Cilët janë fëmijët politikë në zgjedhjet e 25 qershorit
Bijtë e dhjetorit, gjenerata tjetër midis Rilindjes dhe Republikës së re: Kthimi i mbiemrave që bënë histori në politikën e viteve të para të Shqipërisë postkomuniste. Hajdari për PD, Pëllumbi për PS dhe Kola për ish-të përndjekurit politikë. Për demokratët garojnë edhe Bardh Spahia, djali i Ali Spahisë dhe Klevis Balliu, i biri i botuesit të “Gazetës 55”, Fahri Balliu
Ka për të qenë shumë emocionuese dita e parë e Rudina Hajdarit në Parlamentin e Shqipërisë. Pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të 25 qershorit, Rudina është në listën e sigurt të Partisë Demokratike dhe do të jetë deputete pas këtyre zgjedhjeve. Ndoshta do të kërkojë të ulet në vendin ku 27 vjet më parë ulej i ati, Azem Hajdari. Ai ishte 27 vjeç kur u zgjodh deputet në parlamentin e parë pluralist pas rrëzimit të sistemit komunist në dhjetor të vitit 1990. Rudina ishte vetëm 2 vjeç kur i ati, foli edhe në emër të saj kur iu dha garanci studentëve të dhjetorit, për t’i udhëhequr drejt rrëzimit të komunizmit.
Ngjitur mbi një prej stolave në rrugën e Qytetit Studenti, ku ishin mbledhur studentët në protestë kundër shtetit komunist, Azem Hajdari kërkoi me guxim t’i udhëhiqte drejt rrëzimit të diktaturës. E ka rrëfyer këtë moment në gusht të 1998-ës, në intervistën e tij të fundit, dhënë revistës Klan. “Hipa mbi stolin që është përpara godinës ku unë jetoja dhe u thashë: ‘Po qe se keni kërkesa politike jam me ju. Garancia ime janë dy fëmijët e mi’ ”. Azem Hajdari u kthye kështu në lider të dhjetorit ’90 dhe bashkë me studentët e asaj kohe e intelektualët, rrëzuan sistemin komunist dhe hodhën themelet e Partisë Demokratike. Ata nisën një rrugë të gjatë e të vështirë që për Azemin, për fat të keq, do të ishte e shkurtër. Ai mbeti i vrarë në oborrin e Partisë Demokratike, më 12 shtator 1998. Në atë kohë Rudina ishte vetëm 9 vjeç.
Pak vite më pas në moshën 14-vjeçare, ajo u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku dhe u arsimua për Shkenca Politike. Qysh atëherë duket se ka projektuar rrugën e saj në gjurmët e të atit. Pas një karriere të lakmueshme në institucione të rëndësishme si NATO, Rudina kthehet në Shqipëri për të hyrë në politikë e për të zënë vend në parlamentin ku la gjurmë të forta i ati.
Kur Rudina vendosi të hyjë në politikë, me siguri ka lexuar detaje të rëndësishme të jetës politike të të atit. Me siguri ka lexuar a dëgjuar pjesë nga fjalimet e tij në momentet kyçe të karrierës politike, kur lartësohej e kur sulmohej dhe hiç më pak sesa nga bashkëpunëtorët më të afërt, krerët e PD-së. Me siguri i ka dëgjuar këto fjalë të Azem Hajdarit, kur ndodhej para gjyqit politik e kur parlamenti po i hiqte imunitetin.
“Azem Hajdari është ai i dhjetorit 1990 dhe nuk luan nga pozicioni i atëhershëm, sikur edhe malet të luajnë nga vendi. Populli e di mirë këtë, mësojeni edhe ju… Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature. Nuk i kërkoj asnjërit mëshirë. Asnjëherë s’kam për të hequr dorë nga rruga ime për demokraci: jam i ri… Nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt post. Unë jam i ri, do t’i pranoj edhe goditje të tjera, edhe inskenime të tjera, nuk largohem nga Shqipëria. As unë, as fëmija im. Nuk largohem as nga Partia Demokratike. Nuk largohem as nga pikëpamjet e mia antikomuniste”, -tha Hajdari në një fjalim më 28 shtator 1992, kur po votohej heqja e imunitetit si deputet.
Ka shumë momente kritike në historinë e tij politike, plot përplasje e protagonizëm brenda dhe jashtë partisë së tij. U përball me tre atentate dhe pavarësisht sulmeve që i vinin nga shumë anë, ai nuk u tërhoq deri në frymën e fundit, në oborrin e Partisë Demokratike më 12 shtator 1998, në atentatin e fundit ndaj tij. Natyrisht që ai u kthye në legjendën e PD-së, u harrua gjithçka jo e mirë që ishte thënë për të gjatë tetë viteve aktive në politikë dhe u kthye në legjendë dhe frymëzim për brezat që do të vinin në Partinë Demokratike.
Sot është edhe e bija ndër ta. Ka nisur karrierën politike me një mandat të sigurt si deputete. Por rruga e politikës është e gjatë, ajo sapo ka nisur e me siguri do t’i duhet të përballet me gjithçka sjell politika, ndoshta jo me të gjitha ato që u përball i ati, por do t’i duhet të heqë betejat e veta brenda PD-së. Padyshim sfida më e madhe e saj është që të mund të mbajë mbi shpatulla atë çfarë i ka lënë i ati, lideri i dhjetorit 1990, kryetari i parë i PD-së Azem Hajdari, katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, “Dëshmori i Demokracisë”.
Përveç së bijës së Azem Hajdarit, në elitën e re politike të PD-së vjen edhe i biri i Ali Spahisë, Bardh Spahia. Ai është mjek si i ati, Ali Spahia i cili mbahet mend si një ndër drejtuesit më të rëndësishëm të PD-së prej kohës së themelimit dhe deri në vitin 1997 ishte gjithashtu një mjek i respektuar, i cili shërbeu me shumë pasion në këtë profesion të nderuar, malësorëve të Shkodrës. Ishte një ndër emrat që vinte nga shtresa e të përndjekurve politikë, sepse ishte arrestuar dhe dënuar për agjitacion e propagandë gjatë regjimit komunist. Pas vitit 1997, Ali Spahia nuk ishte më deputet por anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. U nda nga jeta në vitin 2000.
I biri Bardh Spahia është me profesion mjek. Ka mbajtur disa detyra gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, një prej tyre është ajo e zëvendës/ministrit të Shëndetësisë, më pas kaloi si këshilltar i presidentit Nishani dhe me përfshirjen në PD, u largua nga presidenca për t’u zgjedhur në krye të Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës. Bardh Spahia është i katërti në listën e kandidatëve të PD-së në qarkun Shkodër.
Në kampin e së djathtës vjen dhe një tjetër mbiemër i njohur në rrethet politike dhe mediatike që kanë mbështetur PD. Klevis Balliu është i biri i botuesit Fahri Balliu, i cili njihet si një ndër përfaqësuesit e medias i pozicionuar qartazi në mbështetje të PD-së. Klevis Balliu nuk ka eksperiencë politike, por thotë se kishte vendosur të përfshihej në politikë qysh kur kishte takuar për herë të parë Azem Hajdarin e Sali Berishën. Klevis Balliu është kandidat në listën fituese të PD-së për Korçën dhe përfaqëson Pogradecin.
Bilal Kola, misioni për dinjitetin e “të deklasuarve”
Nëse e bija e Azem Hajdarit e ka të sigurt vendin në parlament, për Bilal Kolën e APD-së, partia që përfaqëson të përndjekurit politikë, sfida është më e vështirë. Në fakt është përfaqësues i një shtrese që ka kaluar sfida të frikshme në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi, por edhe në vazhdimësi. Ish-të përndjekurit politik, janë shtresa e dhunuar ashpër nga regjimi komunist dhe e përçmuar për 27 vitet e tranzicionit postkomunist. Bilal Kola, shfaqet si alternativë, përfaqësues i kësaj shtresë në zgjedhjet e 25 qershorit, me shpresën që të çojë në parlament zërin e tyre të mbytur për mbi 75 vjet, me synimin për t’iu kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur.
Për të gjithë ata që nuk e dinë se si ishte jeta e një fëmijë të internuar, përgjigjen e gjejnë edhe tek Bilal Kola. Ai ka lindur në internim në vitin 1972, në fshatin Plug të Lushnjës, ku edhe ka jetuar deri në moshën 18-vjeçare. Mban emrin e gjyshit të tij Bilal Kola, i cili ishte një prej përfaqësuesve të lartë të partisë Lëvizja e Legalitetit. Kishte strehuar dhe bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë në Shqipëri, gjatë Luftës II Botërore. Për këtë ai u vra nga regjimi komunist ndërsa familja e tij u internua, u burgos përgjatë 50 viteve të diktaturës komuniste. Kurt Kola, biri i Bilalit “Senior”, ishte i mitur kur i ati antikomunist u vra, por Kurti bashkë me familjen do të vuante një kalvar të gjatë nëpër burgjet e internimit komunist, atje ku lindi dhe u rrit edhe Bilal Kola.
Me rrëzimin e sistemit komunist, u hapën dyert e institucioneve arsimore edhe për fëmijët e të përndjekurve politikë. Bilal Kola vazhdoi studimet larta për Drejtësi në Universitetin South Bank, në Londër, dhe në vitin 2011 mori titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomery, SHBA. Gjithashtu, ai zotëron një Master në të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës, si dhe një diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Prej vitesh ai është angazhuar në mbrojtjen të kauzës së ish të përndjekurve politikë.
Disa muaj më parë Kola, themeloi partinë Aleanca Popullore për Drejtësi. Të përndjekurit politikë, pronarët realë dhe diaspora janë baza e kësaj lëvizjeje të re politike. por që brenda saj e gjejnë veten gjithë qytetarët shqiptarë që janë nëpërkëmbur nga qëndrimet e pseudo të djathtëve.
“Vetë fakti pse një 26-vjeçar di pak ose aspak për diktaturën komuniste është arsye më vete pse pjesa e programit tonë për “Muzealizimin, Kurrikulat Shkollore dhe Vlerësimet Historike” duhet implementuar. Përveç iniciativave ligjore për dënimin e krimit komunist, që kurrë nuk u ndërmorën, ne synojmë ballafaqimin e nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si dhe me anë të ekskursioneve në vendet e vuajtjes së martirëve të lirisë dhe viktimave të komunizmit, me ciceronë ish të burgosur dhe të internuar. Kjo sigurisht që, është e vonuar, por përgjegjës për këtë janë pikërisht vendimmarrësit e këtyre 26 viteve dhe jo 26-vjeçarët shqiptarë!”, thotë Bilali në një intervistë për Koha Jonë.
APD hyn me ambicie të madhe në këto zgjedhje me synimin për t’u përfaqësuar me një grup parlamentar. Nëse do të realizohen pritshmëritë e kreut të PAD-së, për herë të parë në 27 vjet, të përndjekurit politikë do të kenë zërin e tyre në parlament për t’u mbrojtur përballë atyre që për 27 vjet përdorën sa për t’iu marrë votat e më pas i lanë në fatin e tyre të përcaktuar nga koha e komunizmit, “të deklasuar”.
Pëllumbi, pinjolli i “Profesorit të Socialistëve”
Krejt i ndryshëm është profili i Arben Pëllumbit, i biri i Servet Pëllumbit, njëri prej emrave më në zë në politikën e Partisë Socialiste prej themelimit e deri sot. Arben Pëllumbi është kandidat në listën e Partisë Socialiste për Tiranën, në një vend me pak shpresa për të fituar mandate më 25 qershor. Ai renditet i 18-i në listën e PS-së në Tiranë. Megjithatë, ky është një hap i parë për të hyrë në botën e politikës, për të cilën ka kontribuar edhe i ati, Servet Pëllumbi, të cilin media e ka pagëzuar me emrin “Profesori i socialistëve”.
Në shtator të vitit 2005, Servet Pëllumbi ia dorëzoi Jozefina Topallit, “çelësat” e Parlamentit. Atë shtator, ai u tërhoq nga politika aktive për t’iu lënë vendin të rinjve, siç u shpreh profesori. Kishte qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste, përkrah Fatos Nanos, por edhe përballë tij në debatet për demokracinë e brendshme në PS. Servet Pëllumbi mbahet mend si një prej kundërshtarëve më të fortë të Fatos Nanos prej vitit 1996, kur nisën për të mos u mbyllur deri në vitin 2004, sherret mes grupeve kundërshtare në PS. Si për ironi të fatit, u larguan bashkë nga politika aktive, kur PS humbi zgjedhjet e korrikut 2005. Fatos Nano dha dorëheqjen si kryetar i PS-së, ndërsa Servet Pëllumbi mbylli karrierën politike me një mandat rreth dy vjeçar në krye të Kuvendit. Ata janë shfaqur herë pas here në skenën politike, njëri si kandidat për president e tjetri si “senator” i socialistëve për të dhënë këshilla në udhëkryqet e kësaj partie. Fatos Nano duket se e ka humbur shansin pasi aspirata e tij për t’u bërë president sa vjen e bëhet më e pamundur. I biri nuk u shfaq në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së, edhe pse u përfol në media se Rama e kishte rezervuar një vend në listë për mbiemrin Nano. Ndërsa Pëllumbi kthehet sërish përmes të të birit, Arbenit. Ai është biznesmen dhe thotë se kishte qenë i painteresuar për politikën. Një takim miqësor me kryeministrin Rama e kishte bindur që ai të angazhohet në PS si kandidat për zgjedhjet e 25 qershorit.
“Gjatë gjithë këtyre 27 viteve, të dyja pasionet e mia, biznes dhe politikë kanë “luftuar” herë pas here me njëri-tjetrën. Unë kam pasur propozime të ndryshme nga PS-ja, sidomos pas vitit 2005, por vetëm në fillim vitin 2017, pas një bisede shoqërore me kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, z. Edi Rama, sot jam pjesë e listave të kandidatëve për deputet të PS për qarkun Tiranë”, shprehet ai në një intervistë për GSH.
Në këto zgjedhje ndoshta nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PS-së, por mund ta shohim në një tjetër pozicion drejtues në PS a qeverisjen e mundshme të saj. Ndërsa në zgjedhjet e tjera, me siguri do ta kemi sërish “Pëllumbin e PS-së” në parlament.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu