Lidhu me ne

Letersi

Poezi nga Agron Tufa

Një shilarës i trishtë ç’po më kolovit

484968_490403027647322_1846637444_n

Agron TUFA

– cikël me poezi të pabotuara –

TREGJET E LOTËVE

 

 

(në 100 vjetorin e Luftës së Dibrës)

Tregjet e lotëve të rinj janë të lehtë…
Nuk e kanë duhmën e shkrumbit,
shijen e athët të gjakut
dhe rrëshirën e zezë të zërit
në tel të sharkisë.

Tregjet e rinj të lotëve
janë spërdredhka bimësh kacavjerrëse
që pleksin kavon e trashë të fatit –
dhe, me ledhe lojacake puhizash
gjethesh e vrigujsh, lëndohen,
bien përtokë prej të parit thëllim.

Por nga gjëmat e moteve ata nuk duan t’ia dinë,
as për zhaurimën mortore të kobit,
as për litarët e groposur të gjakut,
as për Vertebrën e dërrmuar të fisit
që duket e zhduket në skeletin e kalldrëmit të vjetër
në dherat e këtij qyteti të djegur…

Çfarë peshe, çfarë shkaku rëndon
që ne s’duam t’ia dimë
dhe s’qenkemi në gjendje ta mbajmë?
Pse përdridhemi me një sofizëm fluturak
dhe sajojmë alibi në mungesë të mastarit?

Tregjet e lotëve të rinj
mund të ishin, megjithatë,
një troll i sigurt
për peshën e vërtetë
të humbjeve dhe mungesave.

Kemi harruar, ajme,
të qajmë me lotë të vjetër…

(Dibër e Madhe, 29 shtator 2013)

 

 

MËRZIA

 

Me shkop mërzia lodhjen shkund –
Tapet dimërak – dyst krahnezë…
Teshtima vdes. Dita merr fund
Tek plas si poç me verë të zezë.

Asgjë s’të ngut të marrësh hak,
Asgjë s’të ndal të bësh bilanc –
Gjersa çka ndodhi nuk e shmang,
Gjersa çfarë mbeti – ngriu kuarc.

Po tjetër lodhje do t’na mbërrijë
Që zhegun zhbën, njëlloj dhe ngricat.
E madhja fshesë gjithkah do fshijë
Dhe pengjet tona, dhe tepricat.

Ç’bunacë e fashë do të pllakosë!
Ç’kompresë për kafshë, drunj e gjind!
Do ngjethë gjithkënd nëpër Kozmos
Ideja, që sërish të lindë…

23.01. 2017

 

 

SHILARËS

 

Fryma ime e re rend si shtjellë nëpër male.
Fryma ime e vjetër përpëlitet në fushë.
Ah, si po shndrijnë këto shandane!
Si pezull m’u poq ky peng në gushë!

Fryma ime e re turbullohet ndër male.
Në fushë e ndrron Frymën e vjetër vërtik.
Dridhen fantazie harta seksuale,
Një shilarës i trishtë ç’po më kolovit –

Nga fushat e plogështa –
Te malet me re,
Herë në polin ndoshta,
Herë në polin pse.

 

 

 

GUR

 

Të jem herë herë pas here gur,
është diçka që më jepet.
Dhimbjet s’shohin dritë kurrë,
si paja mortesh në sepetet.

Dhimbja shket e bën kërdi
diku gjetkë, që nuk është “unë”.
Unë mbes guri në kufi:
nuk bëj dhunë; s’pranoj dhunë –

unë që dhunën mirë e njoh
(mos nuk isha dëshmitar?).
Dhimbja shuhet nëpër kohë,
unë kap veten duke qarë…

Të jem guri në kufi…!
Nuk di kush ma ka mësuar.
Është mallkim? Është dhunti?
Apo diç e ndërmjetësuar?

2016

 

 

PËRPLASJA

secili përplaset dhe jep
tingullin e vet të pakuptimtë.

Përplasu dhe ti.

e qetë dhe kanosëse
me gishtin ndër buzë
heshtja avitet…

Përplasu po munde.

2016

 

 

 

 

*   *   *
pylli i të vërtetave
mashtron me ngjashmëritë,
aní pse kurrë nuk u përputh
druri me dru,
gjetja me gjethe.

…dhe vetëm një tokë poshtë,
dhe vetëm një qiell lart
i mban, i ushqen të gjitha.

2016

 

 

TËHUAJSIMI

 

Siç ndërron ekspresi i kafesë
nga “e ftohta”, tek “i nxehti”,
me maska në të parën kthesë
unë loz me vedin “kukafshehti”.

Zgjedh këtë lojë në orë të vonë,
që të mos jem më “i vërteti”.
Ç’do endem gjatë… i patenzonë,
me maska rolesh përskaj vedi…

Dhe, druaj fort, për besë, se mos
kur kobra-Kohë të hyjë në valle,
ndër maska vedi t’jetë mumosë,
i humbur shqim në saturnale[1].

Por dhe në ndodhtë, si rastësisht,
të dy të ndeshemi ballpërballë,
s’do mundem dot të ngre një gisht,
t’i them: “je unë… nuk me njeh vallë?!”

Dhe, bjerrë ndër vite, i maskuar,
ç’prej se çel gonxhja, bie gjethi,
do jem, prej vetes, alienuar –
një peng i lojës “kukafshehti”.

PSE KY KUTËRBIM?

s’rresht njerëzimi: trazon duar e hundë
në rropullitë e kohës dhe, secili,
përplaset e jep tingullin e vet.
të pangatërrueshëm. të pakuptimtë.

atëherë pse ky kutërbim në ag të kohërave?

rrëmon e mih në brinjë mashkullore
një si tunel, një si labirint,
një si Tezeu. Një si gjysëm gjinekolog,
një si gjysëm dedektiv. ai prore rreh
të zhburgosë një si Evë harrakate,
të mbetur në një si rrjetë brinjëve tona,
qyshkur na braktisi në gjysëm të udhës
zelli blasfemik i krijimit tonë surrealist.

dhe zhurmat shurdhohen në uturimë…

dhe vetëm më pas, vetëm më pas,
plas kutërbimi që përmbyt
hojet e kohërave.
herëdokur, me gishtin ndër buzë,
e qetë dhe kanosëse,
heshtja avititet.

po kush e ndal kutërbimin?

 

GUXO E GABO

 

Guxo e gabo: prej së tërës
le të mbetet “tabula rasa”.
Hapi udhë tekës më të ëmbël,
më mizore, ëndjes më të fshehtë,
që trupi i dorëzohet e truri s’e pranon.
Guxo: tretu me membranën
drithëruese të territ, atë lëkurë gjarpri
që i vishet trupit tënd si një festë dalldie.
Le të shkumëzojë tabuja,
le të mugullojë gjethi i rimtë
në tabutin tënd. Guxo:
shkulu si shkurrnajë tumori
të marrësh zjarr, të digjesh
duke flakëritur përbuzjen e përjetshme –
kujtesën e krimbur të brezave.
Guxo: gjako të shtish në dorë
atë që të madhnon, që të ngre
si një lapidar i errët egoizmi
midis të gjitha epsheve. Pa këtë alkimi
përvojat e tua të flashkëta
janë një turmë torturuese meitësh
që ta drobisin, ta raskapisin shpirtin,
gjer t’ia kenë dalë ta shndërrojnë,
pak e fije, në një hundshtypur
pas xhamit, me sy të gapërruar
në zbrazëtinë tënde. Guxo:
t’i fshish të gjitha tabulatet,
të kthehesh në “tabula”…
Le të shkruajnë, mandej, të tjerët,
çfarë të duan…

26 nëntor 2016

GUR

 

Të jem herë herë pas here gur,
është diçka që më jepet.
Dhimbjet s’shohin dritë kurrë,
si paja mortesh në sepetet.

Dhimbja shket e bën kërdi
diku gjetkë, që nuk është “unë”.
Unë mbes guri në kufi:
nuk bëj dhunë; s’pranoj dhunë –

unë që dhunën mirë e njoh
(mos nuk isha dëshmitar?).
Dhimbja shuhet nëpër kohë,
unë kap veten duke qarë…

Të jem guri në kufi…!
Nuk di kush ma ka mësuar.
Është mallkim? Është dhunti?
Apo diç e ndërmjetësuar?

2016

NJERIU ME BAROMINË

 

“Bum-bum!” – djersin dikush me barominë.
Ai vrima hap në kafka të njoma:
“bum-bum!” – pëllëmbët pështyn
dhe godet mbi tjera rrashta –
të lashta, të ngurta – korraca, mandej, vrimat –
golle të errëta – i mbush me kripë e tritol.
Kafka, si predha me djegore të brendshme –
pëlcasin dheun sa cekin…

Në birrarinë e fshatit, mbrëmjeve,
ai, me zë të zvargur, flet në një zgëq
për spektaklin e kafkave fishkëllyese,
për trajektoren e flurudhës
dhe për hatanë e gjëmimit
të lëndës plasëse, me mbushje
fanatizmash sektantë, racizëm, konspiracion…

“Bum-bum!” – vlon baromina, kërkëllin matrapiku
mbi kafka kockëforta çeliku – betonarme.
Ankohet njeriu i djersitur me qysqi në dorë:
“rrashta të mbrapshta”, thotë, “të pagdhendura”,
dhe duart me kallo pështyn: “plasariten e s’çahen”,
thotë, “kanë zënë të dyshojnë”, thotë,
“mendja e tyre më s’mbush”, thotë, ” e mua,
pëllëmbët – gjak më përvëlojnë”, shton.

Rrëshqet dhe baromina: tingërr-tingau –
tingulli metalik ndër gurë. Dhe, tek ulet,
instinktivisht vihet me dredhë një cigare
me tritol të thatë. “Po, po… kanë zënë
të dyshojnë”, thotë, tek lyp me tahmin
ethshëm çakmakun: “…dyshojnë, e vedit
përditë po i bëjnë nga një referendum…”

E ndez dhe… “Buuuuuuuuuuuuuumm…!”

 

 

 

 

NJË KUARTET POETËSH

Poeti triumfator S., mburret
me fushatën këmbëngulëse të kapërcimit të “krizës”
dhe çlirimin e lirë të hidrogjenit në poezi.

Tani, poeti S., buzëqesh jo si më parë,
por me një inkadishencë të rinuar në volt,
që konvertohet, përafërsisht,
me 7 kuaj fuqi për metaforë.

Poeti U., ka të drejtë të krenohet:
Ai i hapi burrnisht udhë poezisë së tij
përmes seancash të pandërprera stërvitore,
duke ngritur më dhëmbë pesha të rënda –
derisa arriti kulmin natën e dytë të Shëngjergjit,
kur në majë të Dajtit dhëmbët e tij çliruan
një thes me kripë të peshës 53 kg (thonë,
3 kilogramë mbi 50-shen ia kishin ngecur tinëz
bastexhinjtë hileqarë).

Tani ai është i qetë në rrugën e poezisë
dhe të gjithë për të thonë: “Ai është i pandalshëm…!

Poeti Th., është më pjellori,
por dhe më padrejtësish i pavlerësuari,
ngase ai i shkruan poezitë
me shpejt e më shpërfillshëm
se dhëmbët e tij të qërojnë e pështyjnë
lëvozhgat e farave përtokë…

Poezitë, thotë ai, “janë tepricat e bezdisë
që i duhen pështyrë gjindjes në surrat –
derisa kjo gjindje beterre t’i përafrohet
një realiteti paqësor
ku të mos ndjehet më nevoja
e përtypjes së farave…”

Po për poetin Xh? A ia vlen të flasim për të?
Nëse rron, thonë, ai rron në sajë të “poezisë së vërtetë”…
E që këtë jetë ta ketë sa më të gjatë,
ai e kalon duke sajuar lloje të panjohura limash,
thikash e presash, aq sa banesa e tij i ngjan tashmë
një reparti special tornitorësh
ku prodhohen vargje të punuara në filigramë –
mahnitje të shkëlqimit, xixëllimave dhe lëmimit –
por, ajme! Pa arritur të mbarojë dot, as poezinë e parë…

Të gjithë kritikët, që janë marrë me poezinë e tij,
se nga kanë psonisur jashtë shtetit ca binokle të veckël,
që i ngjeshin në sy, për të dalluar më mirë
lëvizjet e imëta të ingranazheve poetikë,
që rravgojnë mezindjeshëm në zemrekun e vargut…

E keqja në këso rasti është 2 + 1: e para:
ka nga ata kritikë që kanë paturpësinë të shpallin,
kinse në zemrekun e vargut të poetit Xh, asgjë nuk lëviz
dhe, e dyta: këto tip kritikësh gjithandej po i quajnë
“sahatçinj”… E pikërisht këtu përftohet një e keqe e tretë:
tërë vëmendja ka kohë që është zhvendosur
nga autori tek kritikët “sahatçinj”.

E ka në dorë vetë poeti i madh Xh,
t’i japë fund gjithë kësaj torture rraskapitëse…

Por, me sa duket,
ai ka vendosur të rrojë gjatë…

17 maj 2014

 

MREKULLIA E TË MOS BËRIT ASGJË…

Mrekullia e të mos bërit asgjë
është vazhdimi i pafajshëm i një gjumi
ku projektohen një seri ëndrrash pendestare
për çfarë bënë të tjerët – gjithësej – keqkuptime tragjike
të një vargu të pasosur gjeneratash, që besuan,
si në ag të historisë, se po e transformojnë
këtëBotë të trashëguar nga Hyji
në gjendje, kinse, të papërsosur…

Ku ta dinë ata të gjorë, se me ndërhyrjen e vet,
po shëmtojnë aktin unikal të Krijimit?

Mrekullia e të mos bërit asgjë
është paqja e pranimit me gjendjen e Zanafillës.

Çdo krijim dytësor, çdo konkurrencë detajesh
është fillimi i rrënimit, shëmtimit dhe shthurjes
së një Origjinali të parëkrijuar, të panjollë…

Asgjë të mos bësh, do të thotë
të ndalësh turrin e ndërkryer ngutanak
të theksimit të shëmtisë
mes një tabloje të përbotshme
ku ende frymojnë parajsa të dlira ishullore,
të paprekura nga epidemia e imitimit,
ku ende s’ka hedhur ganxhën e spirancës
zinxhiri kreativ i një rivaliteti-shemër,
që i mbivendoset harmonisë virgjine
të ngjyrave dhe elementëve –
ethet e sëmura të një egocentrizmi surrealist
me prangat e artit.

Mrekullia e të mos bërit asgjë
është vetëpërmbajtja për të mos ndërhyrë,
për të hequr dorë nga kopjet e shumëfishuara
të egove, nga dara e kastrimit të limfës dhe barit,
dherave dhe ujërave, finesës së profileve,
që si një bombë nukleare ndrysin përbrenda
pasionet shtazarake dhe botën e dyzuar,
që molepsin me shajni fantazmash e dëshirash,
që ndërlikojnë raportin e padhunë
të pajtimit me reshjet, pejsazhin dhe temperaturat,
që lutjet i ngarkojnë me një kod mistik ceremonish e ritesh,
që na largon pa kthim nga natyra e çiltër
e supersticionit dhe besimit.

Asgjë të mos bësh, do të thotë
ta ngallmosh veten në një karantinë gjumi
me ëndrra të pamëkata,
të ndjesh përbrenda ende
vazhdimin e po asaj muzike të parëlindur,
me po atë freski që kumboi, qysh ne themelet e Botës –
të mos kesh hyrë ende në konflikt
me harmoninë midis elementëve,
të mos cfilitesh në kalvarin e një lëngate të pamort
shkaqesh e pasojash,
pyetjesh e përgjigjesh…

23 shkurt 2014

 

 

*   *   *

Ky kalimtar që shket si hije e drunjtë me vështrim në askund
përbri qelqnajës së stolisun… dhe çifti i ri frenetik që puthet
në shtrofkën ma t’largët t’lokalit… dhe muzika konvulsive e “The Cure” –
ndërsa jashtë pikrron një shi i mezidukshëm nandori –
kanë fare pak shanse me mbijetue në rendjen kapitulluese të ditës,
që përhapet, zgjanohet, grafllon e shpraz vërtik shkambinj e shkarpa
e sidomos llum, llum të trashë izolator, tue u prirë, tembrama
me u përpi në Oqenain e terrtë t’Erebit…
Aty kanë me u fashitë tallazitjet, ka me u punue butë ritmika,
derisa nesër, printi i saj ka me nxjerrë letrën e bardhë të një dite të re
me blana t’padeshifrueme dhune në korp të kufomës.

[1] Një festë me maska që bënin romakët më 17 dhjetor, për nder të Saturnit.

 

 

 

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk, i ka bërë thirrje publikut që të ndalojë së dhuruari për ‘enciklopedinë’ e internetit Wikipedia, duke e akuzuar...

Mix1 ditë më herët

Si e dekoroi Kendall Jenner shtëpinë për Krishtlindje

Dashuria e Kendall Jenner për Krishtlindjen vjen nga nëna e saj Kris Jenner. “I jap shumë meritë nënës sime për...

Radar1 ditë më herët

“Na duhet aleancë kundër krimit, korrupsionit, drogës dhe mafias. Në Itali nuk e bëri veç drejtësia”

Dom Gjergj Meta “Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”. Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta,...

Radar1 ditë më herët

Ekonomia po rritet pa konsum

Në 3-mujorine e tretë, kur turizmi ishte në kulmin e tij konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 0.8...

Mix1 ditë më herët

VIDEO: Kërcimi viral i Donald Trump për Krishtlindje

Donald Trump priti Krishtlindjet në pronën e tij në Mar -a – Lago ku mblodhi familjen e madhe. Show-n e...

Mix2 ditë më herët

Sam Altman kundër Elon Musk: “ai është një bullizues, i pëlqen të debatojë me njerëzit”

Dihet mirë se marrëdhëniet mes Sam Altman dhe Elon Musk nuk janë idilike dhe përgjigja e OpenAI për Musk e...

Mix2 ditë më herët

“La Palma”: Seriali i ri në Netflix që po thyen rekorde shikueshmërie

Shikuesit besnikë të Netflix janë shumë të emocionuar për serialin e ri “La Palma”, i cili përshkruhet nga shumë njerëz...

Mix2 ditë më herët

100 christmas wishes for friends and family

Best Christmas Wishes, Sayings and Greetings To Write in Christmas Cards 1. Merry Christmas! I hope you receive one blessing after...

Mix2 ditë më herët

Krishtlindje: sugjerime filmash për një atmosferë magjike!

Krishtlindjet janë koha e përsosur për të shijuar disa filma klasikë që përcjellin mesazhe të ngrohta, dashurie dhe miqësie. Filmat...

Radar2 ditë më herët

Presidenti Donald Trump do të përballet me një Phenian ndryshe gjatë mandatit të dytë!

Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së...

Facebook