Lidhu me ne

Temporal

GUNA QË MUND PUNËN

nga A. A. B.
Më krijohet përshtypja se është shtuar, në mënyre të ndjeshme këto kohët e fundit, ajo rrymë talljeje të vazhdueshme që shoqëronte shpalosjen e personazhit mediatik të zotit Erion Veliaj. Fushata frenetike publicitare që ka ndjekur këmba-këmbës karrierën e tij politike prej vitit 2013 e këndej ka spikatur që në krye të herës prej njëfarë histerizmi dhe patetizmi tmerrësisht optimist. Tani, politikanëve shqiptarë nuk para ua ha qeni shkopin kur vjen puna tek fushata zgjedhore prej gomerësh shembullorë. Sidoqoftë, toni dhe modulimi i zotit Veliaj, sidomos atij virtualit, ka një prani të atillë shqetësuese të sipërores sa edhe publiku – normalisht shurdh – i Shqipërisë shqoi disa ngjashmëri të parehatshme me ligjërimin totalitar të periudhës së Republikës Popullore. Një rast karakteristik i fenomenit ishte ai i “punës që mund dhunën”, apo edhe një këmbëngulje paksa për të qeshur ndaj himnizimit të punës në të gjitha format, megjithëse zakonisht në diçitura Facebook-u me gabime sintaksore (bash ashtu si Twitter-i i Presidentit Trump, shyqyr Zotit).
Për fat të keq, afrimiteti gjuhësor me një version të botëkuptimit shoqëror socialist nuk është tipari më dallues i diskursit të zotit Veliaj. Thembra e Akilit është pikërisht që kjo dialektikë pseudo-marksiste përbën pjesën më të sofistikuar, ndoshta, të mendimit politik të Mbretit të Mirmidonëve. Pjesa e mbetur, shumica dërrmuese e ligjërimit të tij është – nuk ka mënyrë të sjellshme për t’a thënë – një ndër koleksionet më të pasura të kabasë oratorike në historinë e Shqipërisë pluraliste. Zoti Veliaj e zbërthen gjerdanin e perlave pa kurrëfarë logjike semantike. Fjalia ime e parapëlqyer ishte ajo për fillimin e punimeve të rindërtimit së Sheshit Skënderbej, se: “Shesh pa komb ka, po komb pa shesh qendror ku të mblidhet s’ka!”[i]  Nga t’a kapësh, pyet veten edhe lopa përpara këtij margaritari. Pa hyrë fare në listën e arsyeve që e bejnë këtë deklaratë krejtësisht të rrejshme, le të mjaftohemi me: nuk ka kuptim. Një shesh, që është një tipar fizik i mjedisit urban, mund të këtë vlera sociologjike ex post facto, por nuk mund te jetë kurrë as shkaktar dhe as pasojë direkte e një procesi komb-formues.
I vetmi zgëq prej nga mund të jetë nxjerrë një murtajë e tillë logjike, vdekjeprurës për çdo lloj argumenti serioz, është Adrian Guma. Guma ishte një shkrimtar relativisht i njohur i viteve tridhjetë, goxha i njohur në jetën mundane të kohës për shkak të gjuhës së tij tepër të mprehtë. Fjalia e parafrazuar mësipër thuhet të jetë thënë prej tij pas ceremonisë së përurimit të bulevardit kryesor të Tiranës. Ai vrau veten në fillimnëntor të vitit 1944, pak orë para hyrjes së Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në qytet. Ose do t’a kishte bërë diçka të këtillë, sikur Adrian Guma të mos ishte personazhi kryesor i Nëntori i një kryeqyteti të zotit Ismail Kadare, një meta-Dhimitër Pasko. Në atë roman, shkruar për një konkurs letrar me rastin e tridhjetë-vjetorit të Çlirimit, autori ia vesh autorësinë e frazës gazetave të kohës[ii]. Rastësisht, shoh se një gazetar, Alex Crevar, gjatë një interviste me zotin Edi Rama, ia vesh një arkitekti të huaj të pranishëm[iii].  Pak rëndësi ka.
Copëzat e çoroditura të fjalëve, soundbites-at, e zotit Veliaj janë detyrimisht me prejardhje të vjetër dhe të dyshimtë për shkak të qasjes së tij ndaj së ardhmes së Shqipërisë.  Mungesa e një vizioni për qytetin apo për vendin prej tij është po aq e qartë sa nevoja patologjike për të ngjitur shkallët drejt zyrës në katin e dytë të ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Një anti-estet përballë një kryeministri pseudo-estetik, zoti Veliaj nuk e njeh gjuhën pamore dhe atë gojore të shndërrimit. Ai mjaftohet me lyerje-mbjellje-korrje-prashitje në çdo pëllëmbë gjelbërimi të ngelur dhe balline në kryeqytet, në thelb një shumëfishim i planit rinovues të një kryetari njësie bashkiake. Përsa i përket pjesës tjetër, është i lumtur të presë për udhëzime nga lart dhe nga jashtë, prej nga dhe paaftësia dhe pagëdhendja spektakulare e administratës tiranase që pasqyron Dr. Vincent van Gerven Oei[iv]. Kontrasti, mrekullues dhe njëherazi tmerrues, i një vizioni të paqenë afatgjatë dhe një ligjërimi shpeshherë budalla me rrjedhojën një popullaritet të konsiderueshëm, është gati i pabesueshëm. Stafi propagandistik i zotit Veliaj në bashki shfrytëzon maksimalisht këtë komunikim foshnjëror, thjeshtëzues dhe përsëritës për të goditur sa më shumë qendra nervore të publikut që ndjek heroin e tyre me pancir vezullues.
Taktika e kryetarit të Bashkisë së Tiranës konsiston, në thelb, në: copëzimin e një projekti bashkiak të punëve botore në elementët e tij përbërës, e pastaj reklamimin masiv të atyre elementëve individualë. Fjala vjen, një vendim i thjeshtë i Këshillit Bashkiak për riorganizimin e pjesshëm të disa linjave të autobusëve qytetas prodhon një plejadë të tërë fotografish. Thua se njohja e asaj aboneje lumëmadhe do të lehtësojë blerjen për klientët, si në pika hermetike shitjesh apo në çmime gjithnjë në rritje. Thua se, ata tre-katër autobusë të rinj – një rini relative, tipikisht shqiptare, meqë gjithkush blen veçse stokun e vjetër të disa qyteteve europiane – qenkëshin blerë me fonde publike  (ha ha ha!) apo se shoqëritë e transportit urban paskan përftuar ulje taksash dhe shtysa të llojeve të tjera për të modernizuar flotat përkatëse (e padëgjuar ndonjëherë në analet e praktikës shqiptare!). Në këtë mënyrë, po ai manipulim i mjeteve të komunikimit, mundohet të mbulojë me shoshë mungesën e ndryshimit real dhe amullinë e zgjatur të aglomeracionit të Tiranës.
Këtu kthehemi tek çështja fillestare, ajo e talljes me praktikat e lartpërmendura, të cilat mundohen fort të paraqesin një realitet që nuk gjendet askund përveçse në mendjen e autorëve të tij. Kuptimi (realisation), në rastin konkret, nuk do të përkthehet automatikisht në ndëshkim, madje nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se zoti Veliaj ka ndonjë pengesë, tani për tani, në monopatin e tij të vetmuar drejt zyrës kryeministrore. Megjithatë, nel mezzo del cammin di sua[sic!] vita, zoti Veliaj është provë e gjallë e kufizimeve të cilitdo aparat propagandistik, edhe atij më të sofistikuarit, në epokën e shpërhapjes digjitale të informacionit. Mjafton të lexosh seksionin e komenteve në cilindo postim në faqjen e zotit Veliaj në Facebook. Qasja dorërëndë ndaj kontrollit mediatik në veprimtarive qeveritare, events, ka shtyrë një pjesë të shtypit drejt demaskimit të photo opportunities të zotit Veliaj.
Së fundmi, ajo çka është absolutisht e pamundur për t’u fshehur në çfarëdo kohe apo vendi, është cilësia aq për të dëshiruar e oratorisë publike të zotit Veliaj në raste disi më formale. Grumbullit të zakonshëm të xhevahireve passive-agresive ndaj opozitës dhe të shkishëruarve të shoqërisë civile , i shtohen shpërthime sikofante të përmasave – sërish –  totalitare, të cilat nuk ka burrë proverbial nëne që t’i redaktojë për t’i sjellë sadopak në vete[v]. Këto janë apolitike, të dëmshme për imazhin e tij tek votuesit potencialë (jo se ky është  shkak kryesor i prishjes së gjizës tek dyqanet e bulmetit të Pazarit të Ri të sapopëruruar) dhe, me gjithë ndershmërinë e mundshme, patetike për një politikan të 2017-s.
Për të parafrazuar: “Kur ke aq pak shije, sinqeriteti bëhet mëkat.”/Peisazhe të Fjalës
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

9 vitaminat që forcojnë dhe dendësojnë flokët: Funksioni i secilës

Shëndeti i flokëve tanë varet nga shumë faktorë, si dieta, stresi, ndryshimet hormonale dhe faktorë të tjerë të jashtëm apo...

Kryesore2 orë më herët

PD punëson këshilltarin e Trump, komenti i Ramës: Këneta nuk bëhet dot det

Ish-drejtuesi i fushatës së Trump në Shqipëri për PD-në, ka krijuar jo pak diskutime për busullën amerikane në këto zgjedhje...

Mix2 orë më herët

Konfirmohet sezoni i tretë i “Euphoria”

“Euphoria” është zyrtarisht në prodhim për sezonin 3, njoftoi HBO të hënën. Duke marrë në X, rrjeti ndau një foto...

Radar2 orë më herët

Edi Rama: Veliaj nuk do të shkarkohet, SPAK ka dalë nga shinat kushtetuese

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të...

Mix5 orë më herët

Angelina Jolie flet për vajzën e saj Shiloh: “E urren famën”!

Kanë kaluar disa muaj nga lajmi i fundit në media për Angelina Jolie. Ishte në fund të vitit të kaluar...

Mix6 orë më herët

A po ndikon shëndeti mendor i Justin Bieber në martesën e tij?

Modelja ka bërë një postim duke e shoqëruar me një mesazh të veçantë që ka rrëmbyer vëmendjen e fansave. “Unë...

Mix6 orë më herët

Rrjeti mendon se edhe varësja e Kendrick Lamar në Super Bowl ishte diss për Drake

Në performancën e tij në Super Bowl LIX më 9 shkurt 2025, Kendrick Lamar duket se ka dërguar disa mesazhe...

Mix7 orë më herët

Gigi Hadid ndan foto të ëmbla me vajzën e saj Khai

Supermodelja Gigi Hadid ka ndarë në Instagram disa momente të bukura me vajzën e saj 4-vjeçare, Khai, por pa e...

Radar7 orë më herët

Donald Trump: Ukraina një ditë mund të bëhet ruse

Presidenti amerikan Donald Trump la të hapur mundësinë që Ukraina një mund të bëhet ruse. Në një intervistë për Fox...

Radar7 orë më herët

SPAK: 860 mijë euro blerje bizhuterish online

Në deklaratën e sotme të SPAK evidentohet edhe një akuzë për Ajola Xoxen që është si më poshtë:  Po kështu, ky qëllim...

Facebook