Festivali i Tulipanëve në Stamboll, këtë muaj ka mbushur me ngjyra të gjithë kryeqytetin turk, parqet, kopshtet dhe rrugët.
Festivali, i cili organizohet çdo vit prej 12-vjetësh, funksionon nën organizimin e Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe këtë sezon është prezantuar me sloganin “Stambolli njihet me tulipanët”.
Janë më shumë se 160 lloje tulipanësh rreth e rrotull qytetit, varietete nga më të ndryshmet dhe ngjyra nga më të larmishmet.
Parku ‘Emirgan’ ka hapësirën më të madhe të kësaj luleje. Janë plot 3 milionë tulipanë në një hapësirë prej 117 hektarësh të parkut.
Përveç kësaj, duke filluar nga 21 prilli, sheshi ‘Sultanahmet’ do të jetë tapeti më i madh në botë i mbushur me tulipanë. Janë 564 mijë lule që do të prezantohen para shumë turistëve që vijnë çdo vit në Stamboll për të ndjekur këtë ‘garë’ të përvitshme lulesh.
Festivali organizohet nga 1 deri më 30 prill dhe përveç luleve, përmban edhe ekspozimin e veprave të artit, organizime koncertesh muzikore dhe aktivitete sportive, të cilat i japin më shumë dritë e ngjyra jetës së Stambollit, por edhe shumë turistëve të tij.