Kryesore
Fekondimi In Vitro: 10 fakte që duhet të dini përpara procedurës
Fertilizimi In Vitro nuk është i sigurt që në herën e parë që provoni, megjithatë nuk duhet ta humbni shpresën që do arrini shtatzëninë. Është përllogaritur nga Shoqata Europiane e Embriologjisë se në 3 cikle fekondimi In Vitro, 85% e çifteve do e arrijnë suksesin
Afërsisht një në tetë çifte kanë probleme në arritjen e një shtatzënie. Nëse jeni duke provuar për të konceptuar një fëmijë, por pa sukses, duhet të dini që nuk jeni vetëm. Ka miliona çifte me të njëjtin problem në të gjithë botën. Infertiliteti përkufizohet si pamundësia për të arritur një shtatzëni pas një viti marrëdhëniesh të pambrojtura, kur gruaja është nën 35 vjeç, ose pas 6 muajsh kur gruaja është mbi 35 vjeç. Dr. Marsel Haxhia, Embriolog Klinik, certifikuar nga Shoqata Europiane e Embriologjisë dhe Riprodhimit Human në një intervistë për MAPO shpjegon se pavarësisht mitit që ka ekzistuar në Shqipëri se problemin e ka gjithmonë gruaja, kjo edhe për arsye të një shoqërie të mbyllur e maskiliste, diçka e tillë nuk është e vërtetë. Sipas tij, të gjitha statistikat botërore tregojnë se 30-40 % e çifteve infertile e kanë problemin te gruaja dhe 30-50 % e kanë problemin te mashkulli. Nëse mendoni se keni probleme me fertilitetin, mjeku embriolog sqaron dhjetë fakte që duhet t’i dini patjetër para kryerjes së kësaj procedure, duke saktësuar se deri në çfarë mase mund t’ju ndihmojë mjekësia për të ndryshuar “fatin” apo për ta modifikuar atë deri në arritjen e bërjes së ëndrrës suaj realitet, prindërimit.
Së pari, gjeni një mjek me të cilin të lidheni
Ndërkohë që mendoni të filloni, mos harroni se iu duhet një qendër e rëndësishme dhe me mjekë të specializuar në këtë fushë. Ky është një moment i rëndësishëm në jetën tuaj, moment i cili ju lidh me ëndrrën tuaj për t’u bërë prind, kështu që ekipi i mjekëve të infertilitetit do iu drejtojnë drejt kësaj ëndrre. Besimi ndaj ekipit të mjekëve është shumë i rëndësishëm.
Së dyti, përqindjet e suksesit mund t’ju çojnë në ide të gabuar
Si një mjek në këtë fushë dhe të qenit në kontakt me çifte që kanë nevojë për këtë procedure, duhet t’ju them që përqindja e suksesit mund të jetë një konfuzion i vërtetë. Dikush ju thotë 50% dikush 80% apo dikush 99%. Ajo që duhet të jetë e qartë dhe që unë ia përsëris të gjithë pacientëve është se fekondimi in vitro nuk kryhet nga qejfi, por nga halli, që do të thotë se do jetë e vetmja mënyrë që mund t’ju japë një shtatzëni dhe që kudo që ta bëni nuk është 100% e sigurt që do arrini atë që dëshironi, pasi këto janë limitet e mjekësisë, të paktën deri tani. Edhe çiftet që nuk kanë asnjë problem, nuk arrijnë shtatzëni çdo muaj që provojnë. Fiziologjia e riprodhimit varet nga shumë faktorë të cilët nuk janë arritur të zgjidhen 100% deri më sot. Besimi ndaj ekipit dhe qendrës duhet t’ju japë vendimin për kryerjen e IVF-së dhe jo vetëm përqindja e suksesit.
Së treti, ne mund të punojmë me biologjinë tuaj por jo ta ndryshojmë atë
Ne mund të ndryshojmë dhe përmirësojmë shumë faktorë, por ne nuk mund të ndryshojmë moshën tuaj. Ne mjekët kemi vite e vite shkollim e eksperiencë, që na lejon t’ju zgjidhim problemet më komplekse mjekësore në mënyrën më profesionale të mundshme, por nuk mund të ndryshojmë evolucionin biologjik tuajin. Biologjia dikton se aftësia e vezoreve për të prodhuar vezë ulet me kalimin e moshës dhe me moshën ulet dhe cilësia e vezëve te femrat dhe spermatozoideve te meshkujt. Gjendje si Ovari Polikistik apo Endometrioza mund të përmirësohen, por jo të eliminohen. Ndërkohë që këto fakte biologjike në jetë nuk mund të ndryshohen, me një ekip të mirë pas jush ekziston një mundësi e mirë suksesi.
Së katërti, kostot janë të rëndësishme
Kosto e fekondimit in vitro ndryshon në vende të ndryshme. Në Amerikë kostot shkojnë 12000$- 17000$ për çdo çikël IVF, në Europë dhe në Shqipëri çmimet ndryshojnë në 3000€-5000€. Fatkeqësisht në Shqipëri ndryshe nga shumë vende të tjera shteti apo siguracionet nuk mbulojnë asnjë kosto të fekondimit in vitro dhe as të medikamenteve që merren në raste të tilla.
Së pesti, nuk ka asnjë vend si “Shtëpia”
Në dekadën e kaluar kishte mijëra e mijëra shqiptarë që iu drejtoheshin vendeve fqinje si Turqia, Italia apo vende të tjera për të kryer IVF. Kryenin procedurën, pa kuptuar e pa marrë vesh se çfarë kryhej e bëhej me ta. Mund t’ju them me bindje se sot në Shqipëri ofrohen shërbime të infertilitetit në nivele të larta dhe që nuk kemi pse t’ia kemi “zili” asnjë vendi tjetër.
Së gjashti, pyesni për mënyrën e fertilizimit!
Kur kryhet IVF, pra merren vezët nga gruaja dhe spermatozoidet nga bashkëshorti, ka dy mënyra bashkimi midis tyre:
-
Fertilizimi “klasik” – në kushte të veçanta, veza dhe një sasi e caktuar spermatozoidesh lihen bashkë dhe pritet që veza ta zgjedhë vetë spermatozoidin e duhur. Kjo teknikë është praktikisht sikur ndodh bashkimi në rrugë natyrale. Kjo kryhet kur parametrat e spermës janë brenda normës.
-
Injeksioni intracitoplasmik i spermës (ICCSI) – me anë të kësaj teknike, jemi ne që përzgjedhim spermatozoidin me parametra morfologjikë më afër normës dhe e “vendosim” në citoplazmën e vezës. Kryhet kur problemi te mashkulli është i rëndësishëm.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu