Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar tarifat e reja, për më shumë se 5631 studentë që hyjnë për herë të parë në auditor.
Çmimi për secilën degë parashikohet të jetë i njëjtë deri në përfundim të studimeve, me përjashtim të fakultetit të Drejtësisë.
Çmimi që duhet të paguajnë studentët e rinj për t’u shkolluar në një nga degët e Universitetit të Tiranës, vlerën më të ulët e kanë gjuhët e huaja dhe degët e shkencave të natyrës, prej 25 mijë lekësh. Ndërsa tarifën më të lartë e kanë fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Drejtësisë, 40 mijë lekë për secilin profil.
Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe filialin e Sarandës, do të ketë tarifë 35.000 lekë, ndërsa për pesë degët te Histori-Filologjia do të paguhet një çmim prej 30 mijë lekësh.
Ata që dëshirojnë të ndjekin një program të dytë studimi i nënshtrohen një pagese disa fish më të lartë se ajo e studentëve që ulen për herë të parë në auditorë.
Juridiku vazhdon të jetë ende i shumëkërkuar, si program i dytë studimi ka tarifën më të ulët, krahasuar me degët e tjera. Vetëm 63 mijë e 341 lekë ose 23 mijë më shumë se ata që studiojnë këtë degë për herë të parë. Po ashtu, profilet e Ekonomikut ofrohen me dyfishin e tarifës fillestare, 80 mijë lekë.
Ndërsa, për një diplomë të dytë në një nga profilet që ofron fakulteti i Shkencave të Natyrës duhet të paguash 203,690 lekë.
Të gjitha tarifat janë miratuar me kohë nga senati dhe pritet të vulosen nga Ministria e Arsimit. Sipas ligjit të arsimit të lartë, senatet akademike votojnë tarifat e reja pasi Këshilli i Ministrave të dalë me një vendim, ku të përcaktojë çmimet tavan dhe dysheme për çdo profil.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu