Batoni dhe Berati/ Dy “B-të” e Kosovës që i japin “mend” Shqipërisë
Gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” të ditës së enjte kishte ftuar një panel, ku ishin të pranishëm 7 persona, dy prej të cilëve, si dhe në shkrimin e mëparshëm, bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, kurse dy tjerët ishin gazetarë nga Kosova.
Baton Haxhiu ishte në krye të debatit për aktualitetin politik në Shqipëri, i njohur si një nga miqtë e ngushtë të Edi Ramës. Ligjëronte për demokracinë dhe opozitën në Shqipëri, thua se Batoni i zgjidhi hallet e dha mesazhin e tij për qytetarë e Kosovës, apo ka qartësuar ato problematika që jeton shteti i dytë i shqiptarëve me emrin Kosovë. Batoni flet për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, botën, Trump, Brexit, e çdo gjë tjetër që i del përpara. Por, përpara se të vijë të japë leksione në Shqipëri, i duhet të shohë demokracinë në vendin e tij, situatën kritike jo vetëm ekonomike, por edhe politike, në Kosovë. Dhe ndoshta Batonin nuk e dëgjon e sheh më njeri në Kosovë, tani duhet të vijë këtu t’i kryejë ca shërbime Edi Ramës për t’i thënë shqiptarëve se liderin tonë “botëror” e duan shqiptarët kudo që ndodhen. Në fakt, më shumë nga të gjithë e do Batoni dhe Vuçiç.
I dyti është Berat Buzhala, botuesi i “Ekspress”, që nga Kosova përpiqet të jetë aktiv në Shqipëri, kuptohet për të rritur audiencën e tij. Tenton të jetë më afër opozitës, por edhe vetë Buzhala është në të njëjtin pozicion si Batoni. Pa mbyllur hallet e shtëpisë së tyre, shkojnë dhe hyjnë dhe fillojnë të qajnë te shtëpia e komshiut. Te komshiu në fakt nuk ka vdekur askush, të gjithë janë në pozicionet e tyre, por vendin e familjarëve e zënë Batoni dhe Berati duke qarë me “oi”, secili për llogari të tij.
Teatri i djeshëm qesharak që ata ofronin, secili në pozicionin e tij, duke iu shtuar edhe “sharmin” e dy ish-sigurimsave, ishte vërtet “mbresëlënës” dhe sa më shumë të përsëritet aq më mirë shqiptarët do ta kuptojnë se çfarë na servir opozita dhe mazhoranca në këtë vend, ku palët po tallen me shqiptarët duke çuar në studiot televizive dikush spiunë e dikush kosovarë. Ndërkohë që shtëpia e tyre po iu digjet, marrin një kovë benzinë dhe e hedhin në Shqipëri./CityNews
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu