Reagimet pas një sondazhi: Spekulime dhe teoritë më interesante
Sondazhi i IPR, PS fiton 43 për qind, PD 36, LSI 12
Paneli i komentuesve të sondazhit në studion e Tonight me Ilva Taren – Burimi: OraNews
Dje në mbrëmje, televizioni OraNews dhe IPR Marketing bënë publike rezultatet e sondazhit të parë për zgjedhjet e 25 qershorit. Të dhënat bazohen në intervista telefonike me 2002 votues në gjithë Shqipërinë gjatë datave 29-30 maj, dhe 1000 votues në qarkun e Tiranës, ku garohet për 34 nga 140 mandatet.
Në nivel kombëtar, 43 për qind e votuesve janë shprehur se nëse do të votonin sot, do të votonin për Partinë Socialiste. Në vend të dytë renditej Partia Demokratike me 36 për qind të votuesve dhe më pas, Lëvizja Socialiste për Integrim me 12 për qind të votuesve. Surprizë është partia e Ben Blushit , LIBRA e cila renditet në vend të katërt me 2,3 për qind, duke lënë pas PR e PDIU.
Ndërkohë 21 për qind e të intervistuarve janë ende të pavendosur se për cilën parti të votojnë.
IPR Marketing bën me dije se marxhi i gabimit të këtij sondazhi është ±2,5 për qind.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste ka rritur mbështetjen e saj me vetëm 1,7 pikë përqindje, ndërsa PD, e cila në vitin 2013 fitoi 30 për qind të votave, ka shënuar një përmirësim me 6 pikë përqindje. LSI, në nivel kombëtar ka një rritje prej 1,5 pikë përqindje.
Në qarkun e Tiranës ku votohet për 34 mandate, rezultatet e sondazhin tergojnë se nëse votimet zhvillohen sot Partia Socialiste do të fitonte 41 për qind, Partia Demokratike 33 për qind, Lëvizja Socialiste për Integrim 14 për qind, LIBRA 6 për qind dhe SFIDA 1,5 për qind.
Përkthyer në mandate, PS do të fitonte 15 mandate, PD 12 mandate, LSI 5 mandate dhe LIBRA dy mandate. Krahasuar me vitin 2013, kemi një rënie të Partisë Socialiste si në përqindje, dhe në numër mandatesh. Partia Demokratike është pothuaj në të njëjtën për qindje votash, por arrin të marrë një mandat më tepër për shkak të formulës. Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur të dyfishojë numrin e votave dhe të marrë dy mandate më tepër. Në Tiranë është interesante se si LIBRA ka arritur të tërheqë 6 për qind të votave, ndërkohë që partitë e vogla që kandidojnë nën siglën e PD-së ende nuk duket se kanë dhënë kontribut në numrin e votave.
IPR Marketing do të zhvillojë dhe dy sondazhe të tjera në javët vijim, tashmë dhe në tre qarqe të tjera.
Nëse qytetarët shqiptarë do të votonin sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 43% të votave.
Rezultatet e sondazhit të parë për votën kombëtare i realizuar nga Ora News dhe IPR Marketing rendisin forcë të dytë Partinë Demokratike me 36%, pas saj vjen Lëvizja Socialiste për Integrim me 12% dhe LIBRA me 2.3%.
Ndërkohë të gjitha partitë e tjera si PR apo PDIU nuk kalojnë pragun.
Sondazhi ka nxitur shumë debate në rrjetet sociale, sidomos përsa i përket pyetjes se kush do i fitojë zgjedhjet, kur një numër i konsiderueshëm të pyeturish thonë se do i fitojë PS-ja.
55.9 përqind thonë se do fitojë PS, vetëm 8 përqind thonë se do fitojë PD.
Duket se kjo situatë kur njerëzit, pavarësisht bindjeve politike, janë të përgatitur për një fitore të PS-së, ka bërë që posti i deputetit të jetë kaq i lakmuar.
Në rrjet spekulohet se arsyeja e largimeve të kandidatëve të PD është se ata nuk po e ndjejnë ‘aromën e pushtetit’.
Madje një prej kandidadatëve të PD shkoi në ekstrem: Lefter Maliqi kaloi me PS-në. Gazeta “Rilindja Demokratike” shkruan se ai ka marrë 300 mijë dollarë për këtë gjë.
Disa portale shkruajnë se rritja me 6 përqind e PD vjen prej bashkimit me aleatët.
Kurse portalet pranë të djathtës habiten me rritjen prej 3 përqind të PS.
Nga ana tjetër, analisti Artur Zheji thotë se sondazhi, pavarësisht se e nxjerr Ramën fitues, e ka rrëzuar qeverinë e tij, pasi shumica dërrmuese e njerëzve shohin si problem kryesor papunësinë dhe korrupsionin.
Zheji tha se të tilla probleme rrëzuan qeverinë e Sali Berishës.
Sondazhi tregoi edhe njëherë se asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme, edhe pse PS dhe PD duan të distancohen nga LSI.
Zheji dhe të tjerë analistë mendojnë se sondazhi ka probleme logjike, por ish-ministri i LSI, Ylli Manjani ka tjetër mendim.
“Asgjë jo logjike nuk pashë tek sondazhi i IPR marketing në Ora News! Ky është përceptimi i shqiptarëve për realitetin. E theksoj PËRCEPTIMI”,” tha Manjani.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu