Sekuestrohet pasuria e deputetit të PS-së Alfred Peza, në vlerën 1.1 miliardë lekë. Vendimi është marrë nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda e cila si rezultat të hetimeve të Prokurorisë ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve, në masën 1 %, me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja, të regjistruara në emrin Mirela Ndini, bashkëshorte e deputetit Alfred Peza, në bankën “Credins”.
Nga hetimi i zhvilluar, rezulton se Peza dhe bashkëshortja e tij, kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë, gjë e cila sipas organit të akuzës ngre dyshime të forta me ligjshmërinë e e kësaj pasurie.
Pavarësisht pretendimit të deputetit Peza, Prokuroria ka zbuluar se aksionet në Bankë janë blerë me kontributit financiar të të dy bashkëshortëve. Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja.
Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.
“Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka Credins apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit ligjor, ka përcjellë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda referimin për hetim pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si Antimafia.” thuhet në njoftimin e Prokurorisë
Në këtë kuadër, Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat për “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrimi të produkteve të veprës penale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu