Shanset elektorale dhe premtimet e Sfidës, Librës, APD-së dhe PAA-së. Çfarë po ndodh, cila është perspektiva e tyre, çfarë roli kanë për të luajtur ato pas zgjedhjeve kur kombinimet qeveritare do të jenë të vështira ose kur një marrëveshje PD-PS mund t’i nxjerrë plotësisht jashtë loje. Çfarë mendojnë drejtuesit e disa prej këtyre partive?!
Nga Nevila Perndoj, Revista Mapo
Trendi i partive apo lëvizjeve antisistem, që u ndal vetëm muajin e kaluar nga zgjedhja e Emmanuel Macron Presidenti i Francës, ka përfaqësuesit dhe ndjekësit e tij edhe në fushatën elektorale shqiptare që pritet të prodhojë verdikte mjaft interesante më 25 qershor.
Veç paktit Rama-Basha që e kanë kthyer fushatën, një ndër më të qetat e pas viteve ’90, ajo që i bën atipike zgjedhjet e tanishme janë dhe partitë e reja që e ndërtuan profilin me pretendimin maksimal të zëvendësimit të elitës politike me njerëz të rinj dhe pa shumë lidhje me mëkatet e pushtetit.
Ato janë katër forca politike me renditje të ndryshme në fletën e votimit për zgjedhjet e afërme. Në listën e 18 partive politike, ato shihen si “new entry” jo vetëm se garojnë për herë të parë (përveç PAA-së), por edhe për vetë targetin që identifikojnë. Aleanca Popullore për Drejtësi synon zgjidhje përfundimtare për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, Partia Agrare Ambientaliste fokusohet te bujqësia, ndërsa “Sfida” dhe “Libra”, dy parti atipike për politikën aktuale, shkojnë edhe më larg, në çrrënjosjen e sistemit aktual politik.
Sfida
Në vitin 2015, si kandidat i pavarur për Bashkinë e kryeqytetit, Gjergj Bojaxhi e identifikoi veten me secilin prej atyre që jetonte në Tiranë i paqetë, në ajër të ndotur apo rrugë të pashtruara. Të tillë ishin shumë, aq sa i besuan atij një votë të konsiderueshme për Tiranën. Por duke i mveshur profilit të tij edhe një angazhim konkret politik, gjithçka merr përmasa të tjera. Ai është produkt i ish-Komitetit të Orientimit të Politikave i vitit 2005. I angazhuar më pas simbolikisht në strukturat e PD-së, Bojaxhi, ish-drejtor i KESH si dhe ish-zv.ministër i Ekonomisë e ka mbyllur kapitullin prej kohësh me këtë forcë politike.
Anëtar themelues i “Sfida për Shqipërinë”, Bojaxhi synon atë që nuk ka ndodhur këta 27 vjet postdiktaturë. Bashkë me disa intelektualë dhe aktivistë të shoqërisë civile, Bojaxhi vjen me një synim gati-gati të pamundur; sfidimin e dy partive të mëdha e për pasojë tronditjen e sistemit. “Sfida” është e vetmja parti pa parlamentarë të vjetër”, të thotë ai. Duke i besuar postulatit se politika pastrohet me votë, Bojaxhi e ka orientuar partinë “Sfida” drejt katër parimeve − zë, dinjitet, përgjegjësi dhe mundësi për të gjithë. I vetëdijshëm se janë të shumta problemet që shqetësojnë shqiptarët, si: papunësia, korrupsioni, rënia e ekonomisë apo gjendja e shëndetësisë, Bojaxhi punton si problemin më madhor që kërkon zgjidhje imediate, largimin e kësaj klase politike.
Ai e fajëson atë si përgjegjësen e vetme të degradimit të vendit. “Avantazhi ynë është se besojmë se zgjidhja është politika e pastër e cila do të çojë drejt një Shqipërie që punon. Shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur nga politika dhe një numër i madh kemi vendosur të bëhemi bashkë. Jemi shumë që besojmë se ky vend ka potencial të madh, mund dhe do të bëhet. Sfida për Shqipërinë është mjeti ynë politik…”, nënvizon Bojaxhi. Ai nuk harron të jetë koherent kur synon të përcjellë mesazhe të forta për klasën politike në vend.
Së fundmi, duke sjellë një paralele midis çadrës së ngritur (kësaj here) nga Partia Demokratike, Bojaxhi bën thirrjen e radhës, në funksion të një qëllimi.
“Shqiptarët duhet të eliminojnë nga skena politike këtë 10-vjeçar PS-LSI-PD dhe ta rithemelojmë klasën politike përmes qytetarëve profesionistë dhe me integritet. Shqiptarët duhet të ngrenë çadra para selive të këtyre partive parlamentare ku t’i kërkojnë dorëheqjen nga politika dhe të ngrenë mbi ato gërmadha themelet e një politike të pastër që nuk ngatërron shtetin me pushtetin, ekspertët me militantët, ligjin me urdhrin”, kumtoi ai, pak ditë më parë. Por sa do të perceptohet kjo thirrje kundër tri partive: PS, PD, LSI, që në zgjedhjet e fundit u mbështetën nga 82% e elektoratit? Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që dihet me siguri është se “Sfida” synon një model të ri politik në thelb të së cilës për të, do të jetë transparenca politike.
***
Ato nuk janë të ngjashme në programe, por kauzën politike e kanë të njëjtë. Edhe “Libra” e Ben Blushit kërkon të mbushë boshllëkun politik që kanë lënë dy partitë e mëdha. Sfida dhe Libra janë dy parti që kërkojnë të marrin të rinjtë, të varfrit, të lëkundurit, të zhgënjyerit. Të dy ata flasin për polarizim social në rritje, papunësinë, padrejtësinë, pabarazinë dhe mbi të gjitha për kalbëzimin e sistemit politik. Edhe parimet në të cilat bazohen janë thuajse të njëjta. Ato i mëshojnë garantimit të çdo qytetari pa dallim të parimeve themelore, si: barazi, drejtësi apo dinjitet. Rëndom lind pyetja se pse duhet votuar Bojaxhi dhe jo Blushi?
“SFIDA për Shqipërinë është e vetmja forcë e organizuar nga qytetarë jashtë politikës, pra nuk ka lindur si rrjedhojë e riorganizimeve politike. Rruga që SFIDA kërkon dhe do të ndjekë, nuk ka asnjë lidhje me politikën e vjetër dhe nuk ka asnjë parlamentar të vjetër…”, përgjigjet Bojaxhi. Kinse, ai të jep një panoramë të qartë se pse duhet besuar Sfida në zgjedhje. “Partitë që garojnë duan që pas zgjedhjeve të ndajnë pushtetin. Ne e kemi vendosur në statut që për mandatin e ardhshëm nuk do të jemi në asnjë rreshtim qeverisës. Idetë tona do t’i shprehim si opozita e vetme e qytetarëve…”, këmbëngul Bojaxhi.
Libra
Angazhimi i tij në raport me politikën është i hershëm. Viti i ndryshimeve të mëdha ‘91 e kapi student në protesta. Më pas kryeredaktor i “Koha Jonë”. Futja e tij në politikë ka qenë graduale për të filluar angazhimin konkret si deputet i PS-së në vitin 2001, deri një vit më parë, kur vendosi të bëjë hapin e madh. Është shprehur se ai nuk është nga ata politikanë që largohet duke menduar se nuk bëri gjërat e duhura në kohë të domosdoshme. Ben Blushi është i mendimit se PS-ja (atje ku polemizoi prej më shumë se një dekadë) ka ardhur drejt fundit të ciklit të vet historik. “Ndoshta nuk ka çfarë i jep më Shqipërisë”, është shprehur Blushi pak kohë më parë. Për këtë arsye, ai ka themeluar prej më pak se një viti “Listën e Barabartë”. Akronimi i saj publik është “LIBRA”.
Si forcë politike “Libra” qëndron majtas edhe pse varet nga cili këndvështrim e sheh në raport me politikat e dy partive të mëdha. “N.q.s. mua më shikoni nga pozicioni i Rilindjes dhe i PD-së që janë të dyja ekstrem i djathtë, natyrisht që unë dukem më i majtë. N.q.s. më shikoni nga e majta mund të dukem pak në qendër…”, u përgjigj Blushi në një intervistë të mëhershme për revistën “Mapo”.
Ai synon të shfaqet i pakompromis, kur bëhet fjalë për dy partitë e mëdha. Këtë e tregoi edhe në debatin e fundit politik që shoqëroi çadra e ngritur nga Partia Demokratike para kryeministrisë. “…Unë s’kam qenë në çadër në 2010 dhe s’mund të jem as në 2017. Koha do të tregojë se kam të drejtë. Në dy rastet fatkeqësisht nuk ishte nevojë e popullit ajo që nxori partitë në protesta, por ishte kërcënimi i karrierës së liderit… Sali Berisha ishte në ballkon dhe Edi Rama në çadër, sot është e kundërta…”, shpotiti Blushi pak kohë më parë.
“Libra” e fokuson vëmendjen te shteti i fortë, taksa progresive dhe arsimi i mesëm i detyrueshëm. Ben Blushi është shprehur gjithashtu se “Libra” synon të adresojë aksh çështjesh, si: drejtësia, pabarazia, lufta ndaj varfërisë, mbështetja ndaj shtresës së mesme, shëndetësi publike, arsim gjithashtu publik, punësimi i të rinjve, përfaqësim me kuota fikse të diasporës në Kuvend… etj. Libra kërkon demokraci direkte, referendume të shpeshta, reduktim të numrit të parlamentarëve nga 140 në 100, si dhe President nga populli.
APD
Në vitin 1998, ai përfundoi studimet e larta për Drejtësi në Londër. Më pas, mori titullin Doktor Shkencash në SHBA. Zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare të mbrojtur në Londër, si dhe një tjetër diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Pak kush me një CV të tillë do ta kishte besuar se do të zgjidhte Shqipërinë, për një kauzë po aq të pazgjidhshme deri me sot, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e plotë të ish-të përndjekurve politikë. Është djali i Kurt Kolës fati i të cilit lidhet ngushtësisht me qëndresën në kampet famëkeqe të komunizmit. Kur e pyet se cili është dallimi mes tyre për një kauzë të ngjashme, Bilal Kola përgjigjet se gjithçka, i ati e ka bërë 100% me zemër. “Ajo çka unë projektoj të bëj është 50% me zemër, 50% me logjikë”, thotë ai.
Në fakt, Bilal Kola deri diku e ka bërë. Ai ka ngritur një parti të re në këmbë. Aleanca Popullore për Drejtësi, që në këto zgjedhje garon e vetme.
Një subjekt i djathtë dhe liberal që synon të përfaqësojë disa grupime sociale, si: të përndjekurit, pronarët dhe diasporën, çështjet dhe kauzat e të cilëve sipas tij mbeten të papërfaqësuara dhe të pazgjidhura prej 26 vitesh postdiktaturë nga asnjë prej partive. “Sipas statistikave zyrtare, drejtpërdrejt të përndjekur rezultojnë rreth 100 mijë persona (pa llogaritur te kjo shifër ata që kanë pësuar deprimime të ndryshme si pasojë e përndjekjes së familjarëve të tyre), ish-pronarë rezultojnë rreth 40% e popullatës dhe problemet e këtyre shtresave nuk janë zgjidhur përgjatë 27 viteve postdiktaturë!”, thotë ai. Kola vëren se përgjatë 25 viteve është disbursuar vetëm 30% e shumës totale të dëmshpërblimit për të përndjekurit. “Ligji i pronave gjithashtu miratuar nga kjo qeveri është tërësisht i padrejtë dhe synon të varrosë përgjithmonë çështjen e pronave…”, nënvizon ai.
Por ku dallon Aleanca Popullore për Drejtësi nga Partia Demokratike, e cila në themel të saj ka pikërisht ish të përndjekurit dhe kthimin e pronës tek i zoti? Kola përgjigjet se PD ka dështuar me ‘sukses’ në trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve.
“Në gjykimin tonë, kjo vjen si pasojë e mospasjes së përfaqësuesve të këtyre shtresave në politikë dhe vendimmarrje. Aleanca Popullore për Drejtësi, në këtë kontekst, përbën risi pasi në listat e saj të kandidatëve për deputet paraqiten para elektoratit personazhe të spikatura të këtyre tri kategorive, si p.sh. disidenti i spikatur Viktor Martini, dr. prof. Gëzim Bocari, Ing. Orkid Spahiu, ish-marinsi dhe i diplomuar për Shkenca Politike në SHBA, Ervin Dine, aktivistja e shquar Arjeta Kokalari, e shumë e shumë të tjerë…”, shprehet ai. Edhe Bilal Kola vjen me propozime sfiduese. Ai synon që pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Aleanca Popullore për Drejtësi të jetë forcë parlamentare, për të nxitur në një afat rekord: 1. Dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e të përndjekurve (duke prezantuar të drejtën e kuotës fikse në punësim, strehim dhe arsim). 2. Të kontribuojë në muzealizimin real të vendit me kampet dhe burgjet famëkeqe të vuajtjes, si: Tepelenë, Porto Palermo, Spaç, Qafë-Bari, Gradishtë… etj. Sipas tij, bunkartet e kryeministrit Rama janë një trajtim thjesht fasadë.
Aleanca Popullore për Drejtësi synon gjithashtu kthimin e pronës subjekteve të shpronësuara, duke eliminuar, sipas Kolës, pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual.
Së fundmi, ai propozon krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën, si dhe caktimin e një kuote fikse (jo më pak se 5%) për përfaqësimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë.
Bilal Kola është i vetëdijshëm se kjo për shumëkënd duket një sipërmarrje e vështirë, edhe pse paradoksalisht janë edhe të lehta për të për t’u zgjidhur nëse ekziston vullneti i vendimmarrësve shqiptarë që kanë në dorë miratimin e tyre.
PAA
Në më shumë se një vit, kur mori drejtimin e partisë, Agron Duka i ka dhënë një tjetër zë Partisë Agrare Ambientaliste. Ai ka promovuar në krye një grup njerëzish me përvojë të gjatë jo vetëm politike apo akademike, por edhe në sipërmarrje. Pjesa më e madhe e kolegëve të PAA-së janë agronomë. Vetë ai ka një përvojë të gjatë si biznesmen në fushën e agroindustrisë (prej vitit 1991) dhe ka drejtuar për një kohë Ministrinë e Bujqësisë. Andaj, jo pa zgjuarsi, fokusi i partisë që ai drejton është i mirëpërcaktuar në një drejtim, bujqësinë. Kjo, sipas Dukës, e bën alternativën e PAA-së më të besueshme për realizmin e politikave bujqësore dhe mjedisore të domosdoshme për vendin. Duke pasur një target identifikues, PAA-ja futet në garë me një program që synon cilësi dhe ekspertizë.
Për Agron Dukën, bujqësia mbetet një sektor i prapambetur dhe joefektiv i ekonomisë, që nuk është në gjendje të sigurojë produkte dhe të ardhura të mjaftueshme për familjen fshatare, sasi dhe cilësi të mjaftueshme të produkteve për tregun vendës, si dhe produkte konkurruese për tregun ndërkombëtar.
Çfarë premton ndryshe PAA nga dy partitë e mëdha që çdo prag fushate, i japin jo pak zë këtij sektori? “Fokusin tonë të parë e kemi te subvencionet, synojmë të mbështesim në mënyrë të drejtpërdrejtë fermerët me një shifër që shkon deri te 100 milionë euro në vit… Për të qenë më pranë fermerëve do të fuqizojmë Agjencinë e Pagesave, një institucion që nuk ka marrë ende akreditimin e nevojshëm për të mbështetur prodhimin shqiptar…”, shprehet ai. PAA-ja synon gjithashtu të heqë akcizën e naftës për bujqësinë dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe inputet bujqësore.
Por si do t’iu imponohet Agron Duka dy partive të mëdha për të ndryshuar tërësish qasjen ndaj bujqësisë? Sa duket zgjidhjen e ka gjetur. Fillimisht, duke futur tre kandidatë të PAA-së në vende të sigurta në listën e PD-së. “…Kjo do të jetë detyra e vetme që ne do të kemi në parlamentin e ardhshëm. Pranuam të bëhemi pjesë e listave të PD-së vetëm dhe ekskluzivisht për të mos humbur rastin për të shndërruar në politika konkrete qëndrimet tona mbi bujqësinë. Tre deputetë që vendosin të veprojnë vetëm për këtë sektor janë një instrument i madh dhe një zë i fuqishëm për fermerët shqiptarë…”, nënvizon ai. Për këtë arsye, fatin e tij politik, Duka thotë se do e lidhë me realizimin e kësaj sfide që në thelb synon të ardhmen e zonave rurale.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu