Ndërkohë që bota është përballur me shumë drama e tragjedi, njerëzit më të pasur në botës gjatë 2016-ës kanë fuqizuar pasurinë e tyre. Po flasim për 237 miliardë dollarë, shifër kjo më e lartë se e vitit të shkuar për të njëjtin grup njerëzish.
Sipas një artikulli të “Bloomberg”, përfitimet më të mëdha i pati Warren Buffett, i cili pasurisë së tij i shtoi 11.8 miliardë dollarë gjatë vitit që po mbyllet, pasi firma e tij investuese “Berkshire Hathaway Inc.” u ngrit pas fitores së Donald Trumpit më 8 nëntor. Buffett, i cili është zotuar se do të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë së tij për bamirësi, në korrik të këtij viti dhuroi aksionet që kishte në “Berkshire Hathaway” në vlerë prej 2.6 miliardë dollarësh.
Media amerikane, në artikullin e saj për indeksin e miliarderëve të botës, ka shkruar edhe për bizneset e reja, për të cilat thotë të kenë fituar shuma të mëdha gjatë këtij viti. Artikulli përfshin Travis Kalanick të kompanisë “Uber” dhe Evan Spiegel të rrjetit social “Snap”. Të ashtuquajturit miliarderët “njëbrirësh”, ku përfshihen bashkëthemeluesi i “Spotify” Martin Lorentzon, i cili u identifikua si miliarder për herë të parë më 2016, ka siguruar një shumë të madhe të financimeve.
“Miliarderë të tjerë të zbuluar nga indeksi i Bloomberg më 2016 përfshijnë babanë dhe djalin prapa tekilës “Jose Cuervo”, një sipërmarrës të pronave të patundshme në New York, Axel Stawski dhe politikanin shqiptar, bosin e ndërtimeve nga Kosova, Behgjet Pacolli”, shkruan Bloomberg. Në Argjentinë janë shfaqur tre miliarderë, përfshi miliarderin e parë të vendit në teknologji Marcos Galperin.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu