Lidhu me ne

Temporal

Mustafa, lëre të qetë Skënderbeun- Moikom Zeqo

Moikom Zeqo: Mustafa, lëre të qetë Skënderbeun
Nga Moikom ZEQO
Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk i ka bërë vetëm gati për 24 vjet (1444-1468) betejat e tij të mëdha me pushtuesit osmanë, por edhe pas vdekjes fizike, për gati 5 shekuj vazhdon një Edicion të Dytë të ndeshjes apokaliptike në betejat e fjalës, opinioneve, pohimeve dhe mohimeve nga më të skajshmet dhe më të çuditshmet, ku afirmimi i tij si Hero, jo thjesht semantik i shqiptarëve dhe i kombit shqiptar del i identifikuar nga e vërteta substanciale historike.
Po duket se kjo ndeshje nuk paska të mbaruar, duke kapërcyer mesjetën deri në kohërat moderne, madje dhe post-moderne, qoftë edhe për shkak të një ideologjie lëvizëse neo-otomaniste të strukturuar si globalizëm i një varianti militant, por edhe islamist.
Ky aktualizim i vrazhdë i mohimit të figurës së përndritur dhe epokale të Gjergj Kastriotit si dhe të shqiptarësisë së tij arrin deri atje, sa edhe në FB, në video, në You Tube edhe ca të ashtuquajtur imamër xhamish e shajnë haptas Gjergjin” si tradhtar të fesë islame,” duke bërë ashtu një mercenarizëm të neveritshëm antishqiptar dhe antihistorik, por edhe një manipulim ideologjizues fetar.

Moikom Zeqo

Në librin tim “Skenderbeiada” (Arnissa Edition, 2010) kam shkruar për vlerësimet negativiste ndaj Skënderbeut nga kronistët osmanë të shekujve XV dhe XVI.
Kronistë të tille si Ahmediu, Tursuni, Idris Bitlisi, Kemal Pashazade, Aliu etj shkruajnë me mllef për Skënderbeun.
Ata e quajnë “tradhtar të fesë islame, një kryengritës në “Pusin e Skëterrës” etj., një të pabesë ndaj sulltanëve etj, etj. Ja që amplifikimet, kinse të sotme, nuk janë gjë tjetër veçse imitime të përsëritshme, analogjike, të neveritshme të urrejtjes krejt të kotë, të shpërdoruar në shekuj etj.
Marin Barleti e shkroi historinë, Sagën Heroike të Skënderbeut duke e bërë një histori europiane dhe botërore. Asnjë libër nuk është ndërkombëtarizuar kaq universalisht në gjuhët linguistike të botës se sa kryevepra barletiane.
Dhimitër Frangu (1443-1525, bashkëkohës dhe e që e kishte njohur shumë afër Skënderbeun (ka qenë për pak kohe edhe arkëtar i tij) botoi gjithashtu një histori të famshme për Gjergj Kastriotin.
Kurse Frang Bardhi në 1636 e botoi librin “Apologjia e Skënderbeut” si një nga librat më të mëdhenj polemikë në rrafsh të historisë europiane, kundër falsifikimeve të origjinës etnike, shqiptare të Skënderbeut, duke përdorur një metodologji krejt moderne shkencore-me një erudicion të madh dhe analizë kirurgjikale të fakteve historike, për të mbrojtur të vërtetën.
Për origjinën e padyshimtë shqiptare të Kastriotëve kanë shkruar historianët më autoritativë shqiptarë dhe të huaj dhe gati askush nuk ka patur fuqinë, ambicien provokuese të mohojë këtë shqiptarësi identitare të kombit përkatës dhe përfaqësues.
Por ka edhe ndonjë si Shmid që e quan “babain e Skënderbeut sllav” si “vox in desertio”
Por për birin e tij nuk mund ta mohojë dot se është shqiptar, po kjo është një ” ontradictio in abjecto” ( kundërthënie e brendshme).
Dalim tashmë tek një farë zhurme, diletante, mediatike, si një shtjellim narcicist, i tezave të personave, që duan të tërheqin vëmendjen dhe të jenë në epiqendër, pra në optikën e ditës.
Është fjala e “një zbulimi se nëna e Skënderbeut është serbe etj”.
Historianë të tillë si Gjon Muzaka, Fan Noli, por edhe Kristo Frashëri dhe të tjerë janë marrë hollësisht me këtë subjekt.
Kristo Frashëri që i kushtoi gjithë jetën Eposit Kastriotas, është gati shterues në këtë problematikë, që ngjan si strategjëmë e lodhshme, ose më saktë një tautologji.
Ai ka nënvizuar saktësisht se Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Tribaldën, e bija e sundimtarit të Pollogut (trevë midis Gostivarit dhe Tetovës).
Në një Prokurë Noteriale, të lëshuar në 15 mars 1439, e shoqja e Gjon Kastriotit quhej Jella, pra kishte edhe këtë emër. (Që e mbante dhe vajza e tretë e saj dhe e Gjonit).
Emrin Vojsava e kanë përdorur për vajzat e tyre edhe Karl Topia dhe Gjergj Arianiti.
Por askush nuk ka thënë deri më sot se vajzat e tyre, për shkak të një emri si Vojsava paskëshin qenë sllavë, ose sidomos serbë etj. Gjon Muzaka në Kroniken e tij, të vitit 1510, e thotë shkoqur dhe pa asnjë mëdyshje “se Tribaldet qenë shqiptarë”.
Sa për dijeni- për tërë diletantët e paepur- emri Tribalda, ose Triballët nuk është me origjinë sllave, por ilire.
Shihni dhe sot, treva midis Gostivarit dhe Tetovës është dhe sot e banuar nga shqiptarë autoktonë, në një vijimësi shekullore, padyshim.
Fan Noli ne Doktoraturën e tij historike, për Gjergj Kastriotin, thotë “kryezotët e Pollogut ishin shqiptarë që paktën që nga koha e Balshajve.”
Georg Hahni, Babingeri, Fallmerayeri etj nuk e vënë asnjëherë në diskutim shqiptarësinë e Heroit shqiptar, por as nuk e vënë në fuksionalizim absurd, ose klientelist etnicitetin e tij, thjesht si “luftëtar i krishtërimit.”
Kjo pikë është shumë e rëndësishme.
Të thuash se Skënderbeu ishte më shumë “i krishterë, sesa shqiptar”, është gjithashtu një nonsens logjik.
Përcaktimi “i krishterë” është multinacional, joetnik, por ndërkohë italianët, shqiptarët, spanjollët, sllavët, bizantinët etj ishin etnicitete të ndryshme, të ravizuara shumë qartë, të profilizuar si kombe te mëvetshëm, që në Mesjetë, siç e ka vënë në dukje për të Europën, mjeshtri i shkëlqyer i Mesjetës, dijetari francez Jacques Le Goff.
Mos të harrojmë, se Gjergj Kastrioti u njoh me emrin e tij turk Skënderbe, (që reflektonte konvencionalisht një tjetër fe nga krishtërimi,) por ai qe një në fakt një mbrojtës i konceptit substancial kulturologjik dhe qytetërues të Europës Perëndimore, kundër pushtimit osman-që zgjati katër shekuj -jo pak!
Në këtë pikëpamje, Skënderbeu që realisht një mbrojtës i krishterimit europian, por më shumë dhe në thelb i vetë qytetërimit europerëndimor. Që është shumë më substancial se religjioni konvencional-që disa vite më vonë do të përjetonte edhe degamat dhe shtjellimin e Reformës dhe Protestanizmit Luterian.
Ideja qëndërsuese kombëtare e Skënderbeut është padyshim një ide novatore dhe e pashembullt, ide e një mendimtari politik, jo thjesht i një mjeshtri të armëve.
Prandaj, konceptualisht Skënderbeu është figura më e madhe kombëtare e jona në të gjitha kohërat.
Ndaj është dhe do të jetë Heroi Kombëtar i shqiptarëve, të vdekur dhe të gjallë, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.
Kjo ide Skënderbeiane çoi në iluminimin dhe vetëdijen e shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Tani le të rikthehemi tek subjekti mediatik i tanishëm, që për mua është një shpërdorim i stërlodhshëm dhe krejt i rremë!
Çfarë janë këto “pasione” fantazmagorike për historinë dhe sidomos për Gjergj Kastriot Skënderbeun?
Për shkak të marrëzive erazmike të shqiptarëve me dituri sipërfaqësore dhe të banalitetit spektakolar të mediave, të demonizuar nga politika provinciale shqiptare?
Apo një trill, një farë depresioni dhe angushtie mendore?
Paqartësi, apo rikonceptualizimi dhe revionizim shkencor?
Mjaft më!
Mjaft më!
Lëreni të qetë Skënderbeun e madh dhe të papërsëritshëm!
Lëreni të qetë të patjetërsueshmin!
Mjaft më!
Gazeta Dita
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar3 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix3 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix3 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix3 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix3 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar3 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet3 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore3 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet5 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar5 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook