Kryemadhi kërkon rrugë por harron që Transportet i ka LSI
Deputetja Monika Kryemadhi kërkon edhe rrugë e infrastrukturë, por harron se në krye të ministrisë së Transporteve qëndron Sokol Dervishaj nga radhët e LSI-së.
Deputetja e LSI Monika Kryemadhi nga Rrjaca ka kritikuar sërish qeverinë Rama, duke i quajtur pseudo-reforma ato në arsim, drejtësi e shendetësi, të ndërmarra nga qeveria. Madje ajo këtë deklaratë e ka postuar edhe në faqen e saj zyrtare në facebook.
Ndër të tjera deputetja Monika Kryemadhi kërkon edhe rrugë e infrastrukturë, por harron se në krye të ministrisë së Transporteve qëndron Sokol Dervishaj nga radhët e LSI-së. Ai u vu në postin e ministrit të Infrastrukturës duke zëvendësuar ish-ministrin Edmond Haxhinasto, i cili për ironi të fatit qëndron i ulur krah zonjës Monika Kryemadhi në këtë takim.
“Të mendosh që nuk ka rrugë, infrastrukturë dhe ujë të pijshëm, megjithëse ujin nuk ta jep politika, por Zoti. Janë disa detyrime që ne në politikë i kemi harruar, pasi përfshihemi nga debatet politike apo nga disa pseudo-reforma, qofshin këto arsimore, drejtësie apo shëndetësie dhe harrojmë gjërat më jetike për të cilat njerëzit kanë nevojë. Duhet të harrojmë fasadat e jashtme dhe të mendojmë për ato gjëra që janë të përditshme për banorët, qytetarët, fshatarët, malësorët”, kështu është shprehur zonja Kryemadhi gjatë prezantimit të fizibilitetit të ujësjellësit të ri të zonës së Rrjacës.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu