Nga Olsi Kolami
Historia e talentit nga Tirana, performanca gjithmonë në ngjitje, e cila e zhvendosi nga Dinamo në ekipet më të mira evropiane, ëndrra e realizuar për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe jeta e re që ka filluar prej pak kohësh në Amerikë
Dashuria për futbollin ka nisur qysh kur ishte fëmijë, nga momenti kur doli nga shtëpia për të luajtur me shokët e lagjes, duke përfunduar më pas në ekipet e të rinjve, e më pas talenti i tij ishte i destinuar për të luajtur me skuadra si Olimpiacos, Rosenberg, Mainz 05, Luzern, e së fundmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku luan për San Jose. Në këtë intervistë Jahmir Hyka rrëfen fillesat e tij, arritjet, pasionet e tij jashtë fushës së blertë, dedikimin e pa kursyer ndaj Zotit si dhe si e parashikon Kombëtaren Shqiptare.
Jahmir si ka lindur dëshira për futbollin, i kujtoni fillesat tuaja?
Nuk di si ta shpjegoj. Mua më duket sikur kam lindur me top (qesh). Besoj që kur kam filluar të dal për herë të parë jashtë shtëpisë për të luajtur, ka filluar edhe dashuria ime për futbollin.
A e mbani mend kur keni shënuar golin tuaj të parë të vërtetë?
Golin e parë për një ekip futbolli besoj e kam shënuar në moshën 9 vjeçare, atëherë kur dhe e kam filluar futbollin tek ekipi i Dinamos me trajner Bedrizan Daçollari.
Keni pasur ndonjë idhull që ju ka frymëzuar në rrugën tuaj?
Pikërisht pas këtij goli ku pasi driblova katër kundërshtarë dhe shënova, trajneri filloi të më thërriste Maradona. Qe atëherë fillova të isha fans i Maradonës (qesh)
Dinamo ka qenë shkolla e parë e futbollit për ju, sa ka ndikuar në karrierën tuaj?
Mund të them që Dinamo ka ndikuar goxha, por mund të them që më shumë kanë ndikuar trajnerët të cilët më kanë stërvitur dhe që më kanë ndihmuar në zhvillimin tim si futbollist si: Bedrizan Daçollari apo Shpëtim Duro
Hapi i parë drejt transfertave ndërkombëtare ishte Rosenberg, si e kujtoni?
Kam qenë shumë i vogël në moshë. Menaxheri Alfred Bode më mundësoi një provë tek skuadra e Rosenbergut, të cilën e kalova me sukses. Aty kam kaluar gati 2 vjet dhe mund të them që ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, e cila më ka ndihmuar shumë në rritjen si fubollist dhe si njeri.
I vlerësuar për talentin më pas jeni zhvendosur te Olipiacos, Mainz 05 dhe më pas tek Luzern, kë do të veçoje si pikat e tua kulminante?
Të gjitha kanë qenë për mua eksperienca të bukura, por do të veçoja periudhën kur kam luajtur për Luzernin sepse kam qenë i plotësuar si nga  ana sportive ashtu edhe nga ana njerezore.
Në cilën prej skuadrave evropiane keni pasur performancën me të mirë në fushë dhe golat që keni shënuar?
Nuk shquhem si golashënues, por do të veçoja ndeshjen para një viti kur luaja në Luzern kunder Bazelit, i cili ishte kampioni i Zvicrës, gjithashtu pjesëmarrës në Champions League, ku shënova dy gola mjaft të bukur.
Kur dëgjojmë për shifrat e shitjes së futbollistëve shumë prej nesh habiten, por cila është paga juaj dhe a ndiheni i vlerësuar?
Të them të drejtën në vitet e fundit është ekzagjeruar pak me shifrat që po paguhen për blerjen e lojtarëve të ndryshëm, por futbolli është kthyer në një nga bizneset më fitimprurëse, kështu që vetvetiu edhe vlerat e lojtareve rriten. Unë personalisht ndihem shumë i vlerësuar dhe për këtë gjë falënderoj Zotin që ma ka mundësuar që pasionin ta kthej edhe në punë. Rroga nuk tregohet (qesh).
Ishte e vështirë të mbyllje kapitullin me Evropën për të kaluar në SHBA?
Ishte e vështirë të lija Zvicrën sepse siç e thashë, aty kam kaluar 6 vite shumë të bukura si nga ana sportive, ashtu edhe nga ana njerëzore, por gjithmonë kam dashur të luaj njëherë në Amerikë dhe jam shumë i lumtur që mu plotësua edhe një ëndërr.
Çfarë e bën të veçantë futbollin në SHBA dhe çfarë të joshi të kaloje Atlantikun?
Në Amerikë futbolli është shumë në rritje, në ndryshim nga Europa është pak nivel më i ulët nga ana taktike, por nga ana fizike dhe teknike nuk ka diferenca të mëdha. Duke patur parasysh që ka edhe lojtarë me emër që luajnë këtu, kjo gjë më tërhoqi edhe mua.
Për të gjithë futbollistët Kombëtarja mbetet një ëndërr, ju e keni realizuar, si ishte momenti kur e prekët këtë ëndërr?
Kur kam qenë fëmijë dhe sapo kisha filluar futbollin, ëndrra ime e vetme ishte të luaja për kombëtaren. Kam luajtur në shumë klube dhe kampionate të ndryshme që më kanë dhënë emocione të bukura, por kombëtarja është diçka tjetër, është një emocion që nuk mund të përshkruhet me fjalë, është një emocion që duhet provuar. Dhe ja uroj çdo fëmije që ka ëndërr.
Si e komentoni gjendjen e kombëtares, kualifikimet, dështimet, trajneri apo tifozët?
Po ky vit ka qenë me ulje-ngritje, normal që njerëzit presin gjithmonë më të mirën dhe pas kualifikimit në Kampionatin Europian që për mua është maksimumi që kombëtarja ka arritur. Por duke parë dhe grupin e vështirë ku gjendemi besoj se vendi i tretë do ishte një rezultat mjaft pozitiv për ne.
Largimi i De Biasi dhe propozimet e reja si ju duken, ka mundësi për një ringritje?
Normal që largimi i De Biasit nuk është diçka e mirë për ne. Pasi dihet puna që ai sëbashku me stafin e tij kanë për bërë për Kombëtaren, por megjithatë jam i mendimit që pas ndeshjes me Izraelin jemi në rrugën e duhur. Për zgjedhjen e trajnerit besoj që presidenti Armando Duka e ka treguar edhe më përpara që di të bëjë zgjedhje të mira, kështu që edhe këtë herë nuk besoj se do të zhgënjejë.
Ju mund edhe të parashikoni, mund të ndodhë mrekullia që të kualifikohemi?
E thashë edhe më përpara që grupi ku ne bëjmë pjesë nuk na lë shumë vend për imagjinatë, por ne do të bëjmë maksimumin deri në fund, pasi çdo ndeshje është si finale për ne.
Cili ka qenë momenti më emocionues kur keni luajtur me kombëtaren?
Ka patur shumë momente emocionuese, por do të veçoja ndeshjen e parë në Shkodër kundër Maqedonisë. Kam qenë vetëm 18 vjeç dhe ka qenë një ndjesi shumë e veçantë për mua.
Jeni praktikant i besimit musliman, sa ka ndikuar besimi në jetën dhe karrierën tuaj?
Po është e vërtetë që jam besimtar. Besimi ka qenë dhe është një ndihmesë shumë e madhe në karrierë, në rradhë të parë ne jemi njerëz dhe çdo njeri ka nevojë për plotësim shpirtëror dhe besimi është ai që na ushqen anën shpirtërore.
A i dedikoni një pjesë të fitoreve tuaja besimit në Zot?
E falënderoj Zotin si në të mirë ashtu edhe në momentet kur ai na sprovon me gjëra nga më të ndryshmet.
A është e vërtetë që faleni pesë herë në ditë, si e gjeni kohën për tju dedikuar Zotit kur jeni në stërvitje?
Nga 24 orë që ka një ditë, besoj se 25 minuta nuk janë asgjë për t’ja dedikuar Atij që na ka krijuar.
Shumë futbollistë të njohur kanë dhënë një shembull pozitiv përmes besimit, di që ju keni që 12 vjeç që besoni, a ndikon kjo me kolegët tuaj të skuadrës?
Jo nuk ndikon aspak. Mund të them që kudo që kam qenë, jam ndjerë mjaft i respektuar nga kjo anë, siç edhe unë i kam respektuar ata në besimin që kanë. Besimi fetar është një zgjedhje personale e çdo njeriu.
Cilat janë pasionet përtej futbollit, si e mbushni kohën jashtë fushës së blertë?
Jam shumë i apasionuar pas arkeologjisë dhe historisë. Shoh shumë dokumentarë historikë.
Cila ka qenë dhurata e fundit që keni marrë nga ndonjë fans?
Para një jave, ishte një pako me çokollata (qesh)
Sa kohë i dedikoni pamjes, shfaqeni gjithnjë në formë dhe i kuruar estetikisht?
Mund të them mjaftueshëm. Kujdesem shumë sidomos për flokët,  aq sa edhe në takime shkoj shpesh me vonesë.
Kaloni kohë duke bërë shopping dhe për çfarë jeni i fiksuar më shumë?
Nuk është se kaloj shumë kohë duke bërë shopping, nëse më pëlqen diçka e blej, nuk kam qejf të rri duke kërkuar gjatë. Nuk kam shumë fiksime, po këpucët ma bëjnë shpesh me sy (qesh).
Ku do ti kaloni pushimet e verës dhe me kë?
Fatkeqësisht nuk kam pushime Vere sepse në Amerikë është periudhë kampionati. Po nuk qahem duke ditur që ndodhem në Kaliforni ku dielli dhe plazhi nuk mungojnë.
Di që ju jeni i lidhur me qytetin tuaj të lindjes, a vini shpesh në Tiranë?
Si mos të jesh i lidhur me Tironën, duke ditur që aty jam lindur dhe rritur, aq më tepër gjithë familja dhe shoqëria ime janë atje. Sa herë që kam pushim, destinacioni i parë është Tirona.
Cilat janë planet e ardhshme të karrierës, do të vijoni të jeni në Amerikë?
Në futboll thuhet: asnjëherë nuk i dihet. Për momentin jam në Amerikë ku kam edhe një kontratë 3 vjeçare dhe po e kaloj shumë mirë. Të ardhmen e di vetëm Zoti!
Intervsitë e Revistes BORDO, edicioni Gusht-Shtator 2017