Lista/ Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj, 7 janë call centera, Shqipëria e varur prej tyre
Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me mbi 450 të punësuar për kompani që ka Shqipëria, 7 prej tyre janë call centera. Shqipëria ndodhet në një moment ku shumë sektorë, jo vetëm nuk po punësojnë, por kanë filluar të heqin nga gna punonjës. I vetmi sektor që ka parë rritje vitet e fundit ka qenë call center, që tërhoqi një sërë kompanish italiane të transferonin aktivitetin e tyre në Shqipëri, por e ardhmja e këtij sektori, pavarësisht avantazheve të dukshme, është vënë në pikëpyetje pas sulmit të hapur të qeverisë italiane, që po u vë barriera sipërmarrjeve të këtij sektori dhe mungesës së kundërpërgjigjes nga qeveria shqiptare.Në bazë të listës së 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, në të përfshihen 45 sipërmarrje me kapital privat (me më shumë se 450 punëtorë), 11 janë kompani me kapital shtetëror dhe 44 të tjera janë ente shtetërore (bashki, spitale, ujësjellës, drejtoritë e policive etj.) Nga këto 45 ndërmarrje private dominon sektori i këpucëve, që punon kryesisht me material porositësi, me 11 të tilla, 7 janë në fushën e call center, 5 janë banka, 3 janë subjekte të sigurisë fizike, 4 janë baste sportive, 2 arsim privat, të tjerat janë në fushën e televizionit, prodhimit të naftës, minierave, ndërtimit (rrugëve) etj. Mungojnë sipërmarrje të mëdha prodhuese, apo dhe biznese të teknologjisë së informacionit, drejt të cilave po orientohet sot e gjithë bota.
Punëdhënësit më të mëdhenj në vend (pa entet publike)
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Në fund të vitit 2015, kompania kishte rreth 6 mijë të punësuar.
Intercom Data Service (IDS) është punëdhënësi i tretë më i madh në vend (pa OSHEE dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë) dhe i pari nga sipërmarrjet private, me rreth 3 mijë të punësuar. E përqendruar në aktivitetin e thirrjeve telefonike, IDS është nga pionierët e parë të këtij sektori në vend, që vitet e fundit ka punësuar mijëra të rinj shqiptarë, madje po tërheq edhe të rinj italianë, teksa po diversifikohet dhe në shërbimet online të marketingut.
Top Bast, një subjekt që vepron në aktivitetin e lojërave të fatit, me gati 2200 të punësuar. Më shumë se hapje reale e vendeve të punës, ky rezulton një formalizim, pas aksionit të qeverisë në vitin 2015 në këtë sektor. -Dy sipërmarrjet e tjera të mëdha call center janë Albanian Marketing Service (Teleperformance) dhe Albacall, me përkatësisht 2150 dhe 1800 të punësuar. Ky sektor dominon dukshëm në renditjen e kompanive më të mëdha për nga pesha në punësim. Në total, nga 43 mijë punonjës të punësuar nga 45 më të mëdhenjtë, 23% i përkasin call center. Operatorë të tjerë të mëdhenj janë PARR, Professional Marketing Albania, Tregi Marketing Group, FIBER.
Sektori i fasonit vijon të jetë punëdhënës i madh, sidomos në prodhimin e këpucëve që ka përparuar në raport me tekstilet dhe pjesa më e madhe e sipërmarrjeve e kanë mbyllur ciklin, duke rritur vlerën e shtuar. Alba Shoes Group mbetet më i madhi për numrin e të punësuarve, me rreth 1200 punonjës. Më pas renditen Remal, Fital, Donianna, Endi sh.p.k., Dophil. Nga bizneset e veshjeve, më i madhi është Naber-Shijak. Center Shqiptare Berat, me aktivitet në fabrikimin e letrës dhe kartonit të valëzuar dhe ambalazhit me karton, ka rreth 1000 të punësuar.
Nga bankat, kryesimin e kanë Raiffeisen dhe BKT, së bashku me Credins e Intesa Sanpaolo Bank.Sipërmarrjet e naftës, që kryesojnë renditjen sipas qarkullimit vjetor, janë kryesisht tregtues të mëdhenj (Kastrati) dhe me kapital intensiv (Bankers Petroleum) dhe punësojnë nga rreth 500 persona secili.
Më 1 prill hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri, për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. P.sh. mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”. Operatorët e tregut pohojnë se ky presion ka filluar të ndihet. Kompanitë e mëdha italiane kanë filluar që të reduktojnë kontratat në Shqipëri. Telecom Italia Mobile (TIM), platforma televizive me pagesë Sky dhe Fastëeb (fibra optike), të cilat kanë kontraktuar operatorë shqiptarë për shërbimet e call center, po tërhiqen gradualisht.
Sektori i call center në Shqipëri ka 25 mijë të punësuar dhe ka njohur një zgjerim të shpejtë vitet e fundit. Por, ndërsa të paktën ndërmarrjet e mëdha do t’i mbijetojnë presionit italian, nuk pritet që rritja të vazhdojë me ritme të njëjta, ndërsa ka sinjale se disa subjekte kanë filluar të mbyllen.Qeveria italiane duket e vendosur për të mos lejuar as transferimin e kompanive të tjera në Shqipëri dhe po u bën presion kompanive celulare, televizive të internetit të mos rinovojnë kontratat me operatorët shqiptarë. “Il Sole 24” shkruan se legjislacioni “antizhvendosje” në industrinë e call center, miratuar në ligjin e buxhetit (ndër më kufizueset në BE) ka filluar të tregojë rezultate. “Vetëm në janar janë vënë 20 sanksione në raport me 30 që u zbatuan gjithë vitin e kaluar – ka pohuar ministri i Zhvillimit ekonomik, Carlo Calenda. – Hapi i dytë, tani, është që të shmanget lëvizja dhe brenda Europës, në mënyrë që kompanitë të mos kalojnë nga Shqipëria në Rumani. Tani për tani, kemi marrë OK nga 12 nga lojtarët kryesorë, ne duam që të arrijmë deri në 15”. Çështja është që në skenarin aktual ekonomik, “sektori i call center ka nevojë për një nivel mbrojtjeje të veçantë”, ka shpjeguar zyrtari i qeverisë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu