Berisha me Lu: ‘Rama si Noriega’. Kush është Noriega?
Ish-Kryeministri Berisha është takuar sot në zyrën e tij me ambasadorin amerikan Donald Lu. Biseda, sipas një statusi të Berishës në Facebook, është ndalur te aktualiteti politik në vend. Berisha i ka komunikuar ambasadorit se situata është kritike, më kritikja e pluralizmit, sipas tij. Ish-Kryeministri gjatë bisedës me ambasadorin e ka quajtur Kryeministrin Rama ‘një lloj Noriege’, ndaj të cilit, komunittei ndërkombëtar duhet të mbajë qëndrim të prerë.
Fakti i shpejtë: Kush është Noriega
Manuel Antonio Noriega Moreno është një politikan dhe ushtarak panamez. Ai u bë diktatori ushtarak i Panamasë nga viti 1983 deri më 1989, kohë kur u rrëzua nga amerikanët, në atë që njihet si ‘pushtimi i Panamasë’. Ai u dënua në Amerikë për trafik droge në prill të vitit 1992, edhe pse për shumë kohë ishte bashkëpunëtor i CIA e cila e dinte përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Në shatator 1992 u dënua me 40 vjet burg, të cilët më vonë u reduktuan në 30.
Sentenca e tij përfundoi në vitin 2007, me kushtin e një kërkese për ekstradim nga Panamaja dhe Franca. Ekstradimi francez u miratua në prill 2010 dhe u dënua atje me 7 vjet burg. Në vitin 2011 iu akordua një lirim me kusht dhe Noriega u ekstradua në Panama për të shërbyer 20 vjet burg atje. Ai u kthye në Panama më 11 dhjetor 2011.
Berisha sqaron në një status në Facebook se në takimin me ambasadorin Lu ka cekur edhe temën, e shumëlakuar këto kohë, të George Sorosit.
“Që nga viti 93 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollarë, jo vetëm në mbështetje të ish komunistëve shqiptarë, por direkt kundër PD. U shpreha se Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blen lirë politikanët, por theksova se do vlerësoja që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij. Dhashë shembuj konkret të ndërhyrjeve të tij të dëmshme për demokracinë në mbështetje të Edi Ramës.”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu