Media kishte vlerë dhe politikanët më shumë ruheshin deri në frikë nga gazetarët sesa kundërshtarët. Uria qytetare për të mësuar më shumë për politikën, ekonominë, sportin, e madje edhe seksin nuk kishte fund, duke zgjatur të paktën dhjetë vite. Kohë e artë për botuesit e famshëm, por biznesi kishte ecur dhe kapitali i krijuar nga kompani të ndryshme preu hovin e nismëtarëve të parë të medias së pavarur të shkruar. Lindi një tjetër “racë” botuesish, ku kapitali mbyti idealin dhe ekonomia e tregut iu dha të drejtën pikërisht biznesmenëve që kishin “qejf” edhe median. Kriza për këtë kategori që investoi në median e shkruar, si në të gjithë botën erdhi pas ciklit thuajse standard 10-vjeçar, jo vetëm nga keqmenaxhimi apo mungesa e investimeve, por së pari, nga teknologjia dhe lindja me shpejtësi e portaleve online. Pak investim, shumë info, por gjithnjë e më pak gazetari e mirëfilltë përcillet në portalet e lajmeve.
Por “magjia e telekomandës” i mban ende në podium televizionet, lufta e të cilëve nis për audiencën dhe krijimin e sa më shumë debateve televizive me karakter kryesisht politik dhe përfundon me gazetarët protagonistë të kthyer në “institucion”. “Debatet e shumta televizive në pamje të parë të krijojnë përshtypjen sikur në Shqipëri diskutohet dhe analizohet shumë, sidomos ngjarjet politike. E kundërta ndodh, jetojmë në demokraci spektatorësh. Në parlament nuk ka politikë, ajo ndodh në ekran”, kështu komenton Jonila Godole, pedagoge e komunikimit, njëkohësisht edhe drejtoresha e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë. Para kritikës së ekspertëve mbetet një ekran televiziv që lë të ngulur para tij pjesën më të madhe të shqiptarëve, në dëshirë për t’u informuar dhe pranuar me dëshirë bombardimin që vjen nga debatet politike.
Bombardimi me debate
E hëna nis “mbarë” me debatet televizive. Shtatë emisione në kanalet kryesore të televizioneve tona. Tv Klan mbetet i “abonuar” nga “Opinion” i Blendi Fevziut, Top Channel vijon me “Top Story” të Sokol Ballës, Eni Vasili hap studion për të ftuarit e saj në News 24, “Tonight” e Ilva Tares mban energjinë në Ora News, “Dritare” e Rudina Xhungës ka “stendën” e saj në Vizion +, “5 Pyetje nga Babaramo”, në Report TV, “Debat” i gazetarit Roland Qafoku në Channel 1 me të ftuar të shumtë, po ashtu edhe në televizionet e tjera nuk mungojnë emisionet për ekonominë, apo ndonjë show i përzier edhe me ngjarje dite. Në orën 21:00 bie “gongu” për të përfunduar natën vonë, e madje kapur edhe orët e para të mëngjesit në raste të veçanta. E marta, e mërkura dhe e enjtja vijon po me Fevziun, Ballën, Vasilin, Rakipin, Hilën, Dudushin etj. E premtja në darkë nuk mund të perceptohet pa emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit në Tv Klan, “Përballë” i Lutfi Dervishit në TVSH, “Top Show-n” e Alban Dudushit apo “Oktapod” i Turjan Hyskës e “Kapital”, të dy në Vizion Plus.
Por nuk është vetëm fundi i debateve televizive, pasi Artur Zheji së shpejti pritet të zërë hapësirën me emisionin “360 gradë” në Ora News, që do jetë çdo të martë dhe të enjte me ambicien për të përsëritur suksesin e mëparshëm si drejtues emisioni.
Në këtë masivitet kanë hapësirën e tyre edhe emisione të reja si “Repolitix” i drejtuar nga Denis Minga apo edhe Juli Xhokaxhi me “Byro politike” ne ABC News, të mërkurën dhe të premten.
Mbi 29 emisione televizive në javë me karakter politik apo debat për tema të ndryshme futen në shtëpitë e shqiptarëve. Aq sa edhe në lotot sportive një televizor rri gjithnjë i hapur vetëm për debatet apo fleshet e lajmeve, ku edhe “skedinaxhiu” më i thekur hedh ndonjëherë sytë nga ngritjet e zërit të të ftuarve televizivë.
Të ftuarit shpesh janë të njëjtët individë që qarkullojnë sa në një studio në një tjetër. Diku të lodhur, ndonjë syresh bën edhe “gjithologun”, por sërish nuk tuten, për aq kohë sa investimi televiziv përqendrohet kryesisht në emisionet me debate politike dhe tema të aktualitetit. Bota mediatike televizive po shtyhet drejt sasisë, ndërsa matësi i cilësisë pret, pasi është shpejt për të kuptuar kush do mbijetojë dhe cilat emisione do tërheqin audiencën. Shefja e Departamentit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, Belina Budini, e konsideron si të rëndësishëm “masivitetin”, por me të drejtë i druhet humbjes së cilësisë, “pluraliteti është i mirëpritur, por skarciteti është shqetësim”, thekson Budini. Debati televiziv është një “mall” që gjithnjë ka pasur treg, por masiviteti mund të çojë në skarcimin e disa produkteve mediatike televizive, për t’i lënë hapësirë një tjetre. “Edhe në sezonin e mëparshëm, por më tepër këtë sezon televiziv është e qartë prirja drejt shtimit të emisioneve politike dhe të aktualitetit në formate debati dhe opinioni. Që nga dalja me formate të reja deri tek intensifikimi i atyre aktual, duket se hapësira televizive e mbrëmjes pothuajse në të gjitha ekranet është mjaft e ngarkuar me ngjarje, figura, tema, debate, opinione. Megjithëse e vonuar si prirje, pasi periudha e bumit të mediave televizive në Shqipëri ka kaluar, nuk përjashtohet mundësia që të jemi në një moment pozitiv për sa i përket prodhimtarisë nga ana e televizioneve shqiptare”, komenton Budini.
Gjithnjë e më pak dallon politikanë që djersijnë nga “pyetjet e forta”, duke u kthyer në artikulatorë profesionistë që flasin rrjedhshëm pa thelb dhe me gjestikulacione, nënqeshin, ironizojnë e madje bishtnojnë edhe atëherë kur duhet të japin shpjegim për një shqetësim të caktuar. “Lexohet qartë një përpjekje e këtyre mediave për të rritur ndikimin dhe rëndësinë e tyre si edhe për të qenë vazhdimisht në axhendën e publikut por edhe të aktorëve dhe faktorëve. Kur kjo përkthehet në përmbajtje të re, profesionalizëm, pluralitet zërash dhe temash, nuk ka pse të shihet aspak me shqetësim, përkundrazi. Po kaq të mirëpritura janë edhe gjetjet e reja vizuale, kodet e përmirësuara të gjuhës televizive në pikëpamje të modernizimit të formateve. Në të kundërt, normalizimi i standardit të ulët televiziv, në kuptimin e shndërrimit në rutinë dhe normalitet të skarcitetit, ky do të ishte një shqetësim për të gjithë, sidomos për audiencat e ekspozuara ndaj përmbajtjeve të dobëta televizive, por edhe vetë pjesëmarrësve në këto emisione si edhe mjedisit të analizës, komentit dhe opinionit në tërësi”, shton Budini.
Në kërkim të publikut
Në pamje të parë ngjan se edhe emisionet e rëndësishme të darkës nuk kanë dallim me rutinën e çdo televizioni, që nisin në mëngjes me fitnesin live, horoskopin çoroditës, gatimin e mishit, peshkut, supave e sallatave… dhe ky lloj miksi vijon me pasditet që kanë thuajse një standard, por vetëm logot ndryshojnë. Cilësia vështirë të përcaktohet, por treguesi më i mirë se cili do mbijetojë është audienca. Publiku është ai që vendos “sitën e imët”, por deri më tani emisionet politike, aktualiteti dhe ekonomike po u hynë nga të gjitha anët në ekran. Në një vend të vogël si Shqipëria ka hapësirë për 70 stacione televizive, 113 televizione kabllore, 5 televizione satelitore dhe 71 kanale radioje. Ky numër plotëson atë që konsiderohet media audiovizive dhe larmiteti nuk mungon. Rreth 88 % e shqiptarëve ndjekin televizionet dhe pavarësisht se shpesh dalin kundër gazetarëve, analistëve, të ftuarve të fushave të ndryshme apo politikanëve, përsëri kohën e “shpenzojnë” duke i ndjekur, por jo braktisur. Ky numër i madh shikuesish kërkon një përqendrim dhe lufta mbetet jo vetëm mes ekraneve televizive, por edhe nga drejtuesit e emisioneve të ndryshme. Po shkohet drejt asaj që shet “marka” e produktit dhe jo media, sado e madhe të jetë. Deri më tani publiku të paktën e ka të garantuar “spektaklin” me debatet televizive. “Për mua nuk ka rëndësi sasia, por cilësia e emisioneve. Por si të matet cilësia e tyre në TV, ku vetë mediumi është mesazhi? Në TV ka rëndësi mënyra si thuhet diçka dhe jo çfarë thuhet. Ky model, mirë apo keq është i përhapur edhe në perëndim. Vetëm se atje gjen edhe modele të tjera, gjen formatin e takimit Town-Hall si plotësues të ofertës së debatit politik talk-show. Në vend t’i ofrohet politikanit skena për ta promovuar, u jepet shansi qytetarëve përmes takimeve Town-Hall të marrë pjesë aktive në debate politike të drejtpërdrejta me politikanët. Pra, një audiencë aktive që konfronton elitën politike me problemet e jetës së përditshme. Dhe jo një audiencë e paguar, si në Shqipëri që shëtit somnambul nga studioja në studio”, argumenton jo pa kritikë pedagogia Jonila Godole.
Na ishte një herë…
Në fillimin e viteve 90’ gazeta u kthye në një mall jo fort të shtrenjtë, por mjaft të kërkuar. Ishte e vetmja formë për t’u informuar mbi ngjarjet, për aq kohë sa i vetmi televizion në vend, TVSH, nuk tërhiqte publikun. Hapja e gazetave të para të pavarura i çoi shqiptarët drejt leximit. Gazeta të reja si “Koha Jonë”, “Republika”, “Dita” ,“Albania” apo “Gazeta Shqiptare” mbretëronin në botën mediatike. Edhe gazetat politike si “Zëri i Popullit” dhe “RD” kishin lexuesin e tyre. Me këto pak media të shkruara vendi shkoi deri në fillimet e viteve 2000. Ngadalë po venitej “Koha Jonë”, “Dita”, “Albania” dhe aksesorët e tjerë të krijuar po prej tyre. Perandoria e re mori hov nga gazetat me emra të rinj në treg, duke sjellë një “bum” mediatik dhe konkurrencë të fortë. Financuesit ishin biznesmenë të njohur, të cilët nuk kursyen paranë për të investuar në median e shkruar. Mbi 37 tituj gazetash mbizotëronin në tezgat e shitjes buzë rrugëve të qyteteve në të gjithë vendin. Edhe kjo periudhë e artë nisi të marrë fund aty në vigjilje të viteve 2010. Për inerci një pjesë vijojnë mbajtjen në treg, duke qarkulluar akoma 24 tituj gazetash, por e ardhmja është bllokuar nga mediat online dhe televizionet. Portalet janë aq të shumta saqë një në katër gazetarë të njohur mund ta shohë veten me një portal online, me tre-katër gazetarë apo studentë gazetarie (rëndom quhen “hedhësa”) që lajmin e “krijojnë” që nga zyra, duke qëmtuar në televizione dhe deklarata publike të politikanëve. Nëse portalet janë thjesht për t’u ndjekur nëpërmjet telefonit, pasditja dhe darka mbledh shumë qytetarë kah ekrani, me shpresë se do kenë ç’të shohin, duke u argëtuar edhe me sherrin dhe batutat në studio televizive. Bumi i televizioneve ka kaluar por tani është radha e bumit të debateve televizive. Si në çdo etapë të medias shqiptare, edhe emisionet do t’i nënshtrohen ligjit të hekurt të konkurrencës së tregut. Kush do të jetë më i mirë do të mbijetojë.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar3 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix3 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix3 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix3 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix3 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar3 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet3 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore3 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet5 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar5 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook