Lidhu me ne

Temporal

Sa larg Struga, sa afër McDonaldsi i Shkupit

 

Enver Robelli

Kur në fillim të majit 2015 në një lagje të Kumanovës u zhvillua një përleshje e ashpër mes një grupi shqiptarësh (disa prej tyre me dosje të trashë kriminale) dhe forcave të armatosura maqedonase, skena mediale e Prishtinës reagoi si pa krye. Luftë në Kumanovë? Të vrarë? Sërish konflikt i armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve? «A ma jep numrin e ndonjë analisti në Shkup se ti i njeh krejt?» – kjo ka qenë njëra ndër pyetjet më të shpeshta me të cilat jam ballafaquar ato ditë. Redaktorë, kryeredaktorë, gazetarë reagonin si të hutuar përballë situatës. Kureshtja e publikut për të mësuar se çfarë po ngjan dhe paaftësia apo pamundësia e lajmëtarëve për të informuar publikun, rrallëherë ka qenë më e madhe se në fillim të majit 2015.
Kureshtja e publikut ishte e arsyeshme: ndoshta gati gjysma e Kumanovës me rrethinë ka lidhje të ngushta familjare me Gjilanin dhe Preshevën. Kufijtë i kanë ndarë këto rajone si thikë, por lidhjet nuk janë shkëputur. Si të shkëputen kur njëri ka dajën në Kumanovë, tjetri kushërinjtë në ndonjë fshat të rrethinës së Gjilanit.
Edhe ngjarjet e së enjtes, kur një bandë maqedonasish sulmuan parlamentin dhe rrahën disa deputetë (maqedonas dhe shqiptarë), ngjallën habi nëpër redaksitë e Prishtinës. Lajmi se parlamenti në rrethana dramatike, nën zhurmën e deputetëve të VMRO-së, zgjodhi Talat Xhaferin kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, u dha fillimisht me një indiferencë të theksuar. Por kur në parlament filloi të rrjedh gjak, gjithçka ndryshoi: mediat e Prishtinës nisën të kërkojnë një shteg për të depërtuar te informacioni. Nuk ofruan ndonjë gjë origjinale. U shndërruan në distributore të lajmeve të mediave shqiptare në Maqedoni. Një gjë e tillë nuk është e dënueshme, assesi, por shpalos ngathtësinë e shumë mediave kosovare si pasojë e mungesës së vëmendjes për ngjarjet në Maqedoni.
Me të drejtë thuhet se shqiptarët e Kosovës kanë një ndjeshmëri të madhe për shqiptarët në Maqedoni për shkak të luftës së fundit. Mijëra shqiptarë nga Mitrovica në Kamenicë gjetën strehim nga Kumanova në Strugë në vitin 1999. Por që nga atëherë shumë ujë ka rrjedhur nëpër Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi. Në fundjavët monotone të Prishtinës shumë familje zgjedhin të shkojnë në Shkup – në McDonalds (derisa u mbyll), ndërsa tani kosovarët vërshojnë kryesisht qendrat tregtare. Ose Burger Kingun famoz. Një fundjavë në Strugë? Të rrallë janë ata që marrin këtë rrugë. Pas hapjes së «Rrugës së Kombit» njerëzit marshojnë direkt përmes Prizrenit e Kukësit në Tiranë, «rruga e vjetër» nga Struga e Qafë Thana përmes Elbasanit në Tiranë ka mbetur vetëm kujtim nostalgjik.
Pak a shumë e njëjta vlen edhe për gazetarët kosovarë. Të rrallë janë ata që «humbin» rrugën në viset shqiptare në Maqedoni. Më parë do të lexoni një reportazh nga Struga në gazetën aspak prestigjioze «Wiener Zeitung» se në mediat e Prishtinës. Bash tani do të ishte momenti që gazetarët të vërshonin komuna e fshatra të banuara me shqiptarë në Maqedoni, të shkruanin për hallet e tyre, për përditshmërinë, për jetën që pulson, për kërkesat e tyre, për format e diskriminimit. Por momenti ka qenë edhe më 2015. Ka qenë edhe më parë. Dhe është përherë. Zakonisht pas ngjarjeve të mëdha në Maqedoni në mediat kosovare (dhe të Tiranës) shfaqet një varg intervistash me politikanë të Tetovës dhe Shkupit. Është gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Pyetje pa sherr, përgjigje plot retorikë boshe.
Jo vetëm shqiptarët në Maqedoni, por edhe ata në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi meritojnë më shumë vëmendje sidomos nga mediat në Prishtinë. Me dekada kryeqyteti i Kosovës ka qenë qendër arsimore dhe shoqërore për shumë shqiptarë nga Struga e Tetova deri në Ulqin. Me shpërbërjen e Jugosllavisë, vendosjen e kufijve të rinj, hapjen e universiteteve në Tetovë, shkëmbimi sidomos mes të rinjve ka rënë. Ndër të paktit që mbajnë kontakte janë profesorët e Prishtinës dhe Tiranës, që pasi ligjërojnë në 50 universitete të vendet e tyre shkojnë të ligjërojnë edhe në Tetovë. Dhe në çdo përvjetor të universiteteve në Tetovë, Prishtinë dhe Tiranë «karteli i ulemave akademikë» shpërndan tituj: sivjet ti mua më shpall doktor nderi në Tetovë, vitin tjetër unë ty në Tiranë dhe pastaj që të dy në Prishtinë. Ose e kundërta. Provincializëm me brirë.
As për këtë fenomen nuk do të gjeni një copë shkrim në mediat e Prishtinës dhe Tiranës. Siç nuk do të gjeni një portret të lexueshëm mbi kryetarin e ri të parlamentit të Maqedonisë. Një profil të lexueshëm të Zoran Zaevit. Një hulumtim pak më serioz, përtej paragjykimeve, të Lëvizjes Besa. Një bilanc të pjesëmarrjes në qeveri të Bashkimit Demokratik për Integrim. Meqë temat me karakter fetar polarizojnë më shumë, në mediat kosovare krijohet përshtypja se në pjesën shqiptare të Maqedonisë njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër përveç se kalojnë ditën duke marrë avdes, duke u falur dhe duke i thurur lavde Rexhep Taip Erdoanit. Natyrisht që ka edhe të tillë dhe kjo po ndodh edhe për shkak se asnjë politikan i Prishtinës nuk ka më autoritet në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që Edi Rama i përdorë për parada patriotike, siç i përdorte edhe Sali Berisha dikur.
Por përtej kësaj ekziston një Maqedoni shqiptare krejt e zakonshme, me halle tokësore. Poetë që shkruajnë (ose kanë shkruar) poezi të bukura (edhe për Prishtinën). Profesoresha e profesorë universiteti në Shkup, që mund të shpjegojnë mirë se çfarë po ngjan në Maqedoni. Aktivistë të shoqërisë civile me horizont të gjerë. Për t’i njohur ata duhet shkuar në Shkup, në Tetovë, në Kërçovë, në Gostivar, në Manastir, madje edhe në Prilep. Rruga deri atje nganjëherë mund të jetë e mundimshme, sigurisht më e mundimshme se veprat gjigante gazetareske nga tavolina e punës në Prishtinë. Por rezultati do të jetë më i dobishëm. Këmbët, ka thënë një publicist italian, janë më të rëndësishme për një gazetar se pena.
dialogplus.ch
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix5 orë më herët

9 vitaminat që forcojnë dhe dendësojnë flokët: Funksioni i secilës

Shëndeti i flokëve tanë varet nga shumë faktorë, si dieta, stresi, ndryshimet hormonale dhe faktorë të tjerë të jashtëm apo...

Kryesore6 orë më herët

PD punëson këshilltarin e Trump, komenti i Ramës: Këneta nuk bëhet dot det

Ish-drejtuesi i fushatës së Trump në Shqipëri për PD-në, ka krijuar jo pak diskutime për busullën amerikane në këto zgjedhje...

Mix6 orë më herët

Konfirmohet sezoni i tretë i “Euphoria”

“Euphoria” është zyrtarisht në prodhim për sezonin 3, njoftoi HBO të hënën. Duke marrë në X, rrjeti ndau një foto...

Radar6 orë më herët

Edi Rama: Veliaj nuk do të shkarkohet, SPAK ka dalë nga shinat kushtetuese

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të...

Mix8 orë më herët

Angelina Jolie flet për vajzën e saj Shiloh: “E urren famën”!

Kanë kaluar disa muaj nga lajmi i fundit në media për Angelina Jolie. Ishte në fund të vitit të kaluar...

Mix9 orë më herët

A po ndikon shëndeti mendor i Justin Bieber në martesën e tij?

Modelja ka bërë një postim duke e shoqëruar me një mesazh të veçantë që ka rrëmbyer vëmendjen e fansave. “Unë...

Mix10 orë më herët

Rrjeti mendon se edhe varësja e Kendrick Lamar në Super Bowl ishte diss për Drake

Në performancën e tij në Super Bowl LIX më 9 shkurt 2025, Kendrick Lamar duket se ka dërguar disa mesazhe...

Mix10 orë më herët

Gigi Hadid ndan foto të ëmbla me vajzën e saj Khai

Supermodelja Gigi Hadid ka ndarë në Instagram disa momente të bukura me vajzën e saj 4-vjeçare, Khai, por pa e...

Radar10 orë më herët

Donald Trump: Ukraina një ditë mund të bëhet ruse

Presidenti amerikan Donald Trump la të hapur mundësinë që Ukraina një mund të bëhet ruse. Në një intervistë për Fox...

Radar11 orë më herët

SPAK: 860 mijë euro blerje bizhuterish online

Në deklaratën e sotme të SPAK evidentohet edhe një akuzë për Ajola Xoxen që është si më poshtë:  Po kështu, ky qëllim...

Facebook