Në një intervistë për gazetën Dita analisti Afrim Krasniqi ka theksuar disa prej problematikave të cilat kanë shoqëruar këtë proces zgjedhor.
“Shqipëria humbi shansin të ketë debat televiziv midis kandidatëve për kryeministër. Ky është një lajm i keq, dhe në fakt është një prej dhjetëra formave e gjërave që na ndajnë nga përvoja pozitive e vendeve perëndimore”-thotë Krasniqi
-Z. Krasniqi, si ju është dukur fushata e këtyre ditëve…?
Po, është fushatë ndryshe nga herët e tjera. Partitë, zgjedhësit, problemet, sistemi janë të njëjta, por ka një ndryshim thelbësor: gjithnjë partitë e mëdha kanë qenë burim konflikti, këtë herë dy partitë politike kryesore janë në marrëveshje me njëra-tjetrën dhe tri partitë konkurruese janë së bashku në një qeveri. De facto nuk kemi opozitë. Ndaj edhe palët, nuk patën kohë të ndryshonin strategjitë, listat e kandidatëve dhe as të ndërtonin një identitet të ri elektoral.
-Mënyra se si komunikojnë liderët me publikun, ju duket më shumë teatër apo strategji?
Nuk është teatër, është strategji. Ka një shprehje të famshme romake që vlen edhe në këtë rast, – jepu qytetarëve ushqim dhe argëtim dhe ata do të kënaqen me kaq. Kështu po bëjnë edhe partitë, – po prodhojnë minimumin e standardeve të jetesës dhe spektakël, – më shumë investohet për shoë mediatik dhe publik sesa për përmbajtjen, problemet dhe sfidat e shumta që ka vendi. Për shembull, askush nuk flet as për hashashin, për pastrimin e parave në fushatë elektorale dhe as për faktin se perspektiva integruese e Shqipërisë është shumë larg pritshmërive që ka publiku. Partitë premtojnë vende pune në shifra që kanë sens për vende me 10 milion banorë, por për një vend si Shqipëria ato janë ireale dhe pa asnjë bazë serioze.
-Pse nuk po diskutohet për programe në këtë fushatë?
Sepse programi kërkon përgjegjësi dhe krijon një kontratë besimi me qytetarët. Duke mos pasur program, të gjitha premtimet interpretohen dhe ndryshohen gjatë rrugës, ndaj askush nuk mban përgjegjësi. Ja psh, PS premtoi 300 mijë vende pune dhe ajo vetë pranon se gaboi kur premtoi dhe natyrisht nuk e mbajti premtimin as në 30% të tij. Cili mban përgjegjësi? Asnjë. Zgjidhja? Hajde të premtojmë gjëra sureale, pa shifra dhe detaje, në mënyrë që pas dy ose katër vitesh askush të mos ketë një bazë referimi për të kërkuar llogari. E dyta, partitë nuk kanë ekspertizë serioze brenda tyre, pjesa më e madhe e ekspertëve janë përjashtuar ose mënjanuar nga vendimmarrja. Modelet e reja të karrierës lidhen me individë që nuk kanë formim ekonomik dhe juridik, por që janë besnikë të shefave të partive.
-Dyshoni se nuk kanë program fare?
Besoj se kanë. Psh, PD ka bërë një program dhe jam në dijeni se është konsultuar pjesa ekonomike nga ekspertët gjermanë, LSI ka bërë publik një program, PS duke qenë në qeveri nuk e ndjen të nevojshme të ketë program sepse axhenda e qeverisë mbetet programi i saj, partitë e tjera zakonisht nuk kanë programe, por kanë teza që promovojnë.
-Z. Krasniqi, ju keni bërë edhe kërkime në emrat e kandidatëve për deputetë. Mund të na rrëfeni zbulimet më interesante tuajat dhe që ju kanë habitur?
Ka katër fenomene në këto lista: e para, ka prurje të reja në moshë dhe në CV, kryesisht individë pa përvojë politike dhe pa ndonjë projekt politik në aktivitetin e tyre. E dyta, ka dominuar familjariteti. Të paktën gjashtë parti politike kanë 20-30% të listës me individë nga 3-4 familje mbështetëse, kryesisht familje të shefave të partisë dhe fisit mbështetës të tyre. E treta, ka prurje masive nga biznesi. Është e habitshme sesi njerëzit e biznesit kanë interes kaq të madh për të hyrë në politikë, ndërkohë që ata që janë brenda saj, nuk janë aktivë, nuk kanë ndonjë bilanc politik, nuk e kanë politikën si profesion. E fundit, por me rëndësi, ka pasur një kompromis të heshtur kundër rritjes së kuotave të përfaqësimit gjinor. Partitë e madhe, me përjashtim të lehtë, në 70-80 % të rasteve kanë vendosur burra në listën proporcionale me emra fitues.
-Pse, sipas jush janë vendosur emra familjarë në listë?
Ka dy motive: i pari, partitë e vogla janë kryesisht familjare dhe të personalizuara, pronë reale e kryetarëve dhe pa struktura efektive. Ndaj edhe kryetarët e kanë vështirë të gjejnë kandidatë qoftë edhe formalë dhe duan të kenë 100 për qind kontrollin mbi partinë edhe pas zgjedhjeve. E dyta, partitë e vogla i detyron ligji të krijojnë informalitet, pasi i detyron të kandidojnë në çdo zonë, edhe ku nuk kanë degë dhe as synim të fitojnë ndonjë mandat. Për shembull është absurde që një parti me bazë Shkodrën apo Lezhën të detyrohet të kandidojë me listë edhe në Konispol, apo një parti e minoritetit grek të konkurrojë me listë edhe në Pukë apo Kukës.
-A do të ndryshojë kjo një ditë. Kur mund të shpresojmë për kandidatë të denjë?
Është proces kulturimi. Ditën kur partitë t’i vendosin kandidatët përmes sistemit të votimit konkurrues të brendshëm, pra përmes meritës dhe garës, atë ditë do të mund të flasim për një shoqëri politikisht të kulturuar dhe për parti reale politike. Edhe tek laburistët britanikë ka ndodhur që dy vëllezër ishin në garë për kryetar, por gara ishte reale dhe ata mbronin pikëpamje të ndryshme, madje përfaqësonin fraksione të ndryshme. Kurse tek ne kemi emra anonimë brenda familjes që janë aty vetëm për shkak të përkatësisë familjare dhe nuk kanë ndonjë ide mbi politikën.
-Është folur shumë edhe për veshjen, sidomos për atë të kryeministrit Edi Rama. Mënyra e të veshurit flet në vetvete?
Është zgjedhje. Kur nuk ke ide, merru me pamjen. Dhe kryeministri i jep ushqim medias e publikut për t’i ftuar ata të merren me pamjen e tij, jo me thelbin e asaj që duhet të ishte për kryeministrin: llogaria për katër vite, bilanci i premtimeve, sukseseve e dështimeve si dhe kërkesa për një program real politik për të ardhmen. Nga ana tjetër ka një paradoks, – kryeministri thotë se ka bërë shtet e do bëjë shtet dhe vetë ai nuk tregon respektin minimal për etikën dhe sensin e përgjegjësisë së shtetit. A ka ndikim në vota? Jo. Ka fituar zgjedhjet në situatë “veshjeje” shumë më ekstreme, por në aspektin e formimit demokratik, këto zgjedhje, përfshirë këto sjellje, janë një shans i humbur për Shqipërinë.
-Sa të besueshme dhe rëndësishme janë sondazhet që janë bërë këto ditë?
Kur nuk ka sondazhe problem është të kemi. Kur i kemi i kontestojmë. Në fakt ne kemi kompani, kryesisht italiane, që kanë vepruar në Shqipëri gjatë 3 ose 5 zgjedhjeve të fundit dhe në 80 për qind të rasteve kanë arritur të parashikojnë trendin e votës. Më shumë se vota dhe numri i mandateve sondazhet janë një mjet demokratik që krijon kulturë gjykimi për qytetarët, ndihmon partitë të përmirësojnë strategjitë e tyre elektorale, korrigjon fushatën dhe ndikon në stabilitetin e zgjedhjeve. Ato janë pamje filmike e shoqërisë në një moment të caktuar, pamje që ndryshon me afrimin e zgjedhjeve. Ndaj ato nuk përcaktojnë fitues, por pasqyrojnë në tërësi realitetin. Vetë fakti se të gjitha partitë janë kundër sondazheve serioze që po bëhen, tregon se të gjitha duan të kenë sondazhin “e tyre”, dhe kjo tregon diferencën e madhe midis konceptit arkaik të partive dhe konceptit demokratik që ato promovojnë në ligjërimin politik.
-Në këtë fushatë na kanë munguar posterat elektoralë….
Një nga zhvillimet pozitive pas marrëveshjes së 17 majit është konsensusi i kthyer në ligj për kufizimin e reklamave elektorale në rrugë dhe mjedise publike. Me stafin e ISP dhe mbështetje nga Këshilli i Evropës ne kemi monitoruar gjendjen e reklamave në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnje, etj dhe shohim me kënaqësi se rastet e shkeljes së ligjit janë minimale. Ky është një zhvillim pozitiv. Kujtimi skandaloz nga fushata lokale 2015 me pankarta e flamuj në çdo rrugë, është lënë pas dhe uroj që ky trend të vazhdojë. Nga ana tjerë shohim se partitë po i harxhojnë milionat e tyre të padeklaruara me reklama në media, sidomos në programet e internetit dhe shërbimet e google.al brenda territorit shqiptar. Janë pagesa që nuk deklarohen, por në çdo faqe që klikon në internet të shfaqen reklamat e një ose dy partive. Ky duhet të jetë objekt hetimi nga KQZ dhe organet e tjera të monitorimit financiar të zgjedhjeve.
-Çfarë ndodh në vendet e tjera?
Shqipëria humbi shansin të ketë debat televiziv midis kandidatëve për kryeministër. Ky është një lajm i keq, dhe në fakt është një prej dhjetëra formave e gjërave që na ndajnë nga përvoja pozitive e vendeve perëndimore.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu