Lidhu me ne

Temporal

Një kofshë pule për çdo kosovar

Një milion vende të punës dhe një kofshë pule për çdo kosovar – Enver Robelli

 

Në pranverë gjithçka lulëzon. Pemët bulëzojnë, gjelbërimi mbulon natyrën, shkëlqimi i diellit gjallëron sytë dhe zemrat e njerëzve, uji i kristaltë i lumenjve freskon male, vadit ara e fusha. Sipas filozofit amerikan Henry David Thoreau, “pranvera është ringjallje e vërtetë, një copë pavdekësi”.
Për qytetarët e Kosovës, për ata që janë të interesuar për betejat politike, por edhe për ata që me indiferencë shikojnë teatrin e madh politik të quajtur “fushatë elektorale”, pranvera e vitit 2017 është, para së gjithash, një stinë premtimesh marramendëse, një sezon kur për të satën herë protagonistët e njëjtë politikë mundohen t’i shesin popullit dushk për gogla.
Një milion vende të punës dhe një kofshë pule për çdo kosovar – dhe për çdo ditë. Ky do të ishte premtimi më origjinal. Sepse të gjitha të tjerat i kemi dëgjuar. Demarkacioni me Malin e Zi do të zgjidhet shumë shpejt, thotë kandidati për kryeministër i koalicionit të frikës dhe territ, i cili marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi në Parlamentin e deritanishëm e ka luftuar edhe duke gostitur kolegët në Parlament me një pije të fortë. Vizat do të hiqen brenda tre muajve, thotë po i njëjti lider rajonal i një partie rajonale të themeluar për të menaxhuar bizneset familjare dhe fisnore.
Mbetet që në mandatin e ardhshëm të fshijmë çdo gjurmë të historisë para vitit 1999 dhe Kosova të shpallet muze i hapur me përmendore socrealiste të skulptorëve të dështuar të Tiranës, të cilët për disa mijëra euro prodhojnë heronj kosovarë në bronz sipas dëshirës dhe porosisë. “E doni heroin me pushkë në krah apo në pozicion të gjuajtjes”? “Urdhëroni, ne jemi këtu në shërbimin tuaj. 24 orë”. Pasi kanë dështuar t’ua sigurojnë qytetarëve të Kosovës një jetë me dinjitet, pashallarët dhe bajraktarët arrogantë premtojnë mrekulli brenda 100 ditësh.
Kështu flasin njerëzit që e kanë humbur kontaktin me realitetin, që nuk duan të kuptojnë si (mbi)jeton një familje me katër anëtarë në një fshat të humbur të Kaçanikut, Kamenicës apo Drenasit, kështu flasin kapot që fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla private brenda dhe jashtë vendit, kështu flasin ata që i kanë rrobaqepësit e tyre personalë në Vjenë, kështu flasin ata që sillen si pronarë të fateve të Kosovës dhe bëhen sikur patjetër duan ta lumturojnë popullin, por populli injorant nuk po i lejon. Kështu flasin ata që në Kosovë sillen si politikanë që duan të luftojnë varfërinë, ndërsa të njëjtit pas pak ditësh i sheh me familje e farefis duke fluturuar pistave të skijimit në një resort të shtrenjtë në Austri.
Në çdo fushatë elektorale viktima e parë është e vërteta.
“Kurrë nuk gënjehet më shumë se para zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë”, thoshte kancelari i hekurt gjerman Otto von Bismarck. Përshkrim më të saktë zor se mund të ketë për krahun e plaçkitësve të Kosovës që tani po kërkon vota e besim nga qytetarët.
A nuk e pamë këtë film, këtë mashtrim të madh para 3 vjetësh? Edhe atëherë ishte pranverë, kur premtoheshin 200 mijë vende të punës, sidomos në tubime elektorale me arsimtarë të varfër, të cilët “ftoheshin” në darka gjigante – një sahan me mish, një votë. Kjo politikë ndaj arsimit u tregua shumë e suksesshme: rezultatet e testit PISA tashmë i kanë parë të gjithë. Nuk u krijuan as 200 mijë vende të punës, as 120 mijë, as 80 mijë. Mijëra njerëz braktisën vendin, sepse nuk shihnin perspektivë dhe shihnin disa udhëheqës cinikë dhe të paaftë t’i jepnin pak shpresë vendit.
«Nëse na kthejnë prapa, atëherë do të ngjitem lart në ndërtesë dhe do të kërcej me tërë familjen», i thoshte një gazete zvicerane në fillim të vitit 2015 kosovari Albert Agaj, në një strehimore azilantësh në München. Ai ankohej se s’mund të jetonte në Kosovë me 5 euro në ditë. Ky kosovar është njëri prej qindra-mijëra qytetarëve të pashpresë të Republikës së Kosovës. Të gjithë këta njerëz kishin shumë ëndrra më 12 qershor 1999, kur u çlirua Kosova, para së gjithash, falë intervenimit të NATO-s. Këta njerëz patën shumë ëndrra, kur më 17 shkurt 2008 u shpall Pavarësia me përkrahjen vendimtare të shteteve perëndimore.
Në pranverën e vitit 2017 qindra mijëra kosovarë nuk kanë më iluzione, as ëndrra, ndërsa pothuaj 24 orë ballafaqohen me politikanë që shesin iluzione. Ka shumë premtime, por askush nuk flet si do të përmbushen ato, a ka Kosova buxhet të mjaftueshëm, a kanë partitë që e sollën Kosovën në këtë qorrsokak politik dhe ekonomik një program bindës, një strategji? Jo. Edhe sivjet premtimet e vjetra gëlqerosen pak për t’u dukur të reja. Kush ngulet në këtë karrem, veten në qafë e pastë.
Si të vetëmbroheni si votues nga orteku i rrenave elektorale? Me mosbesim të shëndoshë dhe me bindje se Kosova ndryshon vetëm kur të shkëputet nga kthetrat e grabitësve. Të atyre që shërimin e komplekseve personale, kënaqjen e ambicieve joreale dhe pasurimin klanor e kanë pasur «agjendë shtetërore» – pa marrë parasysh a kanë qenë në pushtet apo në opozitë. Në fakt, bëhet fjalë për një agjendë barabash! Me këtë taraf që tenton t’i bëjë politikë publike ligjet e nëntokës, Kosova numëron në vend dhe do të mbetet vrimë e zezë e rajonit. Është në duart dhe në mendjen e votuesve që pranverën e mashtrimeve të sërishme elektorale ta shndërrojnë në pranverë të ringjalljes jo vetëm politike, por edhe ekonomike, sociale dhe morale. Votoni për ata që kanë ideale për Kosovën, jo për ata që ideal të vetëm e kanë vjedhjen dhe mashtrimin.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar3 ditë më herët

U hoqën nga gara, por nuk mërziten! Si shprehen socialistët pas publikimit të listës

Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të...

Mix3 ditë më herët

Ushqimet për një agjërim sa më të shëndetshëm gjatë Ramazanit

Gjatë kohës së vakteve në muajin e Ramazanit, familjet myslimane zakonisht mblidhen për të shijuar vaktin pas perëndimit të diellit...

Mix3 ditë më herët

Mollët, portokalli dhe kivi, frutat më të mira për mëngjes dhe përfitimet e tyre për shëndetin

Studime të ndryshme kanë treguar se ngrënia e mëngjesit mund të ndihmojë në stimulimin e metabolizmit. Një mëngjes i shëndetshëm...

Mix3 ditë më herët

Rihanna vesh xhinset $1,200 të Kendrick Lamar

Mesa duket, Rihanna ‘is like us’. Një muaj pasi Kendrick Lamar bëri bujë me performancën e tij në “Super Bowl...

Mix3 ditë më herët

Si të humbasësh peshë duke ecur! Këshillat për një rezultat të shpejtë

Për të mbajtur një trup të shëndetshëm mënyrat e duhura janë vetëm dy, aktiviteti i vazhdueshëm fizik dhe regjimi i...

Radar3 ditë më herët

“Lista e PD me një grusht servilash”, Basha – kolegëve demokratë: I paralajmërova, i ftoj të na votojnë ne! U bënë pishman për mumifikimin e partisë

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë dhe njëkohësisht drejtues i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Lulzim Basha, i bëri thirrje...

Aktualitet3 ditë më herët

PD dhe PS nxjerrin emrat kandidatëve që do përballen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur emrat e kandidatëve për deputetë të cilët do kandidojnë në zgjedhjet e 11...

Kryesore3 ditë më herët

Të zhgënjehesh nga Berisha në vitin 2025?

Dhe nëse dikush priste që ai do të luante ndryshe këtë herë, atëherë problemi nuk është Berisha – problemi është...

Aktualitet5 ditë më herët

Ben Andoni: Rama po përgatitet për republikën presidenciale

Kryeministri Edi Rama tha së fundmi se ka mundësi që të mos jetë më në listën e deputetëve. Kjo ka...

Radar5 ditë më herët

Eksodi i “diplomave”, në 2023 u diplomuan rreth 12 mijë studentë më pak se në 2019!

Eksodi i diplomave nuk ka të ndalur, teksa në bankat dhe auditore ka gjithnjë e me pak studentë, sot çka...

Facebook