Për t’u futur në provimin e shtetit, nëse ke përfunduar studimet në një degë mësuesie, nuk mjafton vetëm shlyerja e detyrimit të lëndëve përkatëse të 5-vjeçarit, por edhe mbrojtja e gjuhës së huaj, shkruan Panorama.
Kjo nënvizohet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (ish-AKP) për provimin e kandidatëve për mësues. “Kandidatët të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas kateve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
QSHA-ja nuk do të mundësojë kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit”. Këtë QSHA-ja e mbështet në nenin 7 të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin thuhet se formimi dhe kualifikimi profesional i një personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar me ligj duhet të përmbajë edhe kualifikime profesionale që vërtetohen me dokumente zyrtare.
Në tabelë janë të listuara dokumentet që duhet të kenë me vete ditën e provimit kandidatët për mësues. Sipas njoftimit të QSHA-së, testimet për 23 profile mësuesie nisin në javën e parë deri në të tretën e korrikut. Brenda pak ditësh, në faqen e QSHA-së (ende akp.gpv.al) duhet të publikohet kalendari me datat sipas profileve, bashkë me emrat e kandidatëve që do të testohen. Gjatë kësaj kohe, të interesuarit mund të ushtrohen në testime nga shtëpia nëpërmjet aplikacionit të provimeve të shtetit. Nga ana tjetër, në faqen zyrtare është në dispozicion dhe fondi i pyetjeve dhe programet orientuese për secilin profesion, nga i cili do të përzgjidhen në mënyrë rastësore pyetjet në tezën finale.
DOKUMENTET
• Letërnjoftim
• Kopje të ID ose pasaportës
• Faturën e pagesës së tarifës për llogari të QSHA-së Kopje të diplomave bachelor e master
• Në rast ndryshimi të mbiemrit, certifikatën përkatëse