Nga Alma Nikolli
“Moj idiote femër”, më thirri një grua nga xhami i makinës së saj. Nuk kam qejf të më shajnë, sidomos gratë, aq më pak të panjohurat. Jo se mund të ma prishin ditën apo të më marrin një togfjalësh të barazvlefshëm në këmbim, por se nuk do di për kë të më vijë keq.
Më vjen keq që ajo grua do ketë rastin të edukojë një fëmijë, 2, 3 apo 4. Kushedi mund të jetë mësuese, ndonjë nga ato të videove që çmëson të vegjlit me shpulla. Mund të jetë police, që vendos rend, madje edhe nga ato bukuroshet që dalin nëpër gazeta si model sukseksi.
Mund të jetë çfarëdo, veçse jo modeli i gruas që bashkë me mua mund të ndikojë sadopak që Shqipëria të jetë ajo “Zonja e randë”, që kërkonte dhe Pashko Vasa dikur.
Veçse po na ngrohte i njëjti diell korriku, të vetmen të përbashkët me të kisha asfaltin që po shkelnim. Paralel, ajo me makinë, unë me biçikletë. Mes trotuarit e rrugës, imagjinoja gjatë gjithë kohës një hapësirë për “mjetin tim”, që të mos pengoja as këmbësorë e as drejtues mjetesh. Por sharësja s’donte të shikonte biçikletë me sy dhe e kishte me merak të ma thoshte, në mënyrën e saj.
Vetëm e dëgjova, se fill pas “dialogut” para se të merrja një drejtim, duhet të shikoja kryqëzimin që ajo e mërzitur nga ekzistenca ime s’e pa, vijova dyfish më e vetëdijshme se në rrugët e qytetit tim ata që ecin mbi biçikletë janë liliputë.
Kurse sot, doja të “parkoja” te oborri i ambulancës. “Jo, nuk lejohet”, tha roja. Së paku me nje buzëqeshje disi keqardhëse. Dëgjova më vonë se as karrocat e fëmijëve s’i lejojnë më në atë minioborr, se di, ashtu mos qoftë!
Të paktën roja miratoi vendimin tim ta lidhja në një shtyllë mes trotuarit. Sidoqoftë nuk pengoja kalimin e askujt. Shtylla ndante dy hapësira trotuari të pamjaftueshme për të kaluar 2 njerëz, një s’mundej që nuk mundej pa kaluar përmes përbindëshit metalik, dhe ja ku i doli fati biçikletës sime të përkohshme.
Të përkohshme meqë nuk ma kanë vjedhur akoma, e mbi të gjitha për faktin se ende nuk e kam guximin t’i lë prindërit në merak sa herë dal në rrugët e një vendi që i përket makinave./27.al