Në Parlament me xhinse, dhe pse kundër rregullores.
Kejdi Mehmetaj, garon për herë të dytë si kandidate për deputete e LSI-së. Gjatë këtij mandati ajo ishte deputetja më e re e Parlamentit. Ka hyrë aty që kur ishte 19 vjeçe, si shkruanin mediat në atë kohë, dhe tashmë vazhdon të jetë e angazhuar në politikë me të njëjtin pasion.
Në një intervistë për revistën Who, Kejdi ka treguar sesa e ka ndikuar ky angazhim në politikë, që duket se të rrit para kohe, jetën e saj private dhe konkretisht marrëdhëniet me djemtë.
“Nuk do të thoja se më ka rritur shpejt, përkundrazi jam përpjekur politikës t’i jap më të mirën nga mosha ime. Si përshembull energjinë, idealizmin dhe pasionin. Dita për një vajzë të re është shumë e gjatë, i kalon 24 orët, ndaj edhe unë jam përpjekur të mos lë shumë gjëra pa bërë. Kuptohet vështirësia është aty dhe e pashmangshme. Në rastin e djemve përshembull, më shihnin si deputete, të ftohtë dhe të largët. Por në momentin e duhur edhe unë e kam treguar se kam çiltërsinë e moshës dhe se di të dua”, ka thënë Kejdi.
Ajo ka zbuluar, që edhe pse e shohim shpesh me veshje serioze dhe flokë të krehur, kjo ndodh vetëm në ditët e saj më të mira, sepse ajo vishet si çdo vajzë tjetër e moshës së saj, duke shkuar madje dhe në Parlament me xhinse, dhe pse kundër rregullores.
“Paska rastisur të më shihni në ditët e mia më të mira, pasi janë shumë të rralla rastet kur unë i shtrij flokët (qesh). Xhaketat i kam pasur të miat edhe pa qenë në parlament, ndërsa në parlament solla xhinset edhe pse nuk na lejohen me rregullore (buzëqesh). Unë jam çdo ditë sportive, me raste edhe me pantallona të shkurtra apo xhinse të grisura. Përdor fare pak makeup. Takat më pëlqejnë, por duke qenë se eci shumë, nuk janë komode për përditshmërinë. Vesh fustane dhe çdo gjë që ndiej se më rri mirë dhe më shkon. Kejdi në pamjen e saj nuk ka shumë ndryshime nga të qenurit deputete dhe nga të qenurit një vajzë 24-vjeçare në përditshmërinë e saj”.
Kejdi është kandidate për deputete në qytetin e Tiranës.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu