Lidhu me ne

Temporal

Fushata më e shëmtuar e pluralizmit!

Nga Blendi FEVZIU

Si mund ta quaj këtë fushatë dhe sa konsideratë mund të kem për të, pyeta veten dje në darkë, kur fushata e 25 Qershorit u mbyll. Fati e ka sjellë  të ndjek çdo fushatë zgjedhjesh kombëtare që prej 31 Marsit, 1991. Në këto 26 vjet, kjo është fushata e 11-të që përcjell si gazetar (pa llogaritur zgjedhjet lokale). Është e gjashta fushatë në 20 vitet e emisionit ‘Opinion’ që e kam përcjellë nga studioja live çdo natë. Sot mund të them një gjë, me bindje të plotë: ishte një fushatë e mërzitshme, një fushatë bosh dhe padyshim më e keqja që unë njoh në këto 26 vjet.
Si do ta klasifikoja këtë fushatë, pyeta vetën sërish dhe gjeta vetëm një përgjigje: pa pasion, pa emocion dhe tejet teatrale. Një teatër i madh ku mungonte një gjë që në fushatat shqiptare nuk ka munguar kurrë: shpirti i sfidës.
Ishte një fushatë shumë larg asaj të 3 Korrikit 2005, që ka qenë padyshim më e mira në Shqipëri këto 27 vjet. Një fushatë e mbushur me besim, bindje, frymëzim dhe padyshim kredo morale. Një fushatë ku Berisha, Nano e Meta, prodhuan një ndër spektaklet më të jashtëzakonshëm politike të këtij vendi dhe ku secili, besonte me shpirt në atë që deklaronte. Ishte një fushatë që sfida direkte e mazhoritarit e bëri edhe më të mprehtë dhe që vështirë se do rikthehet sërish me atë emocion në Shqipëri. Një fushatë ku u përballën ide, programe, por ku nuk mungoi edhe ajo që gjendet kaq rrallë në Shqipëri, ndjesa publike.
Ishte një fushatë që nuk kishte entusiazmin dhe naivitetin e asaj të 1991 dhe 1992. Nuk kishte shpresën që ngjallnin ato të dyja dhe dashurinë e besimin mes liderëve politikë dhe votuesve të tyre. Për arsye specifike, ato dy fushata nuk përsëriten më, dhe për mua, mbeten margaritaret e pluralizmit dhe garës politike në Shqipëri.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 1996, e tensionuar, por e mbushur me besimin e palëve që në garë ishin më mirë dhe më bindës se kundërshtari. E dominuar nga besimi për fitore dhe me një garë reale, garë plot pasion.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 1997, me rreziqe, plumba, dhunë e vrasje, por me vendosmërinë e politikanëve për të komunikuar me zgjedhësit e tyre dhe për t’ju garantuar atyre një të ardhme më të mirë. Një të ardhme permes votës. Edhe ajo ishte një fushatë e vërtetë, edhe pse tejet e vështirë.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 2009, një përballje brilante e dy shkollave, asaj të Berishës tradicional dhe plot pasion e bilanc, me atë të Ramës që premtonte një politikë të re. Një fushatë po ashtu mbresëlënëse qoftë edhe në ballafaqimet publike.
Nuk ishte një fushatë as si ajo e 2013, kur Rama e Meta ja arritën të ngjallin shpresën për ndryshim dhe kur Berisha, me shifrat në disfavor, qëndroi në fushëbetejë deri sekondën e fundit, me bindjen që vetëm vota mund ta largonte prej andej.
Nuk ishte as si dy fushatat e referendumeve të kushtetutave, më 1994 dhe 1998, mbushur me tension dhe dëshirë për të sfiduar tjetrin. Jo! Ishte një fushatë as e shëmtuar dhe as e bukur. Ishte një fushatë e mërzitshme. Mund të thoja me shumë lehtësi: ishte më e keqe se ajo e 2001 që unë e konsideroja më të shëmtuarën deri sot.
Ishte një fushatë ku asnjë nga liderët nuk ngjante i vërtetë. Rama me teatrin e tij që pengesë për vendin kishte qenë LSI dhe me fabulën e timonit; Meta me kontestimin e qeverisjes 4 vjeçare ku kishte qenë pjesë ndërkohë që vijon të qëndrojë në qeveri; Basha me Republikën e Re, që më shumë e ka përdorur si grafikë të bukur banderolash se sa e ka shtjelluar si aksion politik.
Ishte një fushatë ku Rama dhe Meta nuk dhanë llogari për qeverisjen dhe ku Basha nuk ja doli të hapë debat për programin dhe premtimet e tij. E gjithë vëmendja u përqëndrua tek batutat mes Ramës e Metës. Ato që do kujtoten nga kjo fushatë janë poturet e Ramës, 2 gishtat me trëndafil, kazani, tepsia, pantallonat prej doku të Bashës apo sporti me selfie “alla Rama”, deklarata e Metës se vendimet e LSI i merr Petrit Vasili dhe padyshim më e famshmja, timoni që Rama e kërkoi kaq shumë nëpër Shqipëri, por që makinës nuk di t’i japë.
Ishte një fushatë për t’u harruar dhe padyshim që do të harrohet shpejt…/Opinion.al
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar3 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix3 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix3 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix3 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix3 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar3 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet3 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore3 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet5 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar5 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook