Adi Haxhiymeri: Biznesi ka nevojë për botën akademike
Në kuadër të projektit 250+, bashkëpunimi i UET me biznesin, drejtues të UET-it zhvilluan sot një vizitë në kompaninë Prima, lider në sektorin e prodhimit të miellit
Në vazhdën e projektit 250+ lançuar në tetor të vitit të kaluar, UET është në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, si dhe bën takime periodike për të kuptuar dhe marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth çfarë ata kërkojnë sot nga akademia. Për të diskutuar për mënyrat se si bizneset mund të bashkëpunojnë me universitetet, javën e kaluar, një përfaqësi nga Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi një takim pranë kompanisë Prima.
Kompania është lider në Shqipëri në prodhimin e miellit dhe të përpunimit të drithërave, produktet e saj arrijnë edhe tregjet e Maqedonisë, Kosovës dhe Polonisë. Ajo gjendet në periferi të qytetit të Tiranës dhe punëson më shumë se 200 punëtorë.
Presidenti prof. dr. Adrian Civici, dr. Selami Xhepa, zëvendës/rektor për Shkencën dhe Metodologjinë, drejtoresha e programeve Master, dr. Orkida Ilollari prezantuan projektin 250+ sipërmarrësi Adi Haxhiymeri dhe stafit të tij drejtues.
Çfarë kërkon biznesi nga akademia?
Sipërmarrësi Adi Haxhiymeri theksoi se biznesi dhe akademia e kanë të domosdoshme kooperimin për të prodhuar profesionistët e së ardhmes. “Akademia duhet të prodhojë studentë të një niveli të lartë që i përgjigjen tregut të punës dhe biznesi duhet të japë inputin e duhur për të orientuar kurrikulat”, -tha Haxhiymeri. Gjithashtu, biznesmeni vuri theksin mbi sensibilitetin e biznesit ndaj raportit të burimeve njerëzore me zhvillimin teknologjik. Një vlerë e shtuar për biznesin janë edhe studimet që universiteti mund të prodhojë në funksion të rritjes të prodhimit dhe efikasitetit të zinxhirit prodhues. Një studim i nevojshëm për “Prima” është ai mbi kostot e fshehura të biznesit, gjë për të cilën sipërmarrësi Haxhiymeri mirëpret një hulumtim të kryer nga një student i Universitetit Europian të Tiranës. Biznesi dhe akademia duhet të shndërrohen në aktorë orientues në përcaktimin e politikave dhe strategjive afatgjata, të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe social. Në funksion të këtij partnershipi “Prima” do të jetë e “Bordit të tregut të punës”.
Universiteti në shërbim të tregut të punës
Presidenti Adrian Civici tha se UET “ofron kualifikime afatgjata të ciklit BA, Master profesional, master shkencor, master ekzekutiv dhe doktoraturë për ekipet e këtyre 250 kompanive, duke favorizuar përshtatjen e kërkesave të njerëzve që kanë nevojë për kualifikim me programet tona”.
“Së dyti, UET ofron konsulencë të specializuar në një numër fushash, siç janë shërbimet e marrëdhënieve publike, marketingut, planet e kërkimet e tregut, shërbime juridike, shërbime të IT, shërbime qe lidhen me arkitekturën dhe një sërë shërbimesh të tjera, në të cilat ekspertët e UET dhe pedagogët kanë ekspertizë veçanërisht të thelluar. Së treti, UET kooperon me këto 250 kompani në kuadrin e përgjegjësisë sociale, duke ndarë së bashku vizione, vlera dhe praktika bashkëkohore të përgjegjësisë së korporatës në shoqëri. Komuniteti i studentëve dhe pedagogëve është objekt qoftë si kooperim, qoftë si iniciativë i një iniciative nga ana e këtyre 250 korporatave për të shumëfishuar impaktin social në komunitetin e studentëve, pedagogëve, prindërve të tyre apo punonjësve të këtyre kompanive. Aspekti i katërt, UET bashkëpunon me këto kompani duke i pasur ato prioritare për të dërguar studentët tanë nëpër praktika, intershipe, për të thirrur ekspertë, specialistë apo drejtues të këtyre kompanive dhe të tregut të punës apo dhe në praktika profesionale, si dhe për të angazhuar me përparësi punësimin e studentëve tanë në këto 250 kompani” – theksoi profesor Civici gjatë takimit./Mapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu