Nga Isida Muço*
Copëza çastesh gëzimi, teksa mëngjesi nis nxitimthi. Kështu dua t’i kujtoj 14 ditët e pushimeve këtë verë. A e dini pse? Sepse vij nga një provincë, ku fjala “fqinj” mbart ende kuptimin e saj të plotë. Ne pallatin tim parafabrikat, ku kam kaluar 18 vitet e para të jetës, fqinjët kanë ndryshuar, disa në emigracion e disa drejt metropolit, ama ata pak që janë prej 35 vitesh aty unë kam mall t’i takoj sa herë shkoj. Një shenjë me dorë nga përballë pallatit, e një përshëndetje mëngjesore ishte kambana se do të niste rituali i kafes turke të mëngjesit mes nënës time dhe komshies përballë në shtëpinë private të saj. Ohhh çfarë arome… im’ më, 63 vjeçe nxitonte të përfundonte punët e mëngjesit për të shijuar kafen. I shoh këto zonja me kaq shumë admirim… dhe jam e lumtur që përpara Dhërmiut, Jalës apo çdo argëtimi tjetër me shoqërinë vendosa të kënaqem në vendlindjen time, aty ku dera e gjitonit hapet për gëzime e hidhërime, ku ndahet një copez ëmbëlsire apo byreku.
Vetëm 13 kilometra nga Korça, qyteza e vogël e Maliqit njihej dikur për Fabrikën e Sheqerit apo Ndërrmarrjen e Rritjes së Gjedhit. Por, sot ajo çka ka mbetur prej tyre janë vetëm disa gërmadha… E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është fqinjesia e bukur mes familjeve, qoftë në pallatet parafabrikate, ashtu edhe tek shtëpitë private një katëshe që kundërmojnë era lule shumëngjyrëshe. Zonjat thërrasin njëra-tjetrën edhe për kafen e pasdites. Kundërmon aroma e kafes turke, ndonjë ëmbëlsirë apo frut i stines dhe biseda… Dëgjoj me vëmendje, teksa fjalosen, ndajnë bashkë shqetësime e çaste të këndshme, duke theksuar se sa e rëndësishme është një fqinje në jetë. I shoh me aq admirim e mendoj me vete…. sa bukur… dhe më vjen keq njëkohësisht për kohën tonë moderne, për qytetet e mëdha, ku nuk ekziston me koncepti “fqinj” fatkeqësisht.
Ndërsa unë ato ditë qëndrimi aty do doja të mos kishin fund… Ama, ditët e para mendova… ahhh sa jashtë mode…
* Isida Muço është gazetare në radion Club FM
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu