Qeveria ka miratur sot vendimin për rritjen e pagës minimale me 2 mijë lekë. Referenca zyrtare prej 22 mijë lekësh ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2013. Vendimi i qeverisë përcakton që paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të shkojë 24 mijë lekë, ndërsa paga maksimale 105,850 lekë, nga 97,030 lekë që është aktualisht. Rritja e pagës minimale do të shtojë edhe rritjen e kontributeve për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit.
Gazeta “Panorama” ka zbardhur relacionin me efektet e rillogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me pagën minimale mujore nga 24 mijë lekë deri në 105,850 lekë. Për punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës, është parashikuar edhe paga me orare, që do të jetë 138 lekë për orë. Me rritjen e pagës minimale, të punësuarit do të paguajnë 557 lekë më shumë kontribute nga ç’paguajnë aktualisht.
Referuar relacionit të projektvendimit, shuma totale e kontributeve për të punësuarit me pagën e re minimale do të jetë 6,696 lekë në muaj. Aktualisht, paguhet 6,139 lekë në muaj, pra pagesa për kontributet do të rritet 557 lekë në muaj. Për ata të punësuar që paguajnë kontributet mbi bazën e pagës maksimale, me nivelin e ri llogaritet që të paguajnë 29,532 lekë në muaj. Me nivelin e sotëm paguhet 27,071 lekë në muaj. Kontributet do të ndryshojnë edhe për të vetëpunësuarit. Me pagën e re minimale kjo kategori do të paguajë 7,152 lekë në muaj. Personat e vetëpunësuar, me përjashtim të fermerëve, kontributin e detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetë­ sor do ta paguajnë 1,632 lekë në muaj, nga 1,496 lekë në muaj që paguajnë sot.
Lajmin për rritjen e pagës minimale, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, e ndau edhe me punonjësit fasonë gjatë vizitës që zhvilloi dje në një sipërmarrje fasone me kapital të përbashkët italoshqiptar, në qytetin e Kavajës, i shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar të Bashkisë, Klodian Shehi. “Dua të ndaj me ju një lajm, që jam i bindur se ju intereson drejtpërsëdrejti. Ne kemi vendosur si qeveri që të kalojmë një vendim qeverie për rritjen e pagës minimale nga 22 mijë në 24 mijë lekë. Në fakt, unë jam shumë i kënaqur se sot ka dy lajme këtu dhe këto janë lajme që Shqipëria që duam ka për të pasur shumë në katër vitet që do të vijnë. E para është rritja e pagës minimale dhe ky është një lajm shumë i rëndësishëm dhe, e dyta është që po shtohet punësimi, 150 vende të reja pune do të hapen së shpejti vetëm në këtë sipërmarrje”,- tha Ahmetaj, duke shtuar se një nga sfidat e mandatit të dytë të qeverisë Rama do të jetë zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave.