Ka disa raportime nga se në pikat e kalimit doganor të Shqipërisë policia shqiptare nuk po lejon kalimin e shtetasve shqiptarë pasaporta e të cilëve skadon brenda 3 muajve nga data e paraqitjes në kufi. Nuk jepet asnjë arsye për këtë sjellje që duket se buron nga një urdhër i policit Haki Çako, për masat e kontrollit në kufi. Pa arsye dhe pa ndonjë sqarim, qytetarë që raportojnë këtë gjë, thjesht kthehen me interpretimin personal se “nuk u lamë të kalonim sepse dyshonin se mos nuk kthehemi më”.
Po kështu raportimet për shënime në pasaportë nga doganierët grekë janë të përhershme, sërish pa sqarime dhe në shkelje flagrante. Ndoshta nuk është situatë e përgjithshme, por edhe pak raste sikur të jenë, këto shaka vlejnë vetëm për një shtet paçavure siç është ky yni.
Është një situatë shumë irrituese që nuk respekton asnjë të drejtë. Si nga shteti shqiptar, diçka e kuptueshme pasi drejtohet nga “shtetarë” që mund të jenë në kërkim ndërkombëtar, ashtu edhe nga shtetet pritës, sidomos Greqia që e ka të vjetër zakonin e kryqit mbi pasaportën shqiptare.
Shqipëria ka prezencë konsullore në Janinë, në Selanik, në Bari, në Romë dhe në Milano, por vallë vlen barra qeranë që të kërkosh me ndonjë telefonatë dikë në këto garsionera diplomatike që janë foleja e dallëndysheve partiake? Nuk vlen me siguri, sepse dinjitetin nuk ta jep asnjë rrogë. Ndaj bëni hall! Shtyhuni si të shtyheni në dogana me policë shqiptarë e grekë, fundja një erë mbajnë të gjithë. Ose jepini drejtim: bëni shqiponjën mbi gjoks se mbase aty afirmohet krenaria e mbetur nga një shtet zhgarravinë që pështymën e përçmimit që merr përditë nga “partnerët” patjetër që e shpërndan te populli i vet.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu