Ervin Salianji: Shihni këtë ‘listë të zezë’ të dalë nga korridoret e PS
Ervin Salianji
Miti kryesor i socialistëve në qeveri, i ndërtuar nga dita në ditë, përherë e më me forcë, është: opozita po pengon vetingun!
Ngritja e miteve dhe legjendave urbane, më shumë se kudo gjendet në luftën për pushtet dhe si mjet politik për të bërë politikë dite. Duke ngritur mite ecet më i sigurt, ato“ngjisin” shumë më tepër se sa debatet e zgjatura për të zbuluar të vërtetën. Kështu ndërtohen disa fabula nëpër media dhe, shoqëruar me batuta, ato zënë vend më mirë se çdo debat politik. Dhe kjo po ndodh edhe në rastin e reformës në drejtësi.
Kjo sepse Reforma nuk pritet të përmirësojë vetëm drejtësinë e proceseve gjyqësore, nga ajo pritet të vijë pastrimi i madh, ai i pushtetit politik të lidhur me afera ekonomike të mëdha, dhe më thellë akoma të lidhura me krimin e organizuar. Sot diskutimi për drogën nuk është diskutim vetëm moral dhe kriminal, por mbi të gjitha është diskutim ekonomik . Ky diskutim duhet të nisë nga koka: kush përfiton nga paratë e drogës dhe kanabizimit. Zbulimi i rrjeteve të përfitimit nga abuzimi me pushtetin mund të jetë i pafund në çdo sektor të qeverisjes, por kanabisi është ilustrimi më perfekt, që fajin nuk e ka ligji, por vullneti politik dhe lidhja e krimit me politikën.
Reforma prek gjithë jetën politike, ekonomike dhe vendos ekuilibrat socialë në vend, për së paku 20 vitet e ardhshme. Kjo reformë u formësua dhe lindi si një përpjekje e fortë e opozitës dhe u votua në 21 Korrik unanimisht me mbeshtetje të fortë ndërkombëtare. Së pari, sepse të pambrojturit ose njerëzit pa pushtet, ku hyn edhe opozita, janë të parët që kanë nevojë për një drejtësi sa më të fortë, drejtësi të pavarur dhe të paanshme, e cila bën të mundur ndalimin e zyrtarëve që abuzojnë, sidomos ministrat me megaskandale në korrupsion, përfshirje në përhapjen dhe lejimin e drogës, dorëzanë në abuzimet me tenderat etj.
Për vetingun e këtij procesi duhej të mblidhej ajka e shoqërisë dhe jurisprudencës dhe duhet të kishte, së paku 5 fish kandidatë më shumë se numri i vendeve, për të bërë kështu të mundur cilësi dhe barazi mes profesionistëve.
Por, çfarë ndodhi! Duhet qartësuar një herë e mirë, madje duke e theksuar fort, që opozita në këtë fazë nuk ka asnjë tagër në përzgjedhjen dhe as ka dorë në ngecjen e procesit. Ka thjesht dhe vetëm propogandë mediatike të qeverisë e cila shkon në kurriz dhe në dëm të cilësisë së procesit, duke fshehur të vërtetën. Secili mund ta gjykojë vetë nga një kërkim i thjeshtë emëror. Procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetingut ka ngelur në institucione për shkak të tentativave për ta kapur, ose për shkak të paaftësisë, dhe kurrsesi për shkak të opozitës.
Në përfundim të procesit për komisionet e vetingut u përzgjodhën dhe u përcollën në parlament 22 kandidatë për 27 vende: 5 aplikantë më pak se postet që kanë komisionet e vetingut. Thënë thjesht: nëse do pranoheshin të gjithë, do mbeteshin edhe 5 vende të lira. Kaq pak e kaq gjë dështoi ngritjen e komisioneve.
Nuk mbaron me kaq. Me një kërkim te thjeshtë rezulton që, së paku 16 (nga 22 në total) kandidatë për komisionet e vetingut (komisionet që do të kontrollojnë “pastërtinë” dhe lidhjet e dyshimta ne sistemin gjyqësor) janë të lidhur me Partinë Socialiste.
Ja kush dhe ja se si:
1- Albana Shtylla – ish anëtare e KQZ, e emëruar nga PS.
2- Alma Vokopola (Faskaj) – Këshilltare e Komisionit të Ligjeve pas 2013, e punësuar dhe nën influencën direkte të Fatmir Xhafajt.
3- Donald Xhelili -është emëruar Kancelar i Gjykatës së Tiranës, pas vitit 2013, nga qeveria aktuale.
4- Eljona Lloja- rezulton e emëruar në Bashki në pozicionin e përgjegjëses së sektorit pas 2015.
5- Elvis Zaimi -punon pranë Bankës së Shqipërisë në pozicionin e Drejtorit të Sektorit Bankar e Juridik. Rezulton të ketë bërë disa shkrime e artikuj kritikë nëpër gazeta të ndryshme, mbi 21 Janarin, Reformën në Drejtesi e ndikimin politik, në mbështetje të PS.
6- Florjan Ballhysa – Ish këshilltar i Fatmir Xhafajt kur ka qenë Ministër i Drejtësisë. Në 2013 u emërua nga Xhafaj Këshilltar i Komisionit të Ligjeve.
7- Ina Rama – si kryeprokurore nuk ka bërë asnjë proçedim penal për gjyqtarë apo prokurorë të korruptuar.
8- Klara Mullaj -ka qenë punonjëse e INUK gjatë kohës së drejtimit të institucionit nga Zyhdi Dajti. Ka qenë në procedim penal për shpërdorim detyre.
9- Lindita Xhillari – është Ndihmës Komisionere tek Avokati i Popullit dhe ish-Drejtoreshë Juridike në Presidencë përpara vitit 2012.
10- Nertila Sadedini – aktualisht është Drejtoreshe në Ministrinë e Mjedisit.
11- Olsi Komici – është emëruar nga Edi Rama në Korrik 2014, si ekspert i jashtëm në grupin e punës të Task-Forcë, për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore, përmes kalimit në pronësi private dhe në përdorim të të tretëve të pasurive, tokë truall, tokë bujqësore, pyje, livadhe, kullota, territor shtetëror, objekte si dhe të llojeve të tjera të pronave të paluajtshme të shtetit. Sipas medias ka qenë nën procedim penal për falsifikim dokumetash dhe korrupsion.
12- Rezarta Abdiu – ish-drejtoreshë e Antikorrupsionit, Këshilli i Ministrave 2001-2005 ;
13- Rozeta Ivanova – kandidate e PS për kryetare të K.Q.Z kur u zgjodh si kryetar Denar Biba,
14- Shpresa Beçaj – ish Kryetare e Gjykatës së Lartë
15- Sokol Çomo – ish Zëvendësministër i Drejtësisë gjatë qeverisjes së PS. I zgjedhur nga PS dy herë anëtar i KLD. Ende në detyrë si anëtar i KLD
16- Valbona Sanxhaktari – juriste në kryeministri
Nuk marr përsipër të analizoj profesionalizmin apo aftësitë e tyre teknike, por afërsia e tyre me Partinë Socialiste dhe propozimi apo emërimi në pozicione kyçe deri sot, tregon qartë sa seriozisht e ka reformën Rama!
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu