Çfarë e përligj vallë këtë dramatizim elektoral të kotë, kur dihet fare mirë se 26 qershori, cilidoqoftë rezultati, do të jetë një ditë e zakonshme në jetën e çdo qytetari normal?
Shikoni çfarë thotë Tahiri në një takim me banorë të Njësisë nr. 2(Në parantezë po kujtojmë se nga sa mbajmë mend në njësinë nr. 2 nuk është identifikuar asnjë parcelë me kanabis deri më sot, çka e bën këtë zonë të jetë mbrapa kanabo – dynjasë së bashkëthemeluar nga Tahiri):
“Nëqoftëse ka një parti dhe një qeveri që mund të mbyllë në katër vitet e ardhshme çdo histori me pronat, me titujt e pronësisë, me çertifikatat e pronësisë, me hipotekat, me legalizimet është vetëm qeveria e Partisë Socialiste”.
Iku kjo u harrua që tani. Pak më poshtë fjalët kundërthonë atë që u tha më sipër e që shyqyr që i harruam:
“Sot nuk na duhet më të votojmë për “flamujt” e partive. Sot nuk duhet më të votosh me tifozllik. Sot nuk i duhet më njeriu të shkojë qorrazi mbas një partie apo një tjetre. Sot shqiptarët duhet të votojnë për hallet e tyre, për ata që do punojnë t’i zgjidhin këto halle. Sot duhet të votojnë shqiptari për shqiptarin dhe të gjithë bashkë për Shqipërinë. Ky është basti ynë në datën 25”. Në datë 25 ka vetëm një alternativë. Ndaj miqtë e mi shkoni bindni këdo njihni. Flisni me këdo njihni. Kapini përdore dhe më datë 25 të shkojmë të gjithë bashkë te kutia e votimit, sepse më datë 25 ka vetëm një alternativë dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Po të tregohemi keqdashës do themi se Tahiri po na paralajmëron se vizioni i PS-së është ai me një parti në këtë vend. Por në fakt këtu nuk bëhet fjalë për vizion; s’kemi pse t’i ngarkojmë këtë barrë mendjes së ish-ministrit të Brendshëm. Këtu bëhet fjalë për një tog fjalish që thuhen në erë, në funksion të bindjes se fiton ai që punon dhe se ai që punon është PS-ja, numri 2.
Më qartë, këtë ide të ngatërruar e ka shprehur sot kryeministri kur thotë në Kamëz se “më 25 qershor vendoset fati i flamurit kuqezi”. Pse u vendoska fati i flamurit më 25 qershor? Çfarë e përligj vallë këtë dramatizim elektoral të kotë, kur dihet fare mirë se 26 qershori, cilidoqoftë rezultati, do të jetë një ditë e zakonshme në jetën e çdo qytetari normal? Dhe nisur nga ato që na thotë Tahiri më sipër mundet edhe të pyesim: çfarë e pengoi PS-në të zgjidhë ato çështje si prona, legalizimet, me hipotekat? Asgjë nuk e pengoi. As aleati problematik që nuk doli asnjëherë kundër ndarjes së mijëra çertifikatave të legalizimit, miratoi reformën e dështuar territoriale dhe pranoi dixhitalizimin e shërbimeve të hipotekës. Natyrisht mund të thuhet se duhej më shumë kohë, por jo se për të bërë Shqipërin bahçe me lule, PS-në, këtë Nënëmadhe të Punës së Ndershme, e ka ndaluar maskarai i radhës në pushtet.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu