Mediat turke, ditët e fundit kanë hulumtuar për shifrën e ҫmendur që aktori më i paguar i Turqisë, Kivanc Tatlitug, do të depozitojë në llogarinë e tij përgjatë këtij viti.

Seriali më i ndjekur për momentin në Turqi, Cesur ve Güzel (Guxim dhe bukuri), ku ai luan së bashku me aktoren e njohur për rolin e Elifit, Tuba Buyuküstun, pritet të sigurojë në arkë fitime të paimagjinueshme. Seriali vijon të transmetohet në Turqi dhe ka filluar të shitet edhe në disa prej vendeve të lindjes.

Ky vit është fatlum për Kivanc. 130 mijë lira turke në javë mendohet se do të fitojë aktori nga një kompani xhinsesh me të cilën ka firmosur një kontratë. Siҫ shkruan milliyet.com, aktori e ka mbyllur marrëveshjen nga e cila ka futur në xhep plot 2 milionë dollarë për imazhin e tij.

Po kështu, sipas lajmeve të fundit të mediave turke, imazhi i aktorit vijon të jetë në shumë reklama publicitare me të cilat 33-vjeҫari do të ketë një marrëveshje 3-vjeҫare. Per këtë periudhë kohe, Tatlitug nga reklama e xhinseve do të grumbullojë një shumë prej 1 milion e 750 mijë dollarësh (rreth 6.5 milionë lira).

Përfaqësuesit e kompanisë së xhinseve, thanë se viti i kaluar ka qenë një sukses absolut për shkak të imazhit të Tatlitug. Në fund të vitit, aktori siguroi më shumë se 1 milion dollarë.

Por Behluli i famshëm vijon të presë edhe projekte të reja që do t’i ofrohen. “Legjenda” e reklamave në Turqi, siҫ është konsideruar Tatlitug, do të vazhdojë të jetë “blu” për shumë kohë.

Për serialin Cesur ve Güzel, që po vijon xhirimet, Tatlitug për një sezon mendohet se fiton 4 milionë e 600 mijë lira. Me sezonet e reja dhe me imazhin e tij të bukur nëpër reklama, në fund të vitit, Tatlitug do të arrijë shifra marramendëse. Vetëm nga këto dy projekte, aktori i njohur do të marrë një fitim total prej 12 milionë lira deri në fund të vitit.