Lidhu me ne

Aktualitet

Bashës i del në mbrojtje vetëm Henri Çili

Pas deklaratave të fortatë ish-deputetit të PD-së Bensik Mustafaj ku kërkonte dorëheqjen urgjente të Bashës, ka reaguar edhe botuesi i mediave Mapo Henri Çili. Përmes një shkrim në Mapo Çili shprehet se nuk mund t’i kërkohet llogari Bashës për rezultatin, kur ai u bë lider i vërtetë i partisë vetëm këto muajt e fundit. Gjithashtu Çili shkruan se Basha është një aset i së djathtës dhe i politikës shqiptare.
Shkrimi i plotë i Çilit:
Botuesi i mediave Mapo replikon me ish-ministrin e Jashtëm demokrat, Besnik Mustafaj që kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës
Miku im Besnik Mustafaj, në nxitim dhe panik të pazakonshëm, i kishte kërkuar që sot dorëheqjen Lulzim Bashës për rezultatin e dobët në zgjedhje. As që i dyshoj qëllimet e mira të këtij njeriu të mirë dhe me vlera në jetën publike, por jam kundër gjykimit thellësisht jopolitik të situatës, kontekstit dhe liderit Lulzim Basha. Po, është e vërtetë, Lulzim Basha nuk arriti ta sjellë në pushtet PD-në brenda një mandati opozitar, po kush nuk e dinte këtë. Vetëm budallenjtë!
Së pari, është shumë e rrallë, madje aksidentale, që qeveria në fuqi të mos e marrë një mandat të dytë për performancë apo inerci, inerci apo performancë, nuk ka rëndësi. Së dyti, kush mund t’i kërkojë sot llogari Lulzim Bashës për rezultatin, kur ai u bë zot i veprimeve të veta vetëm së fundmi, jo më pak se pesë-gjashtë muajt e fundit. Vetëm maskarenjtë do të ishin ata që do ta kërkonin këtë llogari, kur ai u bë lider i vërtetë i partisë vetëm këto muajt e fundit.
Së treti, kush mund ta llogariste që kontributorët e humbjes së vitit 2013, deri para disa javësh, protagonistë të luftës opozitare, nuk do kontribuonin bindshëm edhe me humbjen e thellë të 2017-ës. Ky është konteksti, të cilin miku Mustafaj e neglizhon. Po ashtu, diçka e madhe e strukturore ka ndodhur në spektrin politik së paku prej 20 vitesh: tripolariteti, LSI dhe figura e Ilir Metës në politikën shqiptare, të cilin Lulzim Basha as është përgjegjës që e shkaktoi, as mund të jetë herkul politik që ta zhbëjë.
Prezenca e LSI në spektrin politik duhet të menaxhohet. Mesa duket është e qartë tani e tutje se pa LSI-në nuk mund të ketë rotacion politik kundrejt të majtës as në të ardhmen. Pikërisht tani kur Lulzim Basha po formëson identitetin e tij politik, profilin e tij dhe stilin e tij, ai nuk mund të ndëshkohet, ai duhet të mbajë përgjegjësi dhe të bëjë korrigjime, por assesi të tërhiqet. Sigurisht Partia Demokratike ka nevojë për një proces, spektri i djathtë ka nevojë për një strukturim përtej PD-së.
Partia Demokratike duhet të jetë parti korrentesh e nuancash dhe jo një parti unicentrike. Por për të gjitha këto ka kohë: një proces i hapur primaresh brenda PD dhe të djathtës duhet të zhvillohet në një koncept federues si qendrat e djathta të shumë vendeve perëndimore, duke braktisur modelin unicentrik të deritashëm të Partisë Demokratike, që mund ta realizonte një lider karizmatik dhe historik si Sali Berisha, por që fatkeqësisht e aplikoi me naivitet Basha.
Për të gjitha këto ka kohë dhe analiza sapo ka filluar. Por në këto ditë, kur të gjithë duan të shikojnë difektet dhe paaftësitë e Lulzim Bashës, unë dua të rendis disa merita të tij, jo të pakta, jo të thjeshta për t’u arritur në një kontekst të vështirë politik si Shqipëria. Së pari, Lulzim Basha është lideri më i besueshëm politik i të djathtës për partnerët perëndimorë, SHBA dhe Gjermania. Së dyti, ai i solli Shqipërisë një standard të ri me luftën e fituar për dekriminalizim.
Së treti, me luftën e tij për reformën në drejtësi, krahas faktorëve të tjerë, ai e përmirësoi dukshëm këtë proces dhe e rriti besueshmërinë e tij për të gjithë shqiptarët. Kurse me marrëveshjen Rama-Basha, edhe pse humbi vetë shumë në planin taktik dhe brenda partisë, ai i dha një kontribut të madh Shqipërisë, duke themeluar plotësisht bashkë me kryeministrin, zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke hequr kriminelët nga politika dhe fushata, duke mbajtur administratën larg përdorimit politik në zgjedhje, duke na dhënë një fushatë evropiane.
Kjo sakrificë në planin partiak dhe personal, për interesin publik, duhet të jetë një meritë publike dhe një kosto për figurën dhe të ardhmen politike të Lulzim Bashës. Për të gjitha këto arsye, Basha është figura politike më me vlerë e opozitës. Ai ka arritur të bëjë shndërrimin gjeneracional në politikën shqiptare, ai ka arritur të imponojë një kulturë të re politike. Si i tillë, ai është një aset për politikën dhe të djathtën shqiptare. Madje është aseti kryesor. Kundërshtarët e tij janë dukshëm pa vlerë.
Ata do të ishin një fat më i zi për të djathtën shqiptare. Sigurisht ata duhet të jenë të pranishëm, duhet të kenë rolin dhe proporcionin e tyre. Por rivalizimi me Lulzim Bashën, pasi janë përgjegjës për humbjet e të shkuarës dhe kontribues për humbjen e sotëm, është një miopi. Dhe së fundmi, Lulzim Basha ka shumëçka për të ndryshuar në profilin dhe aksionin e tij. Sigurisht që katër vjet përvojë si lider i opozitës dhe si djalosh i ri 43-vjeçar që është, i kanë dhënë një përvojë të çmuar për të qenë i qartë dhe i vendosur në veprim; për të mos pasur ekuivoke në ideologji; për të pasur sensin e masës dhe realizmit; për të krijuar dhe rritur netuorkin; për të partnerizuar me luajalitet me partnerët kombëtarët dhe ndërkombëtarë.
Të prodhosh një lider politik nuk është e lehtë për një parti, për një krah politik, për jetën politike. Vazhdimi i Lulzim Bashës në politikë dhe në krye të opozitës është një interes publik i dorës së parë. Të gjithë për parim mund të fillojmë të jemi nga sot opozitarë. Të opozitës euro-atlantike të Lulzim Bashës.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Aktualitet1 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar1 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Radar1 ditë më herët

Emër për emër: Cilët janë deputetët e PS që do jenë në listë të mbyllur, ja kandidatët që mbledhin votat

Ndërsa afrojnë parlamentaret e 11 majit, Partia Socialiste po përgatit listën finale të kandidatëve për deputetë. Duke analizuar formulën e...

Kryesore1 ditë më herët

Cilët do të jenë kandidatët e PS dhe PD në 11 maj? Emrat që përfliten në 12 qarqet e vendit

Rama-Berisha Ja emrat më potencialë nga dy partitë kryesore… Sali Berisha dhe Edi Rama kanë futur në ankth deputetët aktualë,...

Kryesore2 ditë më herët

“Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit”, Berisha: Asnjë arritje në 12 vite, i kanë mbetur në gojë zhabat

“Ne paraqesim një projekt që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë më parë”. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha...

Radar2 ditë më herët

“Kanadaja nuk do jetë kurrë amerikane” – Do të zëvendësojë Trudeau si kryeministër, kush është Mark Carney

Partia Liberale e Kanadasë ka zgjedhur me shumicë dërmuese Mark Carney si kryeministër të ri të vendit, teksa ish-guvernatori i...

Mix3 ditë më herët

Këto 5 shenja horoskopi janë magnet për suksesin

Disa njerëz duket se kanë një aftësi të lindur për të tërhequr fatin dhe suksesin, ndërkohë që të tjerët përpiqen...

Mix3 ditë më herët

Natalie Portman në një romancë dashurie

Natalie Portman  është në lidhje me muzikantin francez Tanguy Destable, konfirmoi People të premten. Media franceze Voici ishte e para...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz: Jeta nis 50 vjeç!

Sapo ka kaluar pragun e gjysmë shekulli dhe duket se aktorja spanjolle nuk ndalet drejt qëllimit për të prekur të...

Aktualitet3 ditë më herët

Linda Rama në Samitin e Forbes në Abu Dhabi: “Shqipëria ka mësuar nga pësimet”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi u zhvillua samiti prestigjioz “Forbes 2025”, një ngjarje që mbledh...

Facebook