Kryesore
Momente amatore në Shtëpinë e Bardhë
Ka kaluar një javë nga presidenca e Donald Trump dhe që tani ai e ka pasur momentin e tij “të mrekullueshëm”.
Për ata që nuk e mbajnë mend, pas uraganit Katrina në vitin 2005, presidenti George Bush vlerësoi kreun e ekipit të emergjencave, Michael Brown, duke thënë se ka bërë një “punë të mrekullueshme”.
Komenti i mbeti si një kudhër rreth qafës pasi Nju Orlinsi ishte përmbytur dhe zhytur në kaos.
Kjo solli edhe rënien e republikanëve dhe fitoren e demokratëve në zgjedhjet e mes-mandatit.
Historia do e gjykojë ndikimin afatgjatë të urdhrit të Trump për emigrantët të premten, por ‘lavdia’ e herdshme e implementimit nuk do harrohet lehtë.
“Po funksionon mirë,“ tha Trump të shtunën.
“Mund ta shohësh në aeroporte, kudo, po funksionon mirë”.
Por në terren, në aeroportet e mëdha amerikane, gjërat nuk ishin aq mirë.
Zyrtarët e emigracionit kanë vështirësi për të implementuar urdhrin pasi kanë marrë udhëzime kontradiktore se kë duhet të ndalojnë që të mos hyjë në SHBA- dhe çfarë duhet të bëjnë me ata që janë ndaluar.
Teksa lajmi përhapej, turma protestuesish nisën të mblidhen tek terminalet, duke u rritur nga qindra, në mijëra.
Kur ishte në fushatë, ishte e lehtë për Trump të ankohej për sistemin e emigracionit në SHBA, duke thënë se është i shkatërruar.
Por si president, skuadra e tij e ka të vështirë të implementojë ndalimet dhe moratoriumet.
Urdhri i tij hyri në fuqi mesa duket pa konsulta ligjore dhe përkundër refuzimit nga zyrtarët e sigurisë së brendshme.
Kjo solli skena të çuditshme në një gjykatë në Nju Jork, ku avokatët e qeverisë e kishin të vështirë të mbronin masat që po krijonin kaos në aeroporte në mbarë vendin.
“Mendoj se qeveria nuk ka pasur shansin që të mendojë plotësisht për këtë,” tha gjykatësja Ann Donnelly, e cila vendosi se individët me dokumente të vlefshme pune në SHBA, nuk mund të deportohen.
Vendimi i saj i përkohshëm dhe vendimet e gjykatave të tjera janë thjesht fillimi i një beteje të gjatë ligjore.
Ndërkohë, ky ishte një episod i sikletshëm për atë që duket se është një Shtëpi e Bardhë e papërgatitur.
Disa republikanë në Kongres e kanë kundërshtuar programin, por edhe pse lidershipi është në krah të presidentit, gjërat mund të ndryshojnë në rast se nxehtësia politike rritet.
Kurse demokratët po tentojnë të fitojnë avantazh politik nga situata.
Gjatë primareve presidenciale, shumica e votuesve republikanë e mbështetën thirrjen e Trump për ndalim të myslimanëve që të hyjnë në SHBA, kështu që mbështetja për presidentin do të vazhdojë edhe pas ngjarjeve të fundjavës.
Pikëpamjet në zemër të Amerikës, larg aeroporteve kryesore ndërkombëtare, ndonjëherë ndryshojnë shumë nga bastionet liberale në bregdet.
Në rastin më të mirë ky ishte megjithatë një shpërqendrim i panevojshëm për Shtëpinë e Bardhë, që vë në pikëpyetje aftësinë e saj organizative.
Në rastin më të keq, në rast se shumica e vendit kthehet kundër presidentit, Trump mund të shohë se fuqia dhe ndikimi i tij po zbehen përpara se administrata e tij të nisë tamam punën.
*Marrë me shkurtime nga BBC/Mapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu