Para katër vitesh ajo ishte deputetja më e re në Parlamentin e Shqipërisë, duke shkaktuar jo pak habi. Tanimë si e dyta në listën e kandidatëve të LSI në Tiranë , duke u përgatitur në mandatin e dytë, rrëfen sesi është rritur jo vetëm në moshë, por edhe përfaqësim të qytetarëve, kauzave dhe politikëbërjes
Katër vjet të shkuar, kur sapo i kishte mbushur të njëzetat, nuk kishte ditë që të mos e ndalnin në hyrjen e Kuvendit të Shqipërisë punonjësit e Gardës së Republikës, për ta pyetur se ç’kërkonte aty…Kështu e kujton ajo vitin e parë të mandatit si deputete “Nuk e di pse ndodhte e njëjta gjë, mbase ndërronin turnet dhe nuk më kishin fiksuar si portret apo mbase ngaqë unë nuk përdorja as grim e as taka të larta që do të më rrisnin pak në moshë” – kujton duke qeshur.
Por edhe sot, pas katër vitesh, në një ditë fushate ku nën forcën e Lëvizjes Socialiste për Integrim ajo po garon për një mandat të dytë si deputete në Tiranë, Kejdi Mehmetaj, e renditur e dyta në listë, pas ministres aktuale të Integrimit, Klajda Gjosha – ka mbetur e njëjta vajzë e vogël me fytyrën pa grim, sytë e mëdhenj blu e buzëqeshjen e çiltër, e veshur me një fustan të thjeshtë dhe këpucë të sheshta, sikur sapo të ishte kthyer nga një provim në fakultet.
“Këta katër vjet fola për të rinjtë, për arsimin, punësimin e të rinjve. Kjo ishte kauza ime dhe u përqendrova te kjo kauzë. Këtë mandat përfaqësoj jo vetëm zërin e të rinjve, por zona më të mëdha elektorale, të dy njësive me peshë në Tiranë” – rrëfen Kejdi, ndërsa shton se me rritjen në moshë – tashmë i ka mbushur 24 vjeç –rriten edhe kauzat apo çështjet që merr përsipër të përfaqësojë. “ Për këta katër vite kam bërë projeksionin tim të çështjeve të cilat do të mbroj në parlament. Asnjë nuk është i gjithë ditur, të gjithë mësojmë rrugës, por e rëndësishme është të bashkojmë forcat dhe të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë. Kjo ka vlerë” – thotë ajo, e bindur se rezultatet e 25 qershorit do e nxjerrin partinë që ajo përfaqëson forcë të parë. “ Shpresojmë të bëjmë më shumë sesa kemi bërë, sepse në këta katër vjet e kam ngritur zërin shumë, por disa gjëra na ngelën pa ndryshuar, sepse i besuam një qeverie që tradhtoi besimin tonë. Tani do të jetë ndryshe situata, do të jetë më i madh grupi i LSI në Parlament, krahët do i kemi më të ngrohtë e do i çojmë deri në fund gjërat”.
Kur u zgjodh deputete në zgjedhjet e 2013 –ës, e renditur e shtata në listë (dhe e përzgjedhur për të qenë aty kur ende ishte 19 vjeç) nuk habiti vetëm mosha e saj e re, duke mbajtur ndoshta rekordin e moshës më të re të një deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, por edhe forca, oratoria dhe zhdërvjelltësia me të cilën parashtronte të gjitha çështjet që kishte marrë përsipër të ngrinte në seancat parlamentare.
Ishte pikërisht elokuenca për t’i shprehur qartë mendimet e saj, por edhe guximi për të përfaqësuar grupe ku ajo bënte pjesë që e afruan te politika. Kujton sesi ishte e para që ngrinte zërin për çështje të ndryshme në shkollë, sesi përfshihej në debatet apo projektet. “Dikush më tha: “pse nuk vjen në LSI se ata i vlerësojnë të rinjtë?!”.
“Kështu nisi aktivizimi edhe pse në fillim edhe vetë e mora me skepticizëm: çfarë mund të bëjë një vajzë kaq e re, a mund ta dëgjojnë apo jo?”. Momenti kur e mora seriozisht ndodhi pas tri javësh aktivizim, kur në një aktivitet për Maturën Shtetërore ( mua më ka shoqëruar Matura Shtetërore nga dita e parë e angazhimit e deri sot ) mbajta një fjalë të shkurtër dhe 400 veta në sallë më dëgjuan, pa ditur nëse isha apo jo aktiviste apo kish isha unë”.
Nga ajo ditë prania e saj në LSI është bërë e pandarë, ku një nga pjesët më të gëzueshme janë festat me të rinjtë e Forumit Rinor LRI “Gjejmë gjithnjë diçka për të festuar, sepse është mirë kur krijohej një përzierje mes bërjes së politikës brenda moshës dhe aktivizimit apo socializimit me njëri-tjetrin. Ajo që gjykoj unë është se merr një eksperiencë që të ndihmon të punosh në komunitet, të gjesh bashkëpunëtorë, të ndash një detyrë të caktuar dhe të rinjtë shqiptarë sot kanë pak vende ku mund të angazhohen dhe nëse politika shërben edhe për këtë arsye, pse jo”.
Puna në komunitet, ka qenë një tjetër çështje që Kejdi e ka pasur përzemër, që e çoi të propozonte edhe Ligjin për Vullnetarizmin ( jo vetëm me zërin , por edhe aktivizimin e saj tregoi për katër vite se nuk ishte thjesht një karrige në ato 140 të tjerat ).
“E mora me shumë dashuri dhe përsipër ta ndërtoja atë ligj. Kam punuar me një grup ekspertësh, por edhe të rinjsh dhe e shihja si ndihmesë që i bëja grupmoshës sime, përveçse të punuarit dhe shërbyerit në komunitet çdokujt do i interesonte –shoqëritë e zhvilluara në botë fitojnë në buxhetin e shtetit nga kontributi vullnetar – dhe do i jepja mundësinë një të riu që në fund të ditës të thoshte se kishte një eksperiencë pune. Ne i gjykojmë të rinjtë pikërishst se nuk kanë eksperiencë pune. Pastaj u hasa në parlament me kolegë, jo nga ata me rekorde kriminale apo se janë biznesmenë, por nga ata përfaqësuesit tipikë të shoqërisë civile që ishin kundër që ky ligj të kalonte, për shkak se e kisha propozuar unë dhe unë isha më e reja. Si mundesha unë të propozoja një ligj ndërkohë, që ata kishin vite?!” . E megjithë momentet kur është ndjerë keq, e pranon se çdo sferë ka vështirësitë e saj, e politika më shumë se të tjerat e kur merr përsipër të jesh figurë publike – edhe në moshën 20 vjeçare –i ke parasysh edhe këto.
Megjithëse e ka dëgjuar shpesh sa herë ka kërkuar llogari në parlament “Se ti je vajzë e vogël!”, nuk është stepur në të sajën. “Tek e fundit, ç’rëndësi ka mosha ime kur unë e kam bërë detyrën ashtu siç duhet!”.
Këto zgjedhje ajo duket si kumbara e më të rinjve, që ndjekin hapat e saj. “Kam qenë deri tani deputetja më e re në parlament. Por deri tani, sepse me listat e reja kam bindjen që do ma thyejnë rekordin e do jem shumë e lumtur për këtë. Kemi një djalë maturant 18 vjeç, dy të tjerë nga 19 vjeçarë e plot të tjerë 20 –vjeçarë” –tregon Kejdi.
Për ata zëra kritikë e skeptikë për përfshirjen e të rinjve në politikëbërje – kur nuk kanë pasur asnjë përvojë tjetër profesionale përpos studimeve – Kejdi ka një përgjigje; të rinjtë janë ato hallka që do zëvendësojnë pjesët e ndryshkura e të vjetra të mekanizmave që e pengojnë vendin të eci përpara. “Kudo ku ka një gjë të vjetër e të ndryshkur që nuk ecën dhe bllokon të gjithë pjesën tjetër. Fatkeqësisht ose fatmirësisht për mua nga njëra anë sepse m’u dha mundësia të tregoja vlerat e mia. Ka qenë një parlament që nuk ka treguar vlera të larta as qytetarie e as politikë bërjeje”- thotë ajo e keqardhur që shpesh seancat në katër vite përfundonin në diskutimin për eksponentë me rekorde kriminale e rrallë flitej për çështje të rendidt të ditës “Sulme personale, fjalë të pahijshme e boshe e asgjë konkrete. Megjithatë në këtë vorbull u përpoqa të gjeja veten duke folur për ato çështje për të cilat u bëra edhe pjesë e parlamentit. Fjala ime e parë ishte për Maturën Shtetërore dhe thuajse çdo të enjte kam pasur një fjalë që ka qenë ose për arsimin, ose për punësimin e të rinjve, ose për marrëdhëniet e Shqipërisë brenda rajonit dhe më gjerë, marrëveshjet në kuadër të Bashkimin e Europian që prekin mbi të gjitha të rinjtë… Jam përpjekur të fokusohem dhe të ngre zërin për atë grup që unë kam menduar se më ka besuar dhe votuar që t’i përfaqësoj në parlament.
Rrugëtimi i saj jo vetëm në strukturat e LSI- ku fillimisht u zgjodh nënkryetare e LRI, më pas , më 2012 –ën pjesë e kryesisë e derisam ë 2013 u zgjiodh për të kandiduar – por edhe në Parlament është shoqëruar me studimet e saj. Përtej deputetes në Parlament ku Kejdi krahas moshës së re ka spikatur për veshjet formale, me këmishat dhe xhaketat dhe një look i patëmetë që respektonte plotësisht protokollin dhe vendin e saj të punës, ka qenë edhe studentja e rregullt e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku ka mundur të ruajë rezultate të shkëlqyera. “ Pavarësisht gjykimeve që ka gjithsecili për t’i shfrytëzuar në situate politike dhe nuk më bën përshtypje, unë kam rezultate shumë të mira në shkollë dhe janë profesorë të nderuar që mund ta tregojnë këtë dhe ndihem mirë që kam zgjedhur një profesion larg politikës, por që më jep mundësinë në çdo rast të kem një përgatitje timen. Një profesion jo shumë i përhapur por të mban në tregun e punës”. – rrëfen, ndërsa studimet Master do të jenë më pranë dimensionit të angazhimit të saj si politikane. “Politikës së pari i duhen njerëz që kanë konceptet bazë së pari të edukatës, që në politikën shqiptare mungon, së dyti të profesionit të tyre cilidoqoftë dhe së treti të përfaqësojnë dhe të kanë një qëllim në politikë”.
Megjithë ëmbëlsinë e fytyrës dhe buzëqeshjen që nuk i ndahet prej portretit kur nis të flasë për programin e LSI- në këtë katër vjeçar qeverisjeje, toni i saj bëhet ngulmues dhe bindës. “Kemi një program konkret që gjendet kudo. Në ëebsite-in zyrtar, i printuar dhe i shpërndarë në cdo derë qytetarë, që prek çdo sektor dhe në fund me një faturë financiare, sepse mund të duash të bësh shumë gjëra por duhet të jesh transparent me qytetarin si do ia dalësh t’i bësh me buxhetin që kem”.
Ajo thotë se programi i LSI, me një vizion përtej 4 –vjeçarit, fokusohet kryesisht në bujqësi, turizëm, shërbime dhe infrastrukturë. “Që vendi të zhvillohet jo vetëm për të prodhuar vende pune, por të mirë paguara, një plan të qartë për uljen e taksave, po ashtu kemi një program për punësimin e të rinjve nëpërmjet praktikave të punës, granteve për bizneset e reja, subvencionet për bizneset e punësojnë të rinjtë e deri te arsimi që është më i dashuri im ndoshta, një ri konceptim nga çerdhja e kopshti, jo deri në mbarim të doktoraturës por në atë që quhet në botë studime gjatë gjithë jetës. Kemi përshtatur modelin finlandez me kushtet e Shqipërisë, duke rritur për arsimin, te infrastruktura, mbështetja për mësuesin, kurrikulat, etj.”. , thotë Kejdi, e bindur se siç ka rënë miti i partive të mëdha në botë, ka rënë edhe ai i paragjykimit të moshave të reja. “Njerëzit janë lodhur duke ndjekur një ideal që nuk përkthehet në shërbim të qytetarëve. Ajo që duan të shohin është energji t reja, propozime të reja që shkon drejt shërbimit dhe interesave qytetare”./Madamemapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu